Katër vjet të humbura

Para 4 vjetësh shpërfillja e rregullave dhe e mendimit të specialistëve për ndërtimin e fabrikës së demontimit në Gërdec u shpagua në formën më të keqe, me humbjen e 26 viktimave dhe plagosjen e 300 të tjerëve. Para 3 vjetësh Prokurorisë iu mbyll rruga e vënies përpara përgjegjësisë penale të ish Ministrit të Mbrojtjes me pretekstin se ky paskërkësh imunitet parlamentar dhe nuk është më i barabartë para ligjit si të tjerët.

Por, para 2 vjetësh, dy ish qytetarë të barabartë u munduan të vendosnin shenjën e barazisë mes tyre dhe ish Ministrit të Mbrotjes, jo për konvencion matematikor, por për parim juridik, kur gishti i akuzës drejtohej si një busull e pavullnetshme drejt të gjithëve atyre që dyshohen se kurdisën Gërdecin. Kështu, të akuzuarit për humbjen e jetës së 26 viktimave, Pinari, Ngjeci, Delijorgji dhe Minxolli, u prezantuan si të pandehur që me anë të veprimeve të tyre (administrative) krijuan premisat që flakët e Gërdecit të ishin prelud i një masakre. Por veprimet administrative nuk filluan e mbaruan tek këta katër persona. Dyshime të arsyeshme binin edhe mbi kreun e Ministrisë së Mbrojtjes. Ishte boja e stilolapsit të tij që passolli zinxhirin e veprimeve të të pandehurve të tjerë. Ja pse dy të plagosurit, ish qytetarë të barabartë me Ministrin, ngritën edhe ndaj tij një padi modeste penale, të dehur nga një siguri juridike legjitime.

Para 2 vjetësh ata prisnin nga Gjykata e Lartë që të procedonte me vendosjen e shenjës së barazisë, pra me heqjen e imunitetit parlamentar dhe më pas me gjykimin e tij. Por pikërisht në këtë moment, atëherë kur mendohej se sundimi i ligjit i linte shumë pak zgjedhje Gjykatës së Lartë, kjo e fundit realizoi një nga numrat akrobatiko-juridikë më spektakolarë, duke sfiduar të gjithë rregullat e lojës. Gjykata vendosi të mos fillojë fare procedimin penal ndaj ish-Ministrit të Mbrojtjes, duke ruajtur pozitat e tij prej qytetari jo të barabartë me të tjerët para ligjit. Akrobacia juridike konsistonte në marrjen e disa kompetencave që Gjykata e Lartë nuk i kishte dhe nuk duhej ti kishte.

Sipas ligjit dhe sipas të dëmtuarve të shpërthimit të Gërdecit, ai që ngre akuzën ka të drejtën ta fillojë ose jo procedimin penal. Gjykata ka vetëm të drejtën të gjykojë. Vetëm kaq. Dalja nga këto shina e Gjykatës së Lartë shënoi një proces absurd dhe në kundërshtim me Kushtetutën.

Para 1 viti e gjysmë, të dëmtuarit iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese që ta zhbënte këtë paudhësi të Gjykatës së Lartë dhe argumentet ishin të panumërt. Gjykata Kushtetuese, ndonëse mori kohë më shumë se në raste të tjerë, sërish arriti të prodhojë më në fund një vendim pozitiv. Ajo vendosi të shfuqizojë vendimin e mosfillimisht të ndjekjes penale nga ana e Gjykatës së Lartë, duke urdhëruar këtë të fundit që të vijojë gjykimin, tashmë pa akrobaci dhe me këmbë në tokë. Të dëmtuarit kishin të drejtë. Gjykata Kushtetuese e cilësoi shkelje të Kushtetutës mosfillimin e ndjekjes penale ndaj ish Ministrit të Mbrojtjes, cilësoi shkelje gjithashtu edhe faktin që u shmang nga gjykimi përfaqësuesi i prokurorisë.

So pas 4 vjetësh ish Ministri i Mbrojtjes pritet të gjykohet me një standard më serioz nga gjykata, falë vullnetit të një të mituri dhe një vajze të re të panjohur. Një gjykim i cili nuk do të kursejë as imunitetin e ministrit, duke i barazuar qytetarët me njëri tjetrin më shumë se më parë.

Sot, pas 4 vjetësh nga koha që duhet hetuar, i mituri R.D. që paditi Ministrin është rritur e është bërë burrë dhe vajza e re është bërë nënë. Nëse do të jetonim në një ambient të mbarë juridik, sot gjykimi do kish mbaruar. Por drejtësia e kërkuar prej tyre është ende duke hedhur hapat e parë në pikën zero. Të plagosurit humbën 4 vjet nga jeta e tyre duke u endur gjykatave, por të paktën dhanë sinjalin serioz që një shtet ligjor mund të ekzistojë vetëm kur i madh e i vogël vendosin të mos pajtohen me paudhësitë, të cilitdo niveli qofshin ato.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top