Bashkia Tiranë nuk u dha paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve ambientin që u takonte. Gjykata merr masa drastike.

Tashmë është zbardhur një vendim i paprecedent i Gjykatës Administrative të Tiranës ku Shoqata Humanitare e Invalidëve Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë të Shqipërisë fitoi gjyqin ndaj Bashkisë së Tiranës.

Pasi ambientet e mëparshme të shoqatës u shembën dhe pas kërkesave e negocimeve të vazhdueshme me qeverinë, Ministria e Mbrojtjes ofroi në dispozicion të kësaj shoqate një nga ish-repartet ushtarake në Surrel. Sipas detyrimeve ligjore, që organizatave të personave me aftësi të kufizuar u jepen ambiente falas nga shteti për të ofruar shërbime për komunitetin e këtyre personave, me një VKM prona i kaloi Bashkisë së Tiranës në 2020 dhe në fund të të njëjtit vit Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi që ambienti t’i kalohej pa kundërshpërblim shoqatës, në formë huapërdorje për 10 vjet. 

Bashkia Tiranë, e ndodhur përpara kësaj situate detyruese, lidhi një kontratë huapërdorjeje me shoqatën, por duke dhënë vetëm truallin dhe jo godinat siç parashikonte VKM dhe vendimi i Këshillit Bashkiak.

Pse jo godinat? Sepse këto godina janë në një gjendje të mjerueshme, totalisht të rrënuara dhe e aksesueshme vetëm me ca shkallë betoni, si për të sfiduar pikërisht ata që lëvizin me karrige me rrota. Pa dyer e dritare, të mbushura me jashtëqitje kafshësh, këto godina janë shumë larg ambienteve të denja për këdo dhe tërësisht jashtë funksioni. Jo vetëm kaq, por për të arritur deri atje duhet të kalosh në një terren malor pa rrugë, ku nuk futen dot mjetet.

Gjatë kësaj kohe, Kryetari i shoqatës së paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve, Z. Ndrek Ismaili, ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të negociuar me zyra të ndryshme të bashkisë për një zgjidhje të mundshme, por kërkesat e tij kanë rënë në vesh të shurdhër. Në këtë link mund të ndiqni një kronikë të para një viti mbi këtë çështje.

Në vitin 2022, shoqata vendosi të gjejë drejtësinë në dyert e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, e cila, pavarësisht kërkesës së Bashkisë Tiranë për të rrëzuar këtë padi, në shkurt 2023 mori një vendim drastik për të detyruar Bashkinë Tiranë që të ndërtojë rrethimit e pronës, të lidhë rrjetet inxhinierike (furnizimin me energji elektrike dhe ujë të pijshëm, kanalizimet e shkarkimit të ujërave, etj.), krijimin e të gjithë kushteve të përshtatshme për aksesueshmërinë për komunitetin e personave që përdorin karrige me rrota, si dhe të ndërtojë rrugën që akseson këtë ambient nga rruga kryesore automobilistike. Dhe sigurisht, ta japë këtë pronë me huapërdorje, ashtu siç duhet, me gjithë godina dhe këto të fundit të jenë funksionale.

Ky vendim i shërben afro 1600 personave që janë pjesë e komunitetit të paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve në Tiranë, për të përfituar shërbime të rehabilitimit, etj.

Në mënyrë spektakolare, vendimi i gjykatës u dha me ekzekutim të përkohshëm, që do të thotë që është i zbatueshëm direkt, pavarësisht se Bashkia do të ankohej ose jo në gjykatën e apelit. Kjo është një vendimarrje që ndodh shumë rrallë, vetëm në rrethana ekstreme dhe e mirëargumentuar me urgjencën për të adresuar problemin.

Shoqata Humanitare e Invalidëve Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë të Shqipërisë u përfaqësua në këtë gjyq nga avokatë të qendrës Res Publica, të specializuar në litigime strategjike, e cila kreu punën me mbështetjen e një programi të mbështetur nga UNDP për aksesin në drejtësi të burrave e grave në nevojë. Res Publica tashmë është duke ndjekur ekzekutimin e këtij vendimi gjyqësor të paprecedent, duke i bërë thirrje Bashkisë Tiranë që ta zbatojë atë pa vonesa, për hir të një komuniteti shumë vulnerabël me mbi 1600 individë, qytetarë të Tiranës, të cilët Bashkia deri tani i ka shpërfillur. Bashkia është mirë të kuptojë që tashmë koha e negociatave mbaroi dhe është gjykata që ka folur duke urdhëruar marrjen e masave drastike.

Res Publica

Më poshtë mund të lexoni të plotë vendimin e gjykatës.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top