A duhet dekriminalizuar shpifja?

editorial cartoon 2012 MAY 10 THURSDAY DECRIMINALIZING LIBEL final

Nga Theodoros Alexandridis – Ekspert per jurisprudencen e Gjykates Europiane per te Drejtat e Njeriut

Në raportin e vitit 2002 mbi lirinë e medias në Shqipëri, Human Rights Watch arriti në përfundimin se dënimet gjyqësore për shpifje bien ndesh me aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe përbëjnë një kërcënim në rritje ndaj lirisë së medias dhe debatit publik në Shqipëri. Paditë për shpifjen, në gjykatën penale dhe civile janë bërë një armë e preferuar e politikanëve shqiptarë për të parandaluar kritikat dhe raportimet e gazetarëve. Sot shumë profesionistë të medias në Shqipëri ngrenë shqetësimin se gjërat nuk kanë ndryshuar.

Perspektivat ndërkombëtare

Rezoluta 1577 (2007) “Drejt dekriminalizimit të shpifjes”, miratuar më 4 tetor 2007 nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE), është një nga instrumentet kryesore për vendosjen e standardeve në fushën e dekriminalizimit të shpifjes. Në rezolutën e tij, PACE i bëri thirrje shteteve anëtare të garantonin mos keqpërdorim e procedurave penale për shpifje dhe se duhet të shfuqizonin çdo dispozitë ligjore që ofron një mbrojtje të privilegjuar për figurat publike. Në të njëjtën kohë, shteteve i është kërkuar që të parashikojnë në legjislacioni mjete efektive për mbrojtjen e personave të akuzuar për shpifjet, duke i mundësuar vërtetimin e fakteve në përputhje me interesin publik. Gjithashtu shteteve i është kërkuar që të vendosin kufij të arsyeshëm për dëmshpërblimet, me qëllim që të mos rrezikohet pozita e medias. Për më tepër, ligjet duhet të japin garancitë e duhura për ankimimin ndaj atyre dëmshpërblimeve, që janë në shpërpjesëtim me dëmin e vërtetë moral të pësuar nga paditësi.

Rezoluta e PACE ka shërbyer si burim frymëzimi për Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (Gjykata e Strasburgut) gjatë shqyrtimit të përputhshmërisë së dënimeve të gazetarëve për shpifje, me nenin 10 të Konventës që mbron të drejtën e lirisë së shprehjes. Ekziston një trend i fuqishëm drejt dekriminalizimit të plotë të shpifjes. Sipas Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias, 15 nga 57 shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së kanë si qëllim dhe synim shfuqizimin e ligjeve penale për shpifjen ndërsa në shtetet e tjera, gjykatat vendase tashmë i kanë konstatuar si antikushtetues ligjet penale për shpifjen.

Zhvillimet ligjore në Shqipëri – sa më shumë gjërat ndryshojnë, aq më shumë qëndrojmë në të njëjtin vend?

Është tepër interesante të theksohet se reformat e fundit të vitit 2012 në legjislacionin shqiptar për shpifjen në aspektin penal dhe civil, ishin produkt i shtatë vjet lobimi nga Instituti Shqiptar i Medias dhe Shoqërisë së Hapur për Nisma në Drejtësi. Pavarësisht se në parim këto ndryshime ishin pozitive, ndryshimet e ligjit penal në veçanti nuk mund të thuhet se ishin shembull modernizmi. Kështu, ligjvënësi shqiptar vendosi të mbajë në fuqi veprat penale të fyerjes dhe hoqi vetëm dënimin me burgim. Nga ana tjetër, u vu re që u rrit minimumi dhe maksimumi i dënimit me gjobë, ku maksimumi është 3 milionë lekë të reja, dhe dënimi regjistrohet në dëshminë e penalitetit të të dënuarit.

Edhe pse është shumë herët për të arritur në një konkluzion, që këto ndryshime dhe praktika gjyqësore janë apo jo në përputhje me nenin 10 të Konventës, nga vendimet e Gjykatës Europiane në dy raste, parashikohet se kjo do jetë tendenca.

Kështu në rastin e “Kasabova kundër Bullgarisë” kërkuesja ishte një gazetare e cila shkroi një artikull, ku pretendohej ndjekja e praktikave korruptive nga ana e ekspertëve për pranimin e fëmijëve në shkollat profesionale publike. Katër ekspertët e akuzuan gazetaren për shpifje. Gjykata penale vendase konstatoi se e akuzuara nuk kishte vepruar në përputhje me detyrat e saj si gazetare dhe e shpallën fajtore për shpifje ndaj katër ekspertëve. Ajo u dënua me gjobë, pagimin e shpenzimeve gjyqësore dhe të dëmeve të shkaktuara në një shumë totale prej 3,797 euro. Gjykata vuri në dukje se shuma e përgjithshme e dëmeve, gjobat dhe shpenzimet e tjera mbi gazetaren ishte e barabartë me gati shtatëdhjetë fishin e pagës minimale mujore në Bullgari dhe më shumë se tridhjetë e pesë fishin e pagës mujore të vetë gazetares. Në fakt, Gjykata ishte e gatshme të pranonte që edhe vetëm katër gjobat që duhet të paguheshin ndaj shtetit, në shumën 1.425 euro, ishin të tepruara. Për më tepër, Gjykata kritikoi edhe faktin që sipas ligjit bullgar, nëse gazetarja do dënohet për herë të dytë për shpifje, do të përballet me dënime më të rënda penale dhe se për këtë arsye dënimi i saj kishte një “efekt recidivist”.

Në rastin e “Dlugolecki kundër Polonisë” nuk ishte dëmshpërblimi i tepërt, pasi ishte vetëm 120 euro, por qe dënimi i gazetarit për fyerje, i cili do të regjistrohej në të dhënat e tij penale, që çoi Gjykatën të evidentonte një shkelje të nenit 10. Ky lloj dënimi përbënte një lloj censure, e cila ka të ngjarë që të ketë një efekt frikësues jo vetëm për gazetarin e dënuar, por edhe për kolegët e tjerë. Është interesante të theksohet se në të njëjtën çështje, Gjykata Europiane i akordoi gazetarit 3.000 euro shpërblim për dëmin moral për shkak të shqetësimit dhe frustrimit që ai kishte përjetuar. Në një rast të mëparshëm, gazetarit iu akordua 5000 euro shpërblim për dëmin moral vetëm për arsye se dënimi i tij penal me gjobë ishte regjistruar në dëshminë e penalitetit.

E thënë thjesht, rastet e mësipërme sugjerojnë se, edhe në qoftë se një gazetar shqiptar i paguar me pagë modeste, ndonëse mund të dënohet me një gjobë simbolike (që gjë as kjo nuk po ndodh sepse dënimet në Shqipëri kanë qenë të larta), vetë fakti i regjistrimit të dënimit në dëshminë e penalitetit, do të jetë i mjaftueshëm për të shkelur nenin 10 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Për këtë arsye ligjvënësi duhet shumë shpejt t’i rikthehet përsëri ndryshimeve legjislative, në mënyrë që këtë herë të dekriminalizojë shpifjen. Ndoshta mund të na ngushëllojë fakti që edhe homologët italianë duket se kanë bërë gabime të njëjta. Kështu në një artikull të përbashkët të botuar në “Corriere della Sera”, më 8 qershor 2014, Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Raportuesi Special i Kombeve të Bashkuara për Promovimin dhe Mbrojtjen e të Drejtës për Lirinë e Mendimit dhe të Shprehjes dhe Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, duke përshëndetur heqjen e dënimeve me burgim për shpifje, kritikuan gjithashtu projektligjin italian për shpifjen, për shkak të rritjes së gjobave monetare të dënimit. Duke e konsideruar këtë një mundësi të madhe për Italinë për të riparuar ndjeshëm kuadrin e vet anakronik ligjor për shpifje, ata i bën thirrje Senatit italian për të ndryshuar projektligjin dhe të dekriminalizojnë plotësisht shpifjen.

Mesazhi i dhënë ligjvënësit Italian, i cili kishte gabuar njëlloj si ligjvënësi shqiptar, ishte edhe për ata pak shtete që mund të kenë mbetur ende me ligje dhe mendësi anakronike. Nëse ligjvënësi shqiptar sot nuk ka problem me mendësinë, atëherë nuk i mbetet shumë punë për të korrigjuar ligjet, dhe për t’i dhënë më shumë liri shprehjes.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top