INTERVISTA/ Zamira Durda: Shkova për të kërkuar dënimin e Mediut, më “dhunuan” gardistët

Zamira Durda, gruaja që në tragjedinë e Gërdecit ka humbur djalin e saj 6- vjeçar, Edisonin, është e vetmja që endet dyerve të gjykatave në kërkim të drejtësisë.

Kështu ka ndodhur dhe ditën e djeshme.

Në Gjykatën e Lartë, Zamira Durda ka marrë dosjen ku është vendosur për mospranimin e rekursit ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila praktikisht i dhuroi lirinë të dënuarve të kësaj tragjedie.

Me dosjen voluminoze në dorë, nëna e djalit të vrarë ka mbajtur frymën në Prokurorinë e Përgjithshme, aty ku Zamira kishte fijen e vetme të shpresës për drejtësisë.

E në vend që të takohej me kryeprokurorin, Zamira Durda është përzënë dhunshëm nga ambientet e këtij institucioni, jo vetëm pa marrë një përgjigje, por edhe e denigruar në sytë të kalimtarëve të shumtë.

Për TemA-n, Zamira Durda rrëfen ngjarjen si dhe vendimin, sipas të cilit tashmë i është vënë kapak drejtësisë mbi tragjedinë e Gërdecit.

Znj. Zamira, a mund të na thoni çfarë ka ndodhur me ju?

Në fakt, ajo që ka ndodhur është tejet poshtëruese për mua. Jo drejtësi që nuk po gjejmë, por tashmë ne, familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit, nuk na dëgjon më askush. Vetëm fjala na ka mbetur, por edhe për këtë është shumë e vështirë.

Por çfarë ka ndodhur?

Unë të martën mora vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lartë, e cila refuzonte kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshëm për të anuluar vendimin e Gjykatës së Apelit mbi të akuzuarit e tragjedisë së Gërdecit. Gjykata e Lartë nuk pranoi rekursin dhe unë shkova në Prokurorinë e Përgjithshme për të takuar z.Llalla,  për të ditur çdo të bëhet tashmë me ne, me familjarët e kësaj  tragjedie, që ende jemi në kërkim të drejtësisë.

Më thanë që të prisja se z. Llalla është tejet i zënë. Prita aty tek kangjellat e prokurorisë deri në orën 11:00. Pyes prapë e më thonë se kryeprokurori po takon ambasadorin Amerikan. Sërish po prisja deri sa shkoi ora 12:00.

Në këtë kohë, roja më thotë se kryeprokurori do të dilte për një takim të rëndësishëm tek 15-katëshi. Meqenëse nuk po më priste njeri, mendova t’i dilja para makinës, së paku për të bërë një bisedë të shkurtër me të. Por në vend që të takoja kryeprokurorin, erdhën punonjësit e gardës, të cilët më shtynë dhunshëm në rrugën kryesore, pa mundur që t’i them z.Llalla që kisha katër orë që e prisja aty. Kjo sjellje ishte e paimagjinueshme për mua. Ishte një trajtim aspak i denjë për ne, që në fund të fundit kërkojmë vetëm drejtësi nëpër dyert e institucioneve të shtetit shqiptar.

Z. Zamira, po për çfarë donit ta takonit Prokurorin e Përgjithshëm?

Me këtë vendim të dhënë nga Gjykata e Lartë, juridikisht është e mbyllur dosja e tragjedisë së Gërdecit. I vetmi institucion që mund ta bëjë ankimimin për këtë çështje është Prokurori i Përgjithshëm. Ai mund ta çojë vendimin e Gjykatës së Lartë në  Gjykatën Kushtetuese. Për të ditur nëse Prokuroria e Përgjithshme do të ndërmarrë këtë hap, doja të takoja z.Llalla. Një çështje tjetër, që unë doja të dija ishte, nëse do të nisnin hetimet ndaj Fatmir Mediut. Tashmë për të hetuar ndaj këtij njeriu, që në kohën që ndodhi tragjedia ishte Ministër i Mbrojtjes, nuk ka më asnjë pengesë ligjore. Ai nuk ka imunitet. Por në vend që të merrja përgjigje, u denigrova në sy të qindra kalimtarëve, pasi përballë Prokurorisë së Përgjithshme ndodhet dhe ambulanca qendrore e Tiranës.

Z. Zamira, ju ende besoni tek drejtësia shqiptare për këtë dosje?

Me vendimet që janë dhënë dhe me mënyrën që ne trajtohemi, nuk kam më asnjë shpresë. Por unë nuk do të heq dorë kurrë pa dënuar autorët e vrasjes së tim biri.

Burimi: Gazeta Tema

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top