E paprecedent: OKB alarmohet dhe urdhëron pezullimin e veprimeve të SPAK ndaj gazetarit Elton Qyno 

Mbrëmjen e djeshme, Komiteti i të Drejtave të Njeriut në OKB ka kërkuar nga Shqipëria pezullimin e menjëhershëm të veprimeve të aksesit dhe përpunimit të materialeve të sekuestruara nga SPAK prej gazetarit Elton Qyno.

Avokatët e qendrës Res Publica, falë mbështetjes nga National Endowment for Democracy, e adresuan çështjen me urgjencë te Komiteti për të Drejtat e Njeriut në OKB, si gjykata ndërkombëtare më e madhe në rang global. Nisur nga rëndësia e rastit, dëmi i rëndë dhe i pariparueshëm që mund t‘i vinte jo vetëm gazetarit Elton Qyno, por edhe të gjithë gazetarëve në Shqipëri, duke i frikësuar ata, OKB reagoi shpejt dhe pozitivisht duke bërë të mundur që tashmë SPAK të ndalojë dorën dhe të mos nxjerrë e të përpunojë materialet e sekuestruara derisa çështja të shqyrtohet nga vetë OKB. 

Një kopje e këtij vendimi tashmë i është komunikuar shtetit shqiptar dhe avokatët e z. Qyno do ia vënë në dispozicion edhe Gjykatës së Lartë, e cila ka në shqyrtim rekursin e gazetarit.

Ky reagim i paprecedent i OKB-së në nivel ndërkombëtar, tregon nivelin e lartë të alarmit të ngritur për këtë shkelje kaq flagrante të të drejtave të gazetarëve, e theksuar edhe më herët në datën 10 janar 2024 në letrën e përbashket të shtatë organizatave ndërkombëtare që advokojnë për lirinë e medias, drejtuar kreut të SPAK, z. Altin Dumani (letrën mund ta lexoni këtu).

Kujtojmë se më herët, më 13 dhjetor 2023, SPAK ndërhyri në mënyrë brutale në ambientet e banimit, punës dhe automjetin e gazetarit Elton Qyno, si dhe në një bar kafe përballë godinës së SPAK, duke sekuestruar kompjuterat, telefonat, USB, disqe e dokumenta, përfshirë këtu edhe telefonin e djalit të mitur të gazetarit.

Kjo ndërhyrje u lejua përmes tre vendimeve të nënshkruara në pak minuta të gjyqtares Atalanta Zeqiraj, pranë GJKKO. Gjithashtu, gjyqtarja Zeqiraj legjitimoi edhe sekuestrimin e telefonave të gjetur në bar kafe, duke i cilësuar ato thjesht si sende dhe jo si pajisje që mbartin të dhëna dhe komunikime, duke shtuar dozën e absurdit në dëm të gazetarit.

Vendimet e gjyqtares Zeqiraj ishin tërësisht në shkelje të standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e burimeve dhe sekreteve profesionale të gazetarëve, si dhe në shkelje të një Vendimi njësues të Gjykatës së Lartë, që nisur nga rasti “Lapsi“ kishte urdhëruar gjykatat më të ulëta se si duhej të vepronin për të mbrojtur burimet e gazetarit në çdo rast në të ardhmen.

Gazetari Elton Qyno ishte duke investiguar për një çështje që përkonte me dosjet e SPAK dhe nisi të publikonte të dhëna mbi këtë. Rrjedhja e informacionit nga dosja është një krim i dënueshëm, por ai rëndon mbi personat që punojnë me dosjen hetimore dhe jo mbi gazetarin. Siç konfirmohet edhe nga vendimet e gjykatës, nën hetim nuk është gazetari Elton Qyno, por prokurorët e çështjes nga ka rrjedhur informacioni, si dhe oficerët e policisë gjyqësore që punojnë me dosjen.

Pa hetuar aspak për rolin e vetë prokurorëve, si të dyshuar për këtë krim, një prej prokurorëve, potencialisht i dyshuar edhe ai, u ngarkua për të hetuar veten dhe kolegët e tij, duke pasur edhe miratimin nga kreu i SPAK, z. Altin Dumani, i cili edhe ky është një nga të dyshuarit e mundshëm sepse ka qenë pjesë e grupit të prokurorëve që kanë punuar me dosjen nga rrodhi informacioni. Ky hetim, në konflikt të pastër interesi, ka bërë që gazetari Elton Qyno të bjerë viktimë e lojës së brendshme të prokurorëve. Atë e izoluan me orë të tëra, duke i bërë kontroll fizik, kontroll banese, kontroll në vendin e punës dhe duke i sekuestruar çdo mjet pune dhe komunikimi që dispononte. Për të shmangur ndonjë ndërhyrje të mundshme nga Gjykata e Strasburgut, siç ndodhi në rastin “Lapsi“, SPAK veproi me shpejtësi, duke mos i lënë aspak kohë për reagim gazetarit Elton Qyno, ndërkohë që e mbanin të izoluar.

Më pas, gazetari Elton Qyno, i mbrojtur nga avokatë të qendrës Res Publica, iu drejtua fillimisht Gjykatës së Posaçme të Apelit, por edhe në këtë rast gjyqtarja Daniela Shirka shpërfilli urdhëresat e Gjykatës së Lartë dhe standardet ndëkombëtare, duke mos folur fare për cënimin e burimeve të gazetarit dhe faktin që prokuroria nuk kishte hetuar së pari vetë prokurorët e çështjes.

Avokatët e qendrës “Res Publica” jo vetëm që kanë shpresë që Gjykata e Lartë nga njëra anë ose Komiteti për të Drejtat e Njeriut të OKB nga ana tjetër do t‘i japin një zgjidhje përfundimtare dhe pozitive rastit, por edhe paralajmërojnë një sërë masash që do të merren gjatë ditëve në vijim ndaj gjyqtareve që legjitimuam veprimet e paligjshme dhe alarmuese të SPAK, në shkelje të konventave ndërkombëtare, Kushtetutës dhe ligjeve të Shqipërisë.

Më poshtë do të gjeni komunikimin e OKB drejtuar qendrës “Res Publica”.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top