Bashkia shemb pallatin në mënyrë arbitrare. Banorët kërkojnë nga Gjykata dëmshpërblim për dëbimin nga streha e tyre, përveç dëmshpërblimit për pasurinë e shkatërruar.

Një nga banorët e pallatit në rrugën “Myslym Keta” hap padi kundër Bashkisë së Tiranës për shembjen e pallatit ku banonte si dhe për “dëbimin” e paligjshëm nga ana e bashkisë.

Pallati në fjalë ishte një ndërtesë me 9 hyrje, 90 familje, në rrugën “Myslym Keta”, godina nr. 4. Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi për prishjen e detyruar të ndërtesës, si rezultat i dëmtimit nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019. Ky vendim u bazua mbi analizën teknike nga Instituti i Ndërtimit dhe Bashkia Tiranë, të cilat pretenduan se shkalla e dëmtimit të pallatit ishte e lartë dhe me kosto të larta rindërtimi, pra hajde ta zhdukim.

Pasi u njohën me këtë vendim, në nëntor 2022 disa banorë të pallatit kërkuan hartimin e një plani ekspertimi pranë një studioje projektimi, nga i cili rezultoi se faktet në të cilat është bazuar vendimi i KB ishin qartazi të pavërteta. Sipas këtij vlerësimi, shkalla e dëmtimit të pallatit nuk ishte e lartë siç pretendohej.

Këtu vlen të sqarojmë shkurtimisht parashikimin e ligjit mbi trajtimin e shkallës së dëmtimit të ndërtesave nga tërmeti. Dëmet vlerësohen në grupe sipas shkallës së dëmtimit nga DS1 në DS5, ku DS1 është shkalla më e lehtë e dëmtimit dhe DS5 më e larta, kur objekti është në rrezik shembjeje. Shkalla e dëmtimit përcakton edhe se në cilin program të rindërtimit do të përfshihet objekti si dhe vlerën e kompensimit të pronarëve. Në rastin konkret, Këshilli Bashkiak pretendoi se niveli i dëmit është DS4, ndërsa nga ekspertiza private rezultoi se dëmi hyn në kategorinë DS2, pra një shkallë e ulët dëmtimi që kërkon një fond riparimi në shumën prej 18,000,000 lekë.

Ndërkohë, ligji parashikon se nëse pas studimit të thelluar ndërhyrjet për riparimin e strukturës kushtojnë më shumë se 70% e kostos së rindërtimit nga e para e ndërtesës, autoriteti përgjegjës vendos shembjen e detyruar të objektit. Pra edhe sikur vlerësimi ana e autoriteteve të ishte i saktë, pallati duhet të prishej vetëm me kushtin e sapopërmendur, gjë që duhet të provohej nga autoritetet.

Me një shkelje të qartë të ligjit të mësipërm dhe pa u konsultuar më parë me banorët, Bashkia vijoi me prishjen e pallatit. L.U. së bashku me familjen e tij ndodhej prej disa kohësh në Itali dhe nuk ishte në dijeni të këtij vendimi. Ai është njoftuar që të “ngrejë leckat” vetëm dy ditë përpara demolimit së pallatit me telefon nga një punonjës i Njësisë Bashkiake.

Pasi mori masat të kthehej në Shqipëri dy ditë pasi mori njoftimin, L.U. e gjeti pallatin ku banonte të rrethuar nga forca policore e me shkallët në shkatërrim e sipër. Forcat e policisë nuk e kanë lejuar të marrë as sendet personale në banesë.

Disa ditë më parë, banorët e pallatit ishin njoftuar përmes një shpalljeje nga ana e bashkisë se vendimi i KB do të ekzekutohej në dt. 19 dhjetor 2022. Kjo i bëri banorët t’i drejtohen gjykatës me një kërkesë për masë sigurim padie dhe masë sigurim prove me qëllim që t’i shmangeshin pasojave të pakthyeshme.

Gjykata vendosi t’i shqyrtojë kërkesat në dt. 19 dhjetor, ora 9:00. Po këtë ditë në orët e para të mëngjesit, rreth orës 4, fadromat e bashkisë kanë mbërritur për shembjen e pallatit duke e finalizuar këtë përpara shqyrtimit gjyqësor të orës 9:00. Gjykata e rrëzoi kërkesën e banorëve duke qenë se vendimi kishte filluar të ekzekutohej. Duke qenë në dijeni të kërkesës së banorëve, bashkia ka nxituar të prishë pallatin brenda një kohe rekord duke mbuluar dhe provat.

Përveç vlerësimit të gabuar mbi dëmtimin e pallatit, ekziston një standard në legjislacionin për strehimin mbi mënyrën se si kryhet zhvendosja e banorëve në raste të tilla. Ky standard, që përputhet me standardet ndërkombëtare, është rekomanduar edhe me kontributin e avokatëve të qendrës “Res Publica” në vitin 2017, ku për herë të parë në legjislacion u prezantua koncepti i ndalimit të dëbimit të banorëve dhe u vendosën rregulla strikte se si duhet të kryhet zhvendosja e tyre, në ato raste kur zhvendosja është e detyrueshme për të mbrojtur një interes publik.

Raste dëbimesh janë konstatuar më parë de facto në komunitetet rome. Ndërsa çështja në fjalë është rasti kur dëbimi po ndodh edhe de jure.

Qytetari L.U. vendosi t’i drejtohet gjykatës me përfaqësimin e avokatëve të qendrës “Res Publica” për të konstatuar paligjshmërinë e VKB për prishje të detyruar të ndërtesës, por edhe paligjshmërinë e procedurës së zhvendosjes së banorëve duke kërkuar edhe dëmshpërblimin përkatës. Pritet që të shohim në praktikë dhe përmes një precedenti gjyqësor konstatimin e mungesës së përgjegjshmërisë së organeve publike për të zbatuar standardet e miratuara me ligje te reja për dëbimin.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top