“Agjentja ruse” nga Britania e Madhe: Gjykata e cerfitikon si fushatë shpifëse

Shumë prej lexuesve mund të kenë hasur blogun “thebalkanista.com” apo artikujt e saj, ndërkohë që ajo drejton një emision në televizionin “Euronews Albania”. Bëhet fjalë për Alice Taylor, gazetare e blogere britanike e cila prej vitesh jeton në Shqipëri dhe nuk ka hezituar të promovojë vlerat e traditat shqiptare.

E megjithatë, as ajo nuk i shpëtoi fake news të gazetave e portaleve shqiptare, të cilët me raste kanë aftësi të kthehen në një makineri shpifjesh të denja për filma spiunazhi. Në shkurt të 2019-tës, paralelisht në disa portale u botua një shkrim me titull: “Zbulohen lidhjet/Gazetarja që nxin Shqipërinë në televizionin rus është gruaja e shoqëruesit të Bashës…”.

Shkrimi ishte krejtësisht i pavërtetë e me një fjalor denigrues, duke e shpallur gazetaren si të lidhur me qarqe okulte ruse dhe si bashkëpunëtore të ngushtë me Partinë Demokratike në përpjekjet e kësaj të fundit “për t’i nxirë faqen vendit ndërkombëtarisht”. Autori kishte arritur t’i lidhte fijet e këtyre “marrëdhënieve të thella” duke u nisur nga fakti se “Alice Taylor rezulton të jetë fejuar me një nga njerëzit e afërt të Lulzim Bashës, E.H. Siç duket nga fotot, ai shfaqet herë pas here krah Lulzim Bashës…”. Jo vetëm kaq, por “Taylor rezulton të jetë korrespondente nga Tirana për portalin rus “tzarism.com”… Portali “tzarism” është i mbushur me shkrime kundër identitetit të Shqiptarëve…”, dhe sigurisht pas anëtarëve të bordit të portalit qëndron Lulzim Basha me lobimin e tij anti-shqiptar të përkrahur nga Alice Taylor.

Më e keqja është se ky nuk ishte një shkrim i veçuar. Përveç Alpenews, të dretuar nga Alfred Peza, ishin edhe Gazeta “Tema” me autor Mero Bazen dhe “Shqiptarja.al”, portali “Lexo.al” dhe “Dosja.al”, të cilët publikuan me sinkronin e një histerie kolektive që dukej si një fushatë për të nxirë reputacionin dhe nxitur urrejtjen ndaj gazetares. Nëse qëllimi kryesor ishte demaskimi i lidhjeve ruse të Partisë Demokratike, kjo fushatë degjeneroi me një shtrembërim faktesh që cenonte imazhin dhe privatësinë e Alice Taylor, jeta e së cilës u përdor si lëndë e parë për të fabrikuar lajmin. 

Në mars të 2019-tës, Bordi i Etikës së Këshillit Shqiptar të Medias (organ vetërregullues i gazetarëve), arriti në konkluzionin se artikulli ka shkelur disa nene të Kodit të Etikës, si: “Saktësia dhe ndershmëria e informacionit”, “Dallimi i faktit nga opinioni”, “Ndërhyrja në jetën private”, si dhe “Nxitja e Krimit dhe Dhunës”. Rekomandimi ishte që portalet që kanë publikuar këto lajme të heqin lajmi nga qarkullimi. Alice i ishte drejtuar administruesve të portaleve për të hequr lajmin e pavërtetë, por Gazeta “Tema”, “Lexo.al”, Shqiptarja.al dhe “Alpenews” nuk reaguan me heqjen e shkrimit apo përgënjeshtrimin e tij.

Më tej, Alice iu drejtua gjykatës me tre padi kundër gazetës “Tema”, “Lexo.al” dhe padia e fundit kundër “Alpenews”, ku ajo u mbrojt nga avokatët e qendrës “Res Publica”, me mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer të National Endowment for Democracy, e cila promovon lirinë e shprehjes dhe gazetarinë etike. Në rastin konkret, portalet kaluan kufirin e lirisë së shprehjes dhe shkelën etikën, ndërkohë që viktimë e këtij sulmi u bë pikërisht një gazetare, e cila duhet të gëzojë mbrojtje të veçantë në një shoqëri demokratike. Çështjet u fituan njëra pas tjetrës dhe e fundit që gjykata pranoi ishte ajo ndaj Alpenews, të drejtuar nga Alfred Peza. Duke u pranuar edhe padia e tretë, kësisoj gjykata e certifikoi që e gjithë kjo veprimtari ishte një fushatë shpifëse kundër Alice Taylor dhe familjarëve të saj, duke marrë parasysh edhe shkrimet e tjera në këtë kontekst. 

Sipas Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me publikimin e fakteve të shtrembëruara, shoqëruar me shprehje denigruese, me nxitjen e urrejtjes dhe me ofrimin e tyre publikut të gjerë, janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të cilat janë të mbrojtura nga Konventa e Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjatë gjykimit u sollën prova se gazetarja nuk ka asnjë lidhje me televizione apo portale ruse, me shërbime apo qarqe sekrete me Rusinë, dhe se njerëz të afërt të saj nuk janë pranë Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike. Përkundrazi, artikujt e saj, jo vetëm që nuk nxijnë imazhin e Shqipërisë në botë, por “promovojnë dhe përmirësojnë imazhin e Shqipërisë”.

Gjykata mori parasysh dëmin psikologjik të shkaktuar nga shpërndarja masive që kanë lajme të tilla portalesh të fryra nga rrjetet sociale. Mos harrojmë që publikime që marrin të tillë përhapje është vështirë të kontrollohen dhe të zhduken krejtësisht nga interneti. Vendimet e gjykatës përfshijnë edhe detyrimin e të paditurve të fshijnë artikullin në fjalë, ndërsa në disa raste portalet e fshinë lajmin gjatë gjyqit.  

Res Publica

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top