Deklarate per shtyp – Shoqata e Familjareve te Viktimave te Gerdecit

feruzan-durdaj-kryetar-i-shoqates-se-familjareve-te-viktimave-te-gerdecitShoqata e Familjarëve të Viktimave të Gërdecit dhe Qendra Res Publica dëshiron të njoftojë opinionin publik se padia civile e një prej familjeve të viktimave të shpërthimit të Gërdecit, kundër Ministrisë së Mbrojtjes, është pranuar nga Gjykata Administrative, duke detyruar autoritetet të paguajnë shpërblimin e dëmit.

Pas kësaj padie të parë, në gjykim janë edhe paditë e 17 familjeve të tjera, të cilat janë mbështetur në të njëjtët argumenta dhe pritet të kenë të njëjtën përgjigje pozitive nga gjykata.

Vendimi gjyqësor që pranon padinë e Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj është tregues se ata kanë të drejtë, megjithë faktin që Ministria e Mbrojtjes pretendoi se nuk mbante asnjë përgjegjësi për dëmin e shkaktuar, duke dhënë mesazhin se ish Ministri i Mbrojtjes nuk ka shkelur asnjë ligj dhe se ka vepruar në mënyrë korrekte.

E vetmja mënyrë që Ministria e Mbrojtjes dhe qeveria mund të mbrojnë punën e ish zyrtarëve të saj, tashmë mbetet të jetë bllokimi i padive për shkak të tarifave gjyqësore, të mbajtura padrejtësisht në nivele të larta, të cilat janë në diskrecionin e Ministrit të Drejtësisë dhe Ministrit të Financave.

Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj me shumë mundime arritën të merrnin borxh dhe të siguronin 500.000 lekë (të reja), për të paguar tarifën për të nisur këtë proces gjyqësor dhe ia arritën të kenë sot një vendim në dorë, i cili njeh përgjegjësinë e shtetit, megjithë përpjekjet e Ministrisë së Mbrojtjes për t’u shmangur nga kjo përgjegjësi.

Në vazhdim, 17 familjet e tjera janë në një gjendje ekonomike të mjerueshme, dhe plotësisht në pamundësi për të siguruar, qoftë edhe duke marrë borxh, miliona lekë, të cilat Ministri i Drejtësisë dhe ai i Financave u kanë vënë si kusht paraprak. Madje një prej familjeve është detyruar nga këta dy ministra që të paguajë paraprakisht në gjykatë shumën prej 15 milion lekësh, ose përndryshe gjykata ka të drejtë të mos e shqyrtojë fare çështjen. Nëse ata nuk i paguajnë këto shuma brenda javëve në vazhdim, atëherë proceset gjyqësore do të mbyllen për të mos u rihapur më kurrë, duke bërë që shteti të fitojë në mënyrë të padrejtë, përmes kurtheve të ngritura nga vetë zyrat e tij.

Shprehim shqetësimin se kjo taktikë e pandershme e bllokimit të drejtësisë po bëhet shkak për rrëzimin potencial të padive të të gjithë familjarëve të viktimave të Gërdecit, aq më shumë kur duket qartë që këto padi janë të drejta dhe të bazuara në ligj.

Për më shumë se një vit familjarët e viktimave të Gërdecit janë përpjekur në rrugë shkresore të kërkojnë një zgjidhje për këtë cështje, ose edhe për të arritur një zgjidhje me pajtim. Ngritja zyrtarisht e një grupi pune nga ana e Kryeministrit, si në rastin e kërkesës së familjarëve të 21 janarit, nuk u praktikua edhe në rastin e kërkesës së familjarëve të viktimave të Gërdecit. Qeveria në rastin konkret preferoi që të dëgjojë Gjykatën. Tashmë kur Gjykata nisi të flasë, është e rëndësishme që të mos pengohet fjala e saj për shkak të tarifave të larta e të papërballueshme nga këto familje që cdo ditë luftojnë për mbijetesë.

Të gjendur në këto kushte, familjarët e viktimave të Gërdecit kërkojnë nga Qeveria që të heqë pengesat absurde të vëna nga Urdhëri i përbashkët i Ministrit të Drejtësisë dhe Ministrit të Financave, dhe të përballet në gjykatë në kushte të barabarta. Pasi gjykata të thotë fjalën e saj, është e udhës që qeveria të mos përdorë edhe marifete e truqe ankimesh, vonesash, e pengesash të tjera, me qëllim për të bërë të pamundur ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.

Ne kërkojmë nga Qeveria që të reflektojë jo vetëm për të bërë drejtësi në rastin konkret, por edhe për të kuptuar se pranimi i ngarkimit të përgjegjësisë në kurriz të autoriteteve shtetërore do të shërbejë që në të ardhmen këto histori të mos ndodhin më kurrë.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top