Gjykata e Lartë vendos si Berisha për Gërdecin, e quan aksident teknologjik…

Gjykata e Lartë ka zbardhur vendimin për mospranimin e rekursit të dosjes së Gërdecit.

Pak ditë më parë, trupi gjykues i përbërë nga Tom Ndreca, Admir Thanza, Shkëlzen Selimi, Medi Bici dhe Ardian Nuni, vendosën mospranimin e rekursit, të paraqitur nga të gjitha palët në gjykim për dosjen “Gërdeci”.

Ndërsa pak ditë më parë u publikua fakti se Gjykata e Lartë nuk e pranonte rekursin, sot zbardhen motivet se përse trupi gjykues vendosi t’i japë fund, ligjërisht, dosjes së Gërdecit, ku u vranë 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.

Ajo që bie në sy është fakti se anëtarët e trupit gjykues  mendojnë si ish-kryeministri Sali Berisha për këtë tragjedi.

Gjyqtarët Tom Ndreca, Admir Thanza, Shkëlzen Selimi, Medi Bici dhe Ardian Nuni vendosin që tragjedia e Gërdecit është një aksident teknologjik.

Së paku, kështu argumentohet në relacionin mbi 100 faqe të anëtarëve të trupit gjykues.

Sipas relacionit të bërë publik, Gjykata e Lartë mendon se në rastin e shpërthimit të fabrikës së Gërdecit nuk kemi të bëjmë me vrasje me dashje, sepse askush nga të pandehurit nuk ka synuar këtë pasojë, vdekjen e 26 personave dhe rrafshimin e disa fshatrave.

Sipas trupit gjykues, tragjedia është shkaktuar nga moszbatimi i rregullave të sigurisë teknike në punë dhe fajtorë për këtë ngjarje, ku u vranë 26 persona, janë punëdhënësit.

Një vendim ky kontradiktor, pasi gjatë shpërthimit të fabrikës së Gërdecit nuk kanë gjetur vdekjen vetëm punonjësit e fabrikës, por edhe fëmijë që luanin në oborrin e shtëpisë si Erison Durda apo dhe 3- vjeçari Flavio Deliu.

Për këtë raste, Gjykata e Lartë as që denjon të shprehet.  Gjithashtu anëtarët e trupit gjykues kanë vendosur se gjykimi i shkurtuar për të pandehurit, fakt ky që është pranuar vetëm në Gjykatën e Apelit, është i drejtë, pasi për ta çdo i pandehur që pranon të “kursejë” ekonominë gjyqësore, ka të drejtë të përfitojë nga ulja e dënimit.

Por dhe ky arsyetim i trupit gjykues është non sens, pasi të fituarit në këtë proces dolën vetëm të pandehurit, që aktualisht janë të lirë, ndërsa familjarët e viktimave të Gërdecit ende janë në kërkim të drejtësisë, edhe pse ky proces ka vijuar  5 vjet në gjykatat shqiptare.

Por, përveç këtyre arsyetimeve, skandal është fakti që vendimi i Gjykatës së Lartë nuk ka kaluar përmes një debati gjyqësor mes palëve.

Në raste të ngjashme, kur analizohen faktet dhe kur bëhet thellim në interpretimin e ligjit, gjithmonë palët janë prezent në proces, duke garantuar një gjykim të drejtë të çështjes.  Kështu, me këtë vendim të zbardhur të Gjykatës së Lartë, i është vënë kapak dosjes së Gërdecit, ku ende ka familjarë që kërkojnë drejtësi dhe fajtorë që po shijojnë jetën dhe i janë rikthyer biznesit të tyre.

Me gjithë shkeljet ligjore, të cilat janë konstatuar në zbardhjen e vendimit të Gjykatës së Lartë, duket se Prokuroria e Përgjithshme nuk ka ndërmend ta çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Zyrtarisht Prokuroria e Përgjithshme thotë se do të analizojë vendimin, por fakt është se askush nuk beson më në dhënien e drejtësisë për këtë dosje.

 

Apeli liroi Delijorgjin dhe Pinarin

Gjykata e Apelit, në vendimin e dhënë në shkurt të këtij viti, praktikisht i dhuroi lirinë të akuzuarve kryesorë të tragjedisë së Gërdecit, Mihal Delijorgjit, Dritan Minxollit dhe Ylli Pinarit.

Në vendimin e dhënë, treshja gjykuese, e kryesuar nga Alaudin Malaj, Gent Shala dhe Shkëlqim Miri, ka dhënë vendim të formës së prerë, që parashikonte ulje të dënimit për ish-kreun e kompanisë MEICO, Ylli Pinari, ish-administratorin e kompanisë “Albademil” sh.p.k, Mihal Delijorgji, dhe ish-drejtorin e fabrikës së demontimit të armëve, Dritan Minxolli.

Të tre të akuzuarit kanë përfituar ulje të dënimit me 1/3,  pasi  Gjykata e Apelit ka vendosur të aplikojë përfundimisht gjykimin e shkurtuar.

Ndërkohë, Gjykata e Apelit ka shpallur fajtor gjeneralin Zija Bahja, i cili është ndër të paktët ushtarakë që është dënuar për ngjarjen tragjike të Gërdecit.

Konkretisht, gjenerali Bahja, nga i pafajshëm që ishte shpallur në Gjykatën e Shkallës së Parë, është dënuar me 8 vite burg, por nuk do të qëndrojë në qeli, pasi vendimi për të është pezulluar. Përsa u përket të pandehurve të tjerë, Agim Babameto, Rezart Tërshana dhe Besnik Dauti, të cilët kishin marrë pafajësi në Gjykatën e Shkallës së Parë, Apeli vendosi nga 1 vit burg për Babameton dhe Tërshanën dhe 3 vite burg për Dautin, por përkohësisht dënimi ndaj tyre është pezulluar.

Gjykata e Apelit ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për: Agim Lala, i pafajshëm, Ardian Mullai, i pafajshëm, Shkëlzen Madani, 3 vite burg, Dashnor Çaushi, 3 vite burg, Armand Tartari, 1 vit burg, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha me 6 vite burg.

Në fakt Luan Hoxha prej kohësh është larguar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prokuroria i kërkoi gjykatës që të deklarojë 28 persona fajtorë, mes të cilëve edhe shoqërinë “Albademil”.

Tragjedia e Gërdecit, më e rënda e ndodhur në Shqipëri gjatë viteve të fundit, u regjistrua më 15 mars 2008.

Nga shpërthimi i një fabrike demontimi vetëm pak kilometra larg kryeqytetit humbën jetën 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë, ndërkaq dëmet materiale kapën shifrën e miliona eurove.

Burimi: Gazeta Tema

 

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top