Dita Ndërkombëtare e Demokracisë: Këshilli i Evropës mbledh përfaqësues të shoqërisë civile në një shkëmbim mendimesh

Në 15 shtator, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, Këshilli i Evropës organizoi një takim me përfaqësues të shoqërisë civile nga të gjithë vendet anëtare të Këshillit të Evropës. Nga Shqipëria ishin të pranishme dy organizata të tilla, ndër të cilat edhe qendra “Res Publica”. Gjatë takimit u diskutua dhe u morën pikëpamjet e përfaqësuesve lidhur me rritjen e përfshirjes dhe angazhimit të shoqërisë civile në çështjet e Këshillit të Evropës dhe mënyrave se si ky i fundit mund t’i mbështesë në këtë aspekt.

Gjatë takimit, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejčinović Burić, u shpreh se: “Shoqëria civile është parakusht për një demokraci funksionale…E vërteta është se sot shumë vende të Evropës kanë bërë hapa pas për sa i përket demokracisë. Liria e fjalës po kufizohet. Po kështu edhe liria e protestës, duke e kufizuar hapësirën e shoqërisë civile dhe të drejtën për të protestuar në mënyrë paqësore, përmes shfrytëzimit apo abuzimit të ligjit”.

Burić gjithashtu theksoi rëndësinë e rolit të Këshillit të Evropës në rritjen e angazhimit të organizatave të shoqërisë civile, institucioneve apo individëve të angazhuar me mbrojtjen e të drejtave të njeriut. “Rreziku ndaj demokracisë mund të luftohet nëse Shtetet Anëtare mbështesin shoqërinë civile dhe Këshilli i Evropës bashkëpunon ngushtë me të. Trajtimi i rrezikut ndaj demokracisë nënkupton mbrojtjen e vlerave të Këshillit të Evropës. Ky shkëmbim, data e të cilit përkon me Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, është një mundësi për të shprehur mendimet që frymëzohen nga këto çështje të ngritura”, përfundoi Sekretarja e Përgjithshme.

Qendra “Res Publica” ndër të tjera është e angazhuar me ndjekjen e rasteve para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strazburg, shpeshherë edhe si palë e tretë në çështje që nuk kanë të bëjnë me Shqipërinë, por që synojnë pasurimin e jurisprudencës së kësaj gjykate, me efekt edhe për Shqipërinë në çështje të ardhshme.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top