OSBE: Institucionet publike shqiptare duhet t’i krijojnë medias hapësirën e nevojshme që të funksionojë pa pengesa

Forumi për Zhvillimin e Medias është një platformë dialogu e organizuar nga OSBE që mbahet çdo vit, ku përfaqësues të shoqërisë civile, mediave, dhe të institucioneve shtetërore diskutojnë mbi problematika që lidhen me median. Këtë vit, në edicionin e tij të nëntë mbajtur në 18 shtator, forumi u përqendrua në çështje të lidhura me sigurinë e gazetarëve, legjislacionin që prek mediat dhe ndikimin e inteligjencës artificiale në aktivitetin e mediave në Shqipëri.

Ambasadori Bruce Berton, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, u bëri thirrje institucioneve publike shqiptare që të krijojnë kushtet që media në vendin tonë të funksionojë pa pengesa. “Është thelbësore që mediave t’u ofrohen mjetet dhe politikat institucionale për t’i ndihmuar ato që të lundrojnë në një mënyrë të përgjegjshme dhe etike në ekosistemin e informacionit që ndryshon me shpejtësi. Në përputhje me parimet e OSBE-së, të cilat qeveria është angazhuar që t’i zbatojë si një nga 57 shtetet tona pjesëmarrëse, institucionet publike shqiptare duhet t’i krijojnë medias hapësirën e nevojshme që të funksionojë pa pengesa. Për këtë arsye, i nxisim autoritetet që të kenë parasysh ruajtjen e ekuilibrit dhe të peshojnë me kujdes të drejtën për shpërndarjen e informacionit që është i rëndësishëm për publikun. Faktet duhen lënë gjithmonë të dalin në dritë, madje edhe ato që bëjnë thirrje për mbajtjen e përgjegjësisë apo që zbulojnë abuzime a korrupsion”, tha ai.

Gjithashtu, në forum iu kushtua vemendje dhe sfidave kryesore që lindin për shkak të përdorimit të zgjeruar të inteligjencës artificiale dhe ndikimin e saj në media në ditët e sotme. “Media e lirë dhe e pavarur është një shtyllë kyçe dhe thelbësore e demokracisë, prandaj një mjedis i shëndetëshëm i medias është thelbësor që të lulëzojë demokracia, të informohet publiku, por që edhe t’u kërkohet llogari atyre në pushtet”, tha Luixhi Soreka, ambasador i BE-së në Tiranë. 

Drejtori Ekzekutiv i qendrës “Res Publica”, Dorian Matlija, mbajti fjalim në një prej paneleve duke paraqitur një tablo të problematikave lidhur me sigurinë e gazetarëve kur ata janë të kërcënuar fizikisht apo ekonomikisht, ose u cënohet reputacioni.

Gjithashtu, u propozuan masa konkrete që mund të mbështeten nga aktorët ndërkombëtarë, si OSBE, Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, që kanë të bëjnë me adresimin e problemit të përqendrimit të pronësisë në media, ndryshimet e nevojshme në kodin e ri penal që po hartohet, mbështjetjen e vetërregullimit, mbështetjen dhe trajnimin e policisë për të hartuar protokolle në trajtimin e rasteve të gazetarëve, si dhe marrjen e masave për të përmirësuar mekanizmat për aksesin në informacion. Pas diskutimeve, pritet që konkluzionet e kësaj tryeze të merren në konsideratë nga autoritetet shtetërore nën vëzhgimin e OSBE-së.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top