Deklaratë serioze për një situatë aspak të tillë!

Avokatët e familjarëve të viktimave të Gërdecit përgjigjen: Gjyqi me kërkesë të të plagosurve Alketa Hazizaj dhe Roxhens Durdaj filloi në 18 nëntorin e largët të vitit 2009. Më datë 1 mars të vitit të largët 2010 Gjykata e Lartë vendosi të mos fillojë çështjen kundër shtetasit Fatmir Mediu. Në datën 21 qershor të vitit më të afërt 2011, Gjykata Kushtetuese pas kërkesës së menjëhershme, vendosi të dëgjojë pretendimin e palës së dëmtuar për shkelje të së drejtës për proces të rregullt ligjor. Gjykata Kushtetuese më datë 9 maj 2012, vendosi të kthejë për rigjykim në Gjykatën e Lartë çështjen Alketa Hazizaj dhe Roxhens Durdaj kundër Fatmir Mediut.

Seanca e parë gjyqësore për çështjen Hazizaj dhe Durdaj kundër Mediut u caktua më datë 5 nëntor të vitit 2012. Kërkesa e vetme e bërë nga avokatët e viktimave ishte thirrja si dëshmitarë e personave në dijeni të fakteve, si dhe dhënia e një kopjeje të provave të mbledhura nga Prokuroria e Përgjithshme. Për dijeni të publikut, një kopje e provave të kërkuara Gjykatës së Lartë, ndodhet në dosjen që prodhoi vendimin nr. 6 të 14 shtatorit 2009, ku çështja kundër Fatmir Mediut, me kërkesë të avokatëve të tij, pushohej për shkak të cilësisë së tij si deputet në Kuvendin shqiptar.

Megjithatë, në cilësinë e të ashtuquajturve avokatë të familjarëve të viktimave të Gërdecit, duke mos disponuar veti kiromantike mbi përfundime të tilla surprizuese që në vitin 2009, besojmë se deklarata e ditës së sotme (24.11.2012) e zotit Madhi, në emër të Partisë Republikane, është shtyrë nga arsye politike. Sipas zotit Madhi:

Në mënyrë të pajustifikuar dhe kundërshtim edhe me interesat e familjarëve të të dëmtuarve nga ngjarja e Gërdecit, të ashtuquajturit përfaqësues ligjorë të tyre janë duke bërë çdo përpjekje procedurale që të çojë përtej datës 28 nëntor. nëse ky gjykim nuk përfundon brenda kësaj date, atëherë në bazë të Ligjin për Amnistinë, ky gjykim do të pushohet.

Zotit Madhi i kujtojmë se Partia Republikane është një parti politike me përfaqësues në Kuvend e Qeveri. Si dhe se deputeti Fatmir Mediu ka votuar në favor të amnistisë pa sugjeruar ndryshime që do të lejonin çuarjen e gjykimit deri në fund. Kjo është hera e dytë që Fatmir Mediu vepron ndryshe nga sa deklaron publikisht. Nëse gjyqi i filluar në 18 nëntor të 2009, do të kishte patur iter normal, gjasat janë që me gjithë përpjekjet tona për ta shpëtuar z. Mediu me anë të amnistisë do të dështonin. Nëse do të kërkonim të përfitonim politikisht, këtë do ta kishim bërë që në 1 mars të vitit 2010, por zgjodhëm rrugën e Gjykatës Kushtetuese e cila në 9 maj të vitit 2011, me vendim tregoi se strategjia jonë juridike të ishte ajo e duhura.

Tentativa për të deligjitimuar kërkesat e avokatëve të familjarëve të viktimave për marrjen e provave, i konsiderojmë të tejkaluara, sepse Gjykata e Lartë ka marrë vendim në meritë të kësaj situate. Zoti Fatmir Mediu të qëndrojë i qetë se drejtësia do ta thotë fjalën e saj në fund. Është naive që Partia Republikane të tentojë të na kompleksojë me deklarata të kësaj natyre, duke na akuzuar për politikë nga një podium politiko-partiak. Nga këto deklarata perceptohet vetëm mosbesimi ndaj organeve të gjyqësorit dhe ndaj sistemit në tërësi.

E mbyllim këtë deklaratë duke ju uruar fushatë të mbarë elektorale, megjithëse ky aspekt i jetës tuaj partiake nuk përbën interes per ne dhe objektivat tanë.mediu 1mediu2

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top