Reagimi i familjarëve të Gërdecit për vendimin e Gjykatës së Apelit.

Home

Familjarët e viktimave të shpërthimit të Gërdecit deklarojnë se e kanë jetuar me indinjatë të thellë të gjithë atmosferën që pararendi vendimin e Gjykatës së Apelit dhe me dhimbje e mosbesim dispozitivin që përcaktoi dënimet e zbutura për fajtorët e tragjedisë që simbolizon momentin më korruptiv të shtetit.

Gjykata e Apelit sot ishte e rrethuar me mbi 100 efektivë të policisë të cilët patën vullnetin dhe kujdesin të na kontrollonin imtësisht përpara se të futeshim në sallën e gjyqit. Kontrolli ishte i rreptë dhe serioz por ndaj personave të gabuar, viktimat e vërteta të kësaj ngjarje të kobshme. Viktimat e vërteta pasi kaluan kontrollin serioz e një shteti që nuk egziston nuk mundën të dëgjonin vendimin e gjykatës në kushtet normale për shkak se ngelën jashtë dyerve të sallës ku u mor ky vendim.

Situata vazhdoi të ishte jonormale për gjatë gjithë kohës që kryetari i Gjykatës së Apelit dhe Kryesuesi i trupës gjykuese lexonte dispozitivin e vendimit. Më pas, pavarësisht si ishim prezent morrëm vesh nga mediat se fajtorët e këtij shpërthimi ishin shpërblyer me ulje të dënimeve deri në masën 30 % .

Pamundësia për të patur drejtësi na bën që ti drejtohemi opinionit publik duke e lajmëruar për rrezikun e vërtetë për ta, fëmijët e tyre dhe njerëzit më të dashur. Fakt është që korrupsioni shtetëror dhe privat na vrau në mes të ditës. Fakt është që drejtësia shqiptare krijoi çdo kusht që fajtorët të mos merrnin dënimin e merituar. Fakt është gjithashtu që ende opinioni publik ka dilemën nëse fajtorët megjithëse të dënuar në masë qesharake do ti drejtohen ose jo qelive të burgut. Është e dhimbshme që pas 5 vjetësh rropatjesh në dyert e drejtësisë kemi zbuluar vetëm se jeta vlen shumë pak për viktimat dhe është biznes shumë i mirë për të ashtëquajturin sistem të drejtësisë shqiptare.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top