Një trilogji e vogël impotence

1.       21 janar pa viktima

Kjo e enjte solli në vëmendje mediatike 21 janarin e vrasjeve të bulevardit. Më në fund dosja e qepur kundër gardistëve ra në duart e togave të zeza. Prej kohësh dosja kishte arritur t’i mbahej sekret me sukses edhe familjarëve të viktimave, të cilët kishin besuar se do u jepej informacion. Prokuroria nuk denjoi t’i njoftonte ata as për dorëzimin e dosjes në gjykatë dhe për datën e orën e caktuar. Fundja ata që kërkonin informacion ishin të pafuqishëm. Kishin në dorë vetëm një ligj i cili për nga zbatueshmëria konkurron me atë të ndalimit të tymosjes në ambjente publike. Ja, le të themi që kishin në dorë edhe ca nene të Kodit të Procedurës Penale. Por përsëri nuk morën vesh asgjë. Duke mos e pasur idenë, ata nuk patën dot as mundësinë të vinin e të paraqisnin me dinjitet padinë civile në procesin penal. Madje avokatëve të tyre iu sul gjysma e efektivit policor të gjykatës për t’i nxjerrë përjashta me pretendimin se nuk kishte karrige në sallë… Shkurt, pak prokuroria dhe pak policia, kontribuan që 21 janari të krasitej nga viktimat. Kështu gjykata do të ketë mundësi të zhvillojë një proces gjyqësor të rehatshëm e pa viktimat dhe avokatët e bezdisshëm që përmendin nene prej muzeu.

 

2.       21 janar me finokë

Nenet prej muzeu duken vërtet si të pluhurosur nga mospërdorimi, por kësaj rradhe arritën të sjellin dhe Prokurorinë para Gjykatës, tashmë si një palë e paditur. Që prej marsit të vitit të kaluar e deri të enjten e fundit familjarët e viktimave të 21 janarit nuk kanë reshtur me kërkesat e tyre për t’u informuar. Në fillim dosja ishte tërësisht sekret. Por më vonë pasi iu komunikua akuza të pandehurit të parë A. Llupo, dosja nuk mund të ishte e tëra sekret, por vetëm pjesë të vecanta të saj. Të paktën kështu thotë një prej atyre neneve të pluhurosur. Megjithatë Prokuroria gjeti një zgjidhje më gjeniale, atë të mosardhjes fare në gjyq. Për afro 10 seanca, Prokuroria nuk erdhi as të shihte fytyrat e familjarëve të viktimave të 21 janarit. Strategjia ishte precize: Të shtyhej ky minigjyq deri sa të mbaronin hetimet dhe të dorëzohej dosja në gjykatë dhe pastaj të thonin që nuk e përmbushnin dot më kërkesën. Taktikë prej finoku. Të zgjuar por edhe impotentë për t’i dalë zot detyrimeve ligjore.

 

3.       21 janar me borxhlinj

Organet e procedimit nuk janë gjithmonë kaq të ngathët. Ka raste kur të shkulin dhëmbët. Këtë kalibër prej dentisti tregoi edhe Gjykata civile këtë javë kundër një prej familjarëve të viktimave të 21 janarit, Zabit Deda, vëllai i të ndjerit Hekuran Deda. Ky u padit nga shtetasi F.S. për shpifje, duke i kërkuar 5 milionë lekë dëmshpërblim për një deklaratë se ai burri tjetër me iniciale F.S. kishte tentuar të bënte një marrëveshje që në familjen e të ndjerit Hekuran Deda të pritej Kryeministri për vizitë dhe kjo të bëhej në shkëmbim të ca parave. Gjykata e nisi dhe e bitisi menjëherë këtë proces dhe konkludoi se Zabit Deda ka shpifur. Tashmë një prej familjarëve të viktimave të 21 janarit është edhe borxhli tek një prej gardistëve. Drejtësisë i funksionuan levat. Por përsëri edhe këtu ka dicka që nuk shkon. Borxhliu më i ri në qytet doli përmes një procesi ku nuk u zhvillua një hetim i plotë. Në dosje nuk rezulton të jetë marrë në analizë ndonjë element i rëndësishëm. Për shembull, do të mjaftonin ndoshta disa tabulate telefoni. Teknologjia e sotme mundëson përcaktimin e pozicionit të përafërt të cdo telefonuesi. Kjo lloj teknike do t’i jepte përgjigje pyetjes kurioze nëse shtetasi F.S. kishte kaluar apo jo në afërsi të shtëpisë së Zabit Dedës, etj. Mënyra ka plot, por dosja e gjykatës është bosh, duke shënuar një hetim gjyqësor impotent.

 

Përmbledhtazi dikush më tha: E c’pret, punë shteti po bëjnë…

 

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top