Ambienti i ri për paraplegjikët dhe tetraplegjikët: Bashkia Tiranë shpërfill vendimin e Gjykatës për ekzekutim të menjëhershëm dhe vazhdon me zvarritjet e radhës

Nëse na keni ndjekur, mund t’ju kujtohet çështja e ambienteve të Shoqatës Humanitare të Invalidëve Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë të Shqipërisë (SHIPT) dhe kalvarit të mundimshëm me Bashkinë e Tiranës (çështjen e plotë mund ta lexoni në këtë link). Shoqatës iu ofruan në dispozicion ish-repartet ushtarake në Surrel, sipas detyrimeve ligjore që organizatave të personave me aftësi të kufizuar u jepen ambiente falas nga shteti për të ofruar shërbime për komunitetin e këtyre personave. Mirëpo Bashkia e Tiranës lidhi një kontratë huapërdorjeje me shoqatën, duke dhënë vetëm truallin dhe jo godinat siç parashikonte VKM dhe vendimi i Këshillit Bashkiak. Kjo për arsye se godinat janë të rrënuara e të paaksesueshme nga personat që lëzivin me karrige me rrota, për të mos folur për faktin që për të vajtur deri atje duhet të kalosh një terren malor pa rrugë, ku nuk futen dot mjetet.

Në shkurt 2023, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë mori një vendim drastik për të detyruar Bashkinë Tiranë që të ndërtojë rrethimit e pronës, të lidhë rrjetet inxhinierike, krijimin e të gjithë kushteve të përshtatshme për aksesueshmërinë për komunitetin e personave që përdorin karrige me rrota, si dhe të ndërtojë rrugën që akseson këtë ambient nga rruga kryesore automobilistike. Vendimi i gjykatës u dha me ekzekutim të përkohshëm, që do të thotë që është i zbatueshëm direkt.

Por historia nuk përfundon këtu. Bashkia nuk e zbatoi urdhërin e gjykatës dhe vazhdon të anashkalojë detyrimet e saj ligjore ndaj SHIPT duke mos bërë asnjë veprim konkret, gjë për të cilën është kërkuar gjobitja e Bashkisë nga Zyra Përmbarimore. Ndërkohë, përgjigja e Bashkisë së Tiranës ndaj Përmbarimit (mund ta lexoni të plotë më poshtë) tregon qartë se Bashkia nuk e ka aspak në listen e prioriteteve përmbushjen e detyrimit ndaj SHIPT. Në këtë shkresë zyrtare, pasi janë listuar detyrimet ligjore të Bashkisë ndaj shoqatës sipas urdhërit të gjykatës, është paraqitur një tabelë me shumën e detyrimit, ku hapësira e këtij të fundit është lënë bosh. Shpenzimet e listuara në tabelë kanë të bëjnë vetëm me shpenzimet e gjyqit dhe asgjë më shumë! Ndërkohë, më poshtë shpjegohet se “Fondi për financim do të përballohet nga nga buxheti afatmesëm i miratuar, sipas aftësisë paguese të institucionit”.

Për të zbatuar në mënyrë korrekte vendimin e gjykatës, Bashkia duhej të kishte hartuar një preventiv dhe të kishte përcaktuar një afat kohor të shpejtë për rehabilitimin e ambienteve të SHIPT, si dhe të kishte nisur me procedurat e prokurimit për këto shpenzime. Edhe një herë, Bashkia e Tiranës kërkon t’u hedhë hi syve të organeve gjyqësore dhe publikut, duke përdorur truqet e përhershme për të zvarritur procesin.

Res Publica

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top