Deklaratë për Media – OKB merr në mbrojtje familjet rome të Elbasanit

united-nations-logoNë muajin Korrik 2014, në qytetin e Elbasanit u zhvillua një ngjarje, e cila rrezikoi që të kthehej në një ndodhi të dhimbshme për disa familje rome pranë stadiumit të qytetit. Inspektoriati Urbanistik Ndërtimor Vendor u kërkoi që brenda pesë ditëve të lironin banesat për shkak të nisjes së punimeve për rikonstruksionin e stadiumit dhe zgjerimit të rrugës Qemal Stafa. Procesi i legalizimit, nisur prej vitesh nga këto familje, nuk u konsiderua i vlefshëm nga ana e Inspektoriatit, i cili vendosi afatin më të shkurtër ligjor për largimin e tyre.

Reagimi i organizatave të shoqërisë civile, aktivistëve të komunitetit dhe i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë Soros ka qenë i menjëhershëm. Qendra Res Publica, përfaqësuese ligjore e familjeve, në datat 4 dhe 21 korrik depozitoi pranë Komitetit të të Drejtave të Njeriut në Organizatën e Kombeve të Bashkuara kërkesën për pezullim nga ana e qeverisë shqiptare të vendimit të dëbimit. Komiteti pranoi kërkesat dhe i komunikoi qeverisë shqiptare masën e ndërmjetme mbrojtëse, për pezullimin e dëbimit të çdo familje nga banesat e tyre.

Këto vendime të marra nga Komiteti konsiderohen një arritje e jashtëzakonshme, pasi vendosen vetëm në rastet kur dëmi i shkaktuar ankuesve është i pariparueshëm dhe në mungesë të mjeteve të brendshme efektive të ankimit. Vetëm tre janë vendimet e marra në rang ndërkombëtar, për raste dëbimesh të komunitetit Rom përkatësisht në Bullgari, Greqi dhe Shqipëri. Dorian Matlija, drejtor ekzekutiv i Res Publica, thekson se çështja e strehimit nuk i përket vetëm komunitetit rom. Vendimet e mësipërme të Komitetit u shfrytëzuan nga aktivistët lokale për asistimin e familjeve të tjera jo rome, të cilat ishin nën kërcënimin e dëbimit nga banesat e tyre.

Organizma të ndryshëm ndërkombëtare kanë kritikuar Shqipërinë për mungesën e një legjislacioni të përshtatshëm që të garantojë të drejtën e strehimit dhe të mbrojtjes nga dëbimet me force për grupet në nevojë, në mënyrë të veçantë për komunitetin rom dhe atë egjiptian. Mungesa e parashikimeve ligjore që mundëson zgjidhje alternative për strehimin dhe kompensimin e tyre është arsyeja e këtij qëndrimi.

Situata e strehimit të familjeve rome dhe në përgjithësi e familjeve në nevojë, të cenuara nga mungesa e procedurave të brendshme ligjore është ngritur me shqetësim nga Komiteti për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore të Kombeve të Bashkuara në raportin drejtuar Shqipërisë.

Autoritetet shtetërore nuk treguan sërish vullnet për të rregulluar këtë situatë problematike që zgjat prej vitesh dhe në ndryshimet e fundit që iu bënë ligjit “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”.

Andi Dobrushi, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Soros thekson se ngjarja vlen si histori suksesi e bashkëpunimit ndërmjet familjeve, aktivistëve dhe organizatave të të drejtave të njeriut, të cilat bënë të munduar reagimin në një kohë rekord të institucioneve ndërkombëtare duke mundësuar mbrojtjen e familjeve të prekura. Fondacioni vlerëson vullnetin e institucioneve shtetërore për të dëgjuar dhe bashkëpunuar me shoqërinë civile dhe u bën thirrje atyre të ndërmarrin masa për zgjidhen përfundimtare të rasteve të tilla.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top