Prej disa muajsh në media janë shfaqur rregullisht disa avokatë të rinj të cilët shprehen se përfaqësojnë Res Publica. Për se bëhet fjalë?
Bëhet fjalë për një organizatë jofitimprurëse, e cila ka për qëllim të mundësojë akseksin në drejtësi nëpërmjet dhënies së ndihmës juridike pa pagesë, duke realizuar interesin publik dhe duke promovuar barazinë e të drejtave për të gjithë.
Si lindi Res Publica?
Formalisht krijimi i Res Publica përkon me regjistrimin e saj si qendër në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Por natyrisht që përpara këtij momenti formal, qendrojnë përpjekjet më të hershme të grupit fillestar të punës, i cili u angazhua me çështje të një ndjeshmërie të veçantë sociale që prekin interesin publik.
Grupi fillestar u krijua si pasojë e angazhimit spontan të një grupi miqsh në një moment të vështirë për shoqërinë shqiptare, të njohur për opinionin publik. Bëhet fjalë për shpërthimin e Gërdecit në 15 mars 2008, ku si pasojë e shpërthimit tragjik, shumë njerëz mbetën viktima të menaxhimit të papërgjegjshëm nga ana e autoriteteve shtetërore, të procesit të demontimit të armëve në fabrikën famëkeqe.
Me kalimin e kohës, duke parë kompleksitetin që çështja mori në shumë nivele, kryesisht në atë ligjor dhe procedural, nisur nga situata e krijuar për familjarët e viktimave, të cilët nuk po arrinin të gjenin dot drejtësi, si dhe nga eksperiencat personale të çdo dite lidhur me mosfunksionimin e
hallkave të caktuara të drejtësisë shqiptare, grupi fillestar i punës pati idenë e organizimit të mirëfilltë për t’i dhënë një tjetër impuls çështjes dhe efektivitetit të zgjidhjes së saj.
Cilët janë njerëzit e Res Publica?
Bëhet fjalë për një grup juristësh të rinj, pjesëtarë të përhershëm të stafit të Res Publica, si dhe të tjerë juristë dhe specialistë të jashtëm të fushave që lidhen me objektin e veprimtarisë, si ekspertë në çështjet sociale, në çështjet e familjes, në çështjet e punës, etj.
Personalisht vij nga një formim juridik dhe eksperiencë si juriste dhe pedagoge në fushën e drejtësisë. Angazhimi me Res Publica nënkupton jo vetëm një kontribut personal në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por gjithashtu përfaqëson një mundësi shumë të mirë për t’u pasuruar me eksperiencë dhe rritje profesionale, duke pasur parasysh angazhimin që kërkon kjo punë, përgatitjen e vazhdueshme, larminë e çështjeve sociale, etj.
Andi Kananaj, një tjetër koleg dhe kontribues kryesor i Res Publica, vjen si njohës shumë i mirë i shoqërisë civile, me një eksperiencë disa vjeçare dhe të pasur në fushën e të drejtave, promovimit të shoqërisë civile, të përballjes me institucionet në raport me qytetarin, etj. E gjithë kjo e mbështetur edhe në formimin e tij në drejtësi dhe eskperiencën në fushën ligjore përgjatë punës disa vjeçare në shoqërinë civile. I angazhuar vazhdimisht në përcaktimin e strategjisë së mbrojtjes ligjore, Andi gjithashtu ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut shumë të rëndësishëm në koordinimin e grupi të punës dhe në marrëdhëniet me mediat.
Dorian Matlija vjen nga një eksperiencë gjithashtu e pasur në avokaturë, sidomos për sa i përket ligjit procedural dhe përballjes me gjykatat. Kjo eksperiencë është e pasuruar edhe nga angazhimet e tij të mëparshme si jurist në administratën shtetërore në pozicione drejtuese. Dori është vazhdimisht i angazhuar me kontaktet dhe marrëdhëniet me individët, kategoritë dhe grupet në nevojë, me institucionet, kryesisht ato gjyqësore, duke qenë gjithashtu një nga avokatët kryesorë të grupit të punës.
Cili është projekti më i rëndësishëm me të cilin po merreni tani?
Qendra është e angazhuar në një seri projektesh të rëndësishme, prej të cilëve sidoqoftë më i rëndësishmi mbetet projekti mbi Gërdecin, i cili motivoi edhe krijimin e qendrës. Çështja është nga më të rëndësishmet jo vetëm për kapitalin e dëmtuar njerëzor si pasojë e shpërthimit, por sidomos për implikimin e organeve shtetërore në këtë çështje, përgjegjësitë e thella të munguara nga ana e organeve shtetërore në ekspozimin tragjik të banorëve të zonës ndaj pasojave tragjike dhe shumë të rënda mbi shëndetin, integritetin njerëzor, cënimin e pronës, mbrojtjen e munguar të të miturve, etj. Por ajo që e bën akoma më të rëndë ngjarjen është fakti se sot e kësaj dite përgjegjësit kryesorë për këtë tragjedi nuk janë akoma përpara organeve të drejtësisë.
Sidoqoftë, Res Publica ka në axhendën e saj një sërë projektesh të tjera lidhur më çështjet e punësimit dhe të pushimit nga puna, si në rastin e punonjësve të Albpetrolit, apo të sigurisë së munguar në punë të minatorëve, çështja e ushtarakëve dhe e sigurimeve të tyre shoqërore, etj.
Siç mund të kuptohet, qëllimi ynë është adresimi i çështjeve në mënyrën e duhur përpara institucioneve të drejtësisë lidhur me grupe identitare apo kategori në nevojë të cilat nëse kanë sukses, mund të krijojnë precedentë pozitivë për të ardhmen.
Si do ta përshkruanit punën tuaj?
Puna që kryejmë është mëse angazhuese dhe si çdo angazhim serioz kërkon pasionin për punën dhe sidomos për njerëzit. Ajo ka të bëjë me njerëzit me të cilët ndahen eksperienca, me përgatitjen e vazhdueshme profesionale e cila sfidohet nga larmia e çështjeve që lindin, por edhe me dëshirën për të ndihmuar dhe realizuar diçka të mirë. Ka të bëjë edhe me kolegët dhe më mënyrën se si punohet në grup.
Përballja me çështjet probono është një sfidë e vazhdueshme në fushat ku drejtësia vepron ose duhet të veprojë, gjë që kërkon përkushtim por që të jep njëkohësisht edhe kënaqësi.
Ç’përshtypje keni për aktivitetin e deritanishëm dhe cila është perspektiva për të ardhmen?
Duke qenë në hapat e parë të eksperiencës tonë të punës së organizuar në grup si dhe duke pasur parasysh kompleksitetin e veprimtarive të deritanishme, mund të them se kemi ecur mjaft mirë dhe të koordinuar si në aspektin e brendshëm, pra me njëri tjetrin, dhe në atë të jashtëm, pra lidhur me grupet e interesit, me individët në nevojë, me institucione e partnerë që merren më çështje të ngjashme dhe që na japin mundësinë që të përfitojmë nga eksperienca të tjera të suksesshme.
Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se ndihma për njerëzit, realizimi i ndryshimit të mentalitetit mbi ligjin dhe besimin tek ai janë shpërblyese dhe frymëzuese gjithashtu, sepse ligji, me përgatitjen, përkushtimin dhe ndjeshmërinë e duhur, funksionon. Duhet të funksionojë.