Një President, jo një hero

Home

Zgjedhja e Presidentit në muajt e ardhshëm vijon të jetë tema më e artikuluar ndër media, politikanë, analistë, e të tjerë të llojit apo jashtë llojit. Si do të zgjidhet, kush do të jetë kandidati, kush është mirë të jetë kandidati. Në fakt një minimum rregullash procedurale e kriteresh kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës i disponojmë akoma. Me gjithë amendamentet serioze që pësoi formula e zgjedhjes së tij (dhe jo vetëm) në 2008, ajo ende parashikon tre raunde votimesh me tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, me votim të fshehtë e pa debat, për të pasur një Kryetar të Shtetit, një përfaqësues të unitetit të popullit, një pushtet të pavarur në garanci të të tjera institucioneve të pavarura, e kryesisht të një gjyqësori të pavarur. Formula vazhdon të kërkojë një konsensus të gjerë në gjirin e përfaqësuesve të drejtëpërdrejtë të popullit. Formula kushtetuese vazhdon të mos flasë për pozitë e opozitë, por për shumicë të tillë votash që të garantojnë një konsensus sa më të gjerë e përfaqësues, për të mos thënë gjithëpërfaqësues. Edhe pse Presidentit të sapoemëruar, dhe përgjatë gjithë jetës së tij institucionale, do t’i duhet të jetë gjithëpërfaqësues, për të funksionuar përtej votave të munguara në procesin e zgjedhjes.

Presidenti, si çdo pushtet e institucion tjetër kushtetues, vijon të jetë i konceptuar në dritën e një sërë parimesh themelore kushtetuese, si parlamentarizmi (neni 1/1 Kusht.), zgjedhjet e lira (neni 1/3 Kusht.), dinjiteti i njeriut dhe të drejtat e liritë e tij (neni 3 Kusht.), rendi kushtetues (neni 3 Kusht.), pluralizmi (neni 3 Kusht.), shteti i së drejtës (neni 4/1 Kusht.), ndarja dhe balancimi i pushteteve (neni 7 Kusht.), e të tjera parime, me në epiqendër të sistemit njeriun me të drejtat dhe liritë e tij.

Situata pra është disi më e komplikuar se sa një procedurë kushtetuese, kritere që duhet të përmbushë, apo protagonistë shpesh të vetëshpallur të përzgjedhjes. Këta të fundit, teksa deklarohen për ekskluzivitetin (kandidati i PD-së, thotë Berisha), ose jo (kandidati me konsensusin e opozitës, thotë Rama) të zgjedhjes, deformojnë sakaq parimet e sipërpërmendura, në kuptimin e përjashtimit të të tjera forcave politike nga procesi (që përndryshe do të kërkonte parimi i pluralizmit, e jo bipartitizmi i improvizuar); të ndarjes së supozuar të pushteteve (të qenit i pavarur dhe mbi palët politike); apo të të qenit përfaqësuesi i unitetit të popullit. Të paktën në letra. Të paktën në logjikën kushtetuese parlamentare. Të paktën në logjikën e shtetit ligjor.

Aspektativa për Presidentin, duket se është nga më të lartat. Kushtetuta kërkon një Kryetar Shteti në një republikë parlamentare. Pozita kërkon njeriun e saj, opozita garantuesin e saj, njerëzit presin një President. Të gjithë janë në pritje.

Ndërkohë që eksperienca e deritanishme shqiptare post-kushtetuese, numëron presidentë që ia kanë dalë të jenë në lartësinë e rolit të besuar, duke përftuar herët a vonë një staturë institucionale të pavarur e mbi palët. Po aq sa numëron ekzekutivë tentakulorë, legjislativë gjithnjë e më larg stadardeve të shtetit të së drejtës, gjyqësorë e prokurori vështirësisht të kualifikueshëm si të pavarur e efektivë, apo shtetas të vetëdijshëm për të drejtat e tyre, aq sa t’i pretendojnë e manifestojnë të sigurtë se nuk po luajnë me jetën e tyre.

Jemi në pritje të Presidentit, por vështirë se do të na vijë një hero. Në më të mirën e pritshmërive do të kemi një tjetër shembull presidence, ndoshta të denjë, por me siguri ende të vetmuar, në një sistem ende të papërftuar demokratik.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top