Edhe këtë vit Res Publica, me mbështetjen e pakursye të National Endowment for Democracy, ka monitoruar zhvillimet në këtë fushë duke vijuar me testimin aktivisht të efektivitetit të ligjit, me fokus të veçantë në kërkimin e informacionit me sensitivitet të lartë, aty ku perceptohet se ka më shumë dobësi, të cilat përbëjnë shteg për zyrtarët që nuk dëshirojnë të japin informacionin e kërkuar. Aktiviteti kryesor gjatë këtij viti ka qenë procesi i konsultimit të ndryshimeve në ligjin për të drejtën e informimit, proces i iniciuar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në fund të vitit 2021, i cili nuk ka përfunduar ende. Gjithashtu në këtë raport trajtohet edhe veprimtaria e Agjencisë për Media dhe Informim, e krijuar në vitin 2021, që synon të rregullojë marrëdhëniet publike të organeve të ekzekutivit, dhe ku një aspekt që trajtohet është edhe informimi i gazetarëve nga autoriteteve publike dhe konfuzioni që krijohet nga mpleksja e dy rregullimeve të ndryshme, sidomos për një gazetar të patrajnuar.
Raportin e plotë mund ta shkarkoni duke klikuar këtu.
Raporti prezanton rezultatet që kanë dalë nga përpunimi i të dhënave të marra nga platforma Publeaks.al për vitin 2022 dhe sjell shifra krahasuese me periudhat e mëparshme (vitet 2015-2021), për të shfaqur në mënyrë konkrete dhe vizive, përmes grafikëve, përmirësimin apo përkeqësimin e treguesve konkretë. Konkretisht, janë mbledhur dhe janë analizuar të dhënat si më poshtë:
a. Është monitoruar “transparenca proaktive” e 100 institucioneve publike më të rëndësishëm në vend, duke vlerësuar programet e transparencës, duke vlerësuar plotësimin, përshtatjen dhe përditësimin e tyre.
b. Është monitoruar ngritja e kapaciteteve të nevojshme për të bërë të mundur funksionimin e detyrimeve të institucioneve për të përmbushur të drejtën e publikut për t’u informuar, në lidhje me caktimin e koordinatorëve dhe publikimi e përditësimi i regjistrit të kërkesave dhe përgjigjeve.
c. Është testuar dhe vlerësuar reagimi i institucioneve, duke vlerësuar përmes kritereve të matshme sjelljen e tyre ndaj kërkesave për informacion. Janë dërguar 243 kërkesa për informacion dhe është monitoruar e gjithë procedura administrative përkatëse. Kërkesat kanë nisur kryesisht përmes aplikimit në faqen Publeaks.al. Nga këto kërkesa janë përzgjedhur 212 , të cilat kanë ndjekur ciklin e plotë, duke ruajtur një numër të përshtatshëm për efekt krahasimi me vitet e mëparshme. Disa nga treguesit kryesorë të matshëm që janë marrë në konsideratë janë: (1) Kohëzgjatja e kthimit të përgjigjes; (2) Plotësia dhe saktësia e përgjigjes; (3) Reagimi i institucioneve pas ankimit administrativ.
d. Është monitoruar veprimtaria e Komisionerit për të Drejtën e Informimit, si autoriteti i krijuar posaçërisht nga ligji për të garantuar funksionimin e tij.
e. Nga të dhënat e mbledhura nga aplikimet në Publeaks.al, janë parë me interes edhe aspekte që kanë të bëjnë me motivimin e qytetarëve për t’u informuar, të tilla si mosha e aplikantëve, arsimi, gjinia, kategoria, objekti i kërkesave, etj.
f. Raporti trajton edhe aspekte të veçanta, si konsultimi publik lidhur me projektligjin për disa ndryshime në ligjin nr 119/2014 “Për të drejtën e Informimit”; veprimtaria e Agjencisë për Media dhe Informim në drejtim të mbivendosjes së kësaj verimtarie me organe të tjera të administartës; Anonimizimi i vendimeve të gjykatave; si dhe një vlerësim i mbështetjes ligjore të ofruar nga Res Publica në çështje gjyqësore dhe evidentimi i problematikave të mbartura nga vitet e kaluara
të cilat mbeten ende të pazgjidhura.
Res Publica