Letër e hapur Kontrollit të Lartë të Shtetit për rindërtimin

Drejtuar:      Kontrollit të Lartë të Shtetit

Lënda:            Sinjalizim për shkelje ligjore në praktikën e prishjes së pallateve në Bashkinë Tiranë, të pretenduara nga Bashkia si të dëmtuara nga tërmeti, në kuadër të procesit të rindërtimit.

I nderuar Z. Kryetar,

Ne, kërkuesit, në cilësinë e një organizate të shoqërisë civile dhe komunitetit të prekur, në kuadër të Projektit “Për një proces rindërtimi më të përgjegjshëm”, mbështetur nga “Lëviz Albania” një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC, jemi njohur me praktikën e paligjshme të prishjes së pallateve në Njësinë Administrative nr. 6 Tiranë (zona e Kombinatit) dhe në disa zona të tjera të qytetit të Tiranës, nga ana e Bashkisë Tiranë, Për të cilat kjo e fundit pretendon të jenë prishur në shkallë të rëndë nga tërmeti.

Me qëllim kontributin tonë, dhe në frymën e Planit të Veprimit 2019-2023, në zbatim të Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit, në luftën kundër korupsionit, ju drejtohemi me këtë shkresë për t’Ju vënë në dijeni të një praktike të kundraligjshme me dëm jo vetëm kundër interesit dhe të drejtave të shtetasve, por edhe në dëm të fondeve publik siç shpjegohet më poshtë. 

Kjo praktikë, që nis me hartimin e Akt-Ekspertizave të Thelluara, me porositës Bashkinë Tiranë, duke vijuar me “certifikimin“ e këtyre akt ekspertizave, përmes oponencave teknike përkatëse të Institutit të Ndërtimit, e deri me miratimin e vendimeve të Këshillit Bashkiak Tiranë, i cili vendos prishjen e pallateve, rezultojnë në shkelje të ligjit dhe si të tilla, me pasoja për buxhetin e shtetit. Njëlloj e paligjshme rezulton të jetë edhe vetë ekzekutimi i Vendimeve të Këshillit Bashkiak Tiranë.

Janë rreth 67 vendime të Këshillit Bashkiak Tiranë, të cilat, në dijeninë tonë janë ekzekutuar në 28 raste deri në momentin e hartimit të kësaj kërkese.  

Pezullimi i ekzekutimit të vendimeve të mbetura dhe rishikimi i tyre nga ana e Bashkisë dhe  Këshillit Bashkiak Tiranë, do të sillte si pasojë ndërprerjen e (1) dëmit të mëtejshëm financiar dhe (2) cënimit të interesave të ligjshme të shtetasve.

Nga të gjitha proceset e nisura në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë, ka rezultuar se pallatet (objektet) e caktuar për prishje nuk plotësojnë kriteret ligjore për prishje sepse nuk kanë shkallë të lartë dëmtimi.

Në çdo rast të përfundimit të gjykimit, oponencat teknike të Institutit të Ndërtimit dhe vendimet e Këshillit Bashkiak Tiranë, janë shfuqizuar si akte të paligjshme. Kjo ka ndodhur për të paktën 6 pallate (objekte) për të cilat gjykata ka shfuqizuar vendimet e Këshillit Bashkiak Tiranë si më poshtë:

  • VKB nr. 105, dt. 28.09.2020;
  • VKB nr. 106, dt. 28.09.2020;
  • VKB nr. 107, dt. 28.09.2020;
  • VKB nr. 117, dt. 28.09.2020;
  • VKB nr. 121, dt. 28.09.2020;
  • VKB nr. 157, dt. 24.11.2021.

Njëlloj pritet që gjykata të vendosë për vendimet e prishjes së të paktën 3 pallateve të tjerë, që janë ende në shqyrtim, për të cilët është paraqitur akt-ekspertizë e ekspertëve të caktuar nga gjykata. Sipas këtyre akt-ekspertizave, pallatet nuk duhet të prishen pasi shkalla e dëmtimit është më e vogël (DS1-DS2). Konkretisht pritet të shfuqizohen nga gjykata:

  • VKB nr. 30, dt. 01.03.2021;
  • VKB nr. 34, dt. 01.03.2021;
  • VKB nr. 155, dt. 24.11.2021.

Në të njëjtin përfundim duket se do të rezultojnë edhe çështjet e nisura për 4 pallate të tjera në fazë shqyrtimi gjyqësor, të cilat, sipas akt-ekspertizave private të bëra nga ekspertë të licensuar, nuk janë të dëmtuar në shkallën DS4 – DS5 siç pretendohet nga Bashkia Tiranë. Konkretisht bëhet fjalë për praktikat e:

  • VKB nr. 151, dt. 24.11.2021;
  • VKB nr. 154, dt. 24.11.2021;
  • VKB nr. 118, dt. 28.09.2022;
  • VKB nr. 110, dt. 15.11.2022.

Nisur nga sa më sipër, argumentet për paligjshmërinë e konstatuar nga ana jonë, por edhe nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, Tiranë, po i rendisim si më poshtë:

  1. Bashkia Tiranë ka porositur akt-ekspertiza të panevojshme, me kosto për buxhetin e shtetit dhe me pasoja për qytetarët

Bashkia Tiranë, për të kryer të paktën rreth 90 Akt-Ekspertiza të Thelluara, ka kontraktuar disa studio projektimi, me kosto për buxhetin e shtetit prej afro 3 milion lekësh në secilin rast. Mbi të gjitha, nisma për kryerjen e këtyre akt-ekspertizave në të gjitha rastet e shqyrtuara nga ana jonë, është bërë pa u plotësuar kriteret ligjore për kryerjen e këtyre akt-ekspertizave, me pasojë shpenzimin e fondeve publike.

Sipas Aktit Normativ nr. 9/2019 “Për përballimin e pasojave të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, parashikohet se është Instituti i Ndërtimit ai që më së pari konstaton nëse pallatet (objektet) janë të dëmtuara në shkallë të lehtë apo të rëndë dhe vetëm në rast të dëmtimit në shkallë të rëndë, plotësohen kushtet për të vlerësuar më tej pallatet me një Akt-Ekspertizë të Thelluar nga ana e Bashkisë.

Vlen të sqarojmë se çfarë është shkalla e dëmtimit të një pallati e shprehur në nivele nga DS1 në DS5 dhe cili është trajtimi ligjor për secilën kategori dëmtimi.  

Nga përmbajtja e Aktit Normativ nr. 9/2019 “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, si VKM nr. 5, dt. 6.1.2020 “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për përfitimet nga programi i granteve të rindërtimit dhe projektet model”, VKM nr. 634, dt. 29.07.2020, “Për miratimin e marrëveshjes së grantit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane për bashkëpunimin në fushën e rehabilitimit të banesave pas fatkeqësisë”, rezulton se dëmtimet e shkaktuara nga tërmeti vlerësohen me grupe sipas shkallës së dëmtimit nga DS0 deri në DS5, ku DS0 nuk ka dëmtin dhe DS5 është shkalla më e rëndë.

Shkalla e dëmtimit përcakton edhe se në cilin program të rindërtimit do të përfshihet objekti dhe pronarët e tij dhe sa do të jetë shuma e përfitimit. Kështu nëse shkalla e dëmtimit është e lehtë deri në mesatare, (dëmtim që i korespondon grupimit nga DS1 në DS3 të përfundimit të ekspertizave) përfituesit do të marrin një fond lekësh të përcaktuar në varësi të dëmtimit. Konkretisht:

  • dëmtimet e shkallës DS1 – jo më shumë se 100 000 lekë;
  • dëmtimet e shkallës DS2 – jo më shumë se 250 000 lekë;
  • dëmtimet e shkallës DS3 – jo më shumë se 500 000 lekë.

Sa më sipër rezulton nga zbatimi i pikës 4, kreu IV i VKM nr. 5, dt. 6.1.2020 “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për përfitimet nga programi i granteve të rindërtimit dhe projektet model” dhe shtojcës 3 të VKM nr. 634, dt. 29.07.2020, “Për miratimin e marrëveshjes së grantit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane për ashkëpunimin në fushën e rehabilitimit të banesave pas fatkeqësisë”.

Nga ana tjetër, nëse shkalla e dëmtimit është e rëndë dhe strukturore që i korespondon shkallës DS4, pallati do të kalojë në një vlerësim të thelluar ku do të vlerësohen kostot e riparimit të strukturës. Nëse këto kosto janë nën 70% të vlerës së rindërtimit, sipas preventimit të punimeve pallati do të riparohet (përforcohet). Nëse këto janë mbi 70% të kostos së rindërtimit, Këshilli Bashkiak vendos për prishjen e tij.

Sa më sipër parashikohet në neni 34, pika 4 e Aktit Normativ nr 9/2019, ku parashikohet se:

“…Nëse sipas studimit të thelluar, të mbështetur dhe nga oponenca e Institutit të Ndërtimit, ndërhyrjet për riparimin e strukturës kushtojnë më shumë se 70% e kostos së rindërtimit nga e para të ndërtesës, njësia e vetëqeverisjes vendore ose autoriteti përgjegjës vendos shembjen e detyruar të objektit, që kryhet sipas procedurave të parashikuara në nenin 35 të këtij akti….’

Thënë ndryshe, fakti nëse një pallat i dëmtuar në strukturë që i korespondon shkallës së dëmtimit DS4 do të prishet apo do të riparohet, kjo është çështje leverdisshmërie ekonomike dhe jo domosdoshmërie për ndonjë shkak tjetër si për shembull rrezikshmëria e objektit. Kjo e fundit i korespondon shkallës së dëmtimit DS5 e cila është shkalla më e lartë e dëmtimit, ndaj objektet e dëmtuara me këtë shkallë dëmtimi do të prishen, pasi paraqesin rrezikshmëri për jetën e qytetarëve.

Kjo parashikohet në nenin 35, pika 1 të Aktit Normativ nr. 9/2019, ku thuhet se:

“Prishja e detyruar e një ndërtese apo disa ndërtesave, në pronësi private apo publike, kryhet në çdo rast kur ndërtesa është dëmtuar nga fatkeqësia natyrore dhe nuk mund të riparohet ose kur përbën rrezik për jetën dhe shëndetin e njerëzve, sipas përfundimeve në aktkonstatimet apo aktvlerësimet paraprake të Institutit të Ndërtimit ose në aktekspertizën e thelluar, si dhe nëse riparimi kushton më shumë se ndërtimi nga e para, sipas rekomandimeve në aktin e ekspertizës së thelluar, të hartuar sipas parashikimeve në këtë ligj.”

Në këtë kontekst ligjor, fillimisht duhet bërë një akt-konstatimi nga Instituti i Ndërtimit, i cili vlerëson nëse pallati është i një shkalle dëmtimi mbi DS4 dhe vetëm në bazë të këtij Akt- Konstatimi, Bashkia Tiranë do të duhet të hartojë Akt-Ekspertizat e Thellluara.

Nga vëzhgimi i kryer nga qendra Res Publica, ku nga 67 praktika (që i korespondojnë 67 VKB-ve, Tiranë) janë marrë në shqyrtim të detajuar, është bërë një depistim në 15 dosje, të cilat i janë nënshtruar edhe procesit gjyqësor siç e trajtuam më sipër. Ka rezultuar që të 15 pallatet përkatës të shpallur për prishje janë në shkallë dëmtimi të lehtë, në pjesën më të madhe të rasteve DS2, në ndonjë rast shkalla e dëmtimit ka qënë pjesërisht DS3 (sqaruar nga akt ekspertizat private dhe/ose gjyqësore se në ndonjë segment pallati, për shkak të amortizimit në zonën ku mbahen depozitat e ujit, ka shkallën DS3), dhe në ndonjë rast shkalla e dëmtimit ka qenë DS1. Nuk ka informacion shterues lidhur me rezultatet e akt-konstatimeve paraprake dhe rezultatet e kryera paraprakisht nga Instituti i Ndërtimit, por në disa raste kur kemi pasur informacion, kemi vënë re se akt-konstatimi nuk ka evidentuar shkallë të rëndë dëmtimi, që të sugjerojë kryerjen të akt-ekspertizave të thelluara. Në këto kushte, duket se vendimarrja e Bashkisë Tiranë për kryerjen e Akt-Ekspertizës së Thelluar është e pabazuar dhe me kosto të panevojshme për buxhetin e shtetit në shumë raste. Për më tepër këto akt-ekspertiza paraqesin fakte të pavërteta, mbi të cilat është vendosur prishja e pallateve në mënyrë abuzive.  

Në të gjitha praktikat e shqyrtuara, ka rezultuar e provuar se shkalla e dëmtimit të pallateve nuk ka qenë DS4 apo DS5, ndaj për të paktën për këto pallate nuk ka qenë e domosdoshme fare kryerja e akt ekspertizave të thelluara nga ana e Bashkisë Tiranë dhe për pasojë këto pallate nuk duhet të klasifikoheshin për prishje të detyruar.

Nisur nga sa më sipër ka arsye për të vënë në dyshim saktësinë e të gjitha VKB për prishjen e detyruar të ndërtesave (pallateve).

  • Akt-espertizat e thelluara të Bashkisë Tiranë dhe oponencat teknike të Institutit të Ndërtimit përmbajnë një mori pasaktësish, të konstatuara rregullisht nga gjykata administrative

Akt-Ekspertiza e Thelluara të përshkruara më sipër do duhej t’i nënshtroheshin oponencës teknike të Institutit të Ndërtimit, si detyrim ligjor, e cila më pas rekomandon për prishjen e detyruar të pallatit: (1) nëse shkalla e dëmtimit është DS5 ose; (2) prishjen e detyruar, nëse shkalla  dëmtimit është DS4 dhe kosto e riparimit është mbi 70% e kostos së rindërtimit.

Ajo që është konstatuar nga shqyrtimi i 15 praktikave është se preventivi i kostos së riparimit është fryrë në mënyrë të sforcuar, ndërsa preventivi i kostos së rindërtimit është ulur në mënyrë të sforcuar, me qëllim rritjen në mënyrë fiktive të raportit mes tyre për të kaluar masën mbi 70%.

Kjo është e dukshme në pamje të parë dhe rezulton e tillë edhe nga ekspertizat gjyqësore dhe jashtë gjyqësore. Për ta ilustruar sjellim disa shembuj:

  • ndërsa te preventivi i riparimit evidentohen zëra të panevojshëm për riparimin e pallatit si: lulishte, trotuarë, sisteme kundra mbrojtjes nga zjarri, sisteme qendrore ftohje- ngrohje, etj, nga ana tjetër në preventivin e kostos së rindërtimit, jo vetëm që këto zëra  mungojnë, por këtu kostoja e vetme që paraqitet është çmimi mesatar i ndërtimit të Entit Kombëtar të Banesave, që shërben vetëm për referencë për efekte fiskale dhe nuk paraqet koston reale të ndërtimit. Në fakt, kosto e rindërtimit përmban edhe zëra të tjerë, siç është prishja e objektit ekzistues, transporti i mbetjeve pas prishjes së objektit, depozitimi i mbetjeve në landfill, apo shpenzime për ndërtimin sipas standardeve të vendosura nga aktet e dala pas vendosjes së çmimit mesatar të ndërtimit nga EKB, apo taksa mbi infrastrukturë, etj. Disa zëra, qartazi janë përjashtuar nga kosto mesatare e EKB, sipas Udhëzimit të Këshillit të Ministrave nr. 3/2016;
  • ndërsa te preventivi i kostos së riparimit evidentohen zëra si “prishja e suvasë” në pallate që nuk kanë fare suva të jashtme, për kontrast te preventivi i kostos së rindërtimit “harrohet” të futet zëri i prishjes së objektit, a thua se trualli do ishte i lirë për ndërtim;
  • në preventivat e riparimit janë shtuar zëra të panevojshëm si gërmimi i dheut kur nuk ka nevoja për ndërhyrje ne themele, kurse në llogaritjen e rindërtimit nuk janë matur sipërfaqet në mënyrë korrekte.
  • disa zëra të shtuar te preventivi i riparimit janë të paaplikueshëm, si sistemet qendrore ftohje-ngrohjes, pasi pallatet e ekspertuar janë ndërtime të vjetra (ndërtuar para viteve ’90) dhe nuk mund të akomodojnë sisteme të tillë;
  • zëra si punime elektrike dhe hidraulike janë paraqitur në preventiva të riparimit me shifra totale, të pambështetura në asnjë metodologji apo projekt konkret. Është e pamundur të nxirret kosto e instalimeve të tilla pa pasur një projekt elektrik dhe hidraulik;
  • në preventivin e kostos së riparimit është shtuar në mënyrë abuzive edhe TVSH prej 20%, ndërsa TVSH zbritet për këto lloj punimesh sipas VKM nr. 143, dt. 13.02.2020. Madje është shtuar pa gjetur mbështetje ligjore në disa raste edhe fondi rezervë prej 5%, ndërkohë që fondi rezervë aplikohet kur nuk ka projekt të detajuar, kurse projektet në fjalë pretendohet se janë të detajuar.

Të gjitha këto më sipër, por edhe të tjera abuzime, janë konstatuar edhe nga ekspertë të tjerë të pavarur, ose/edhe nga ekspertë të caktuar nga vetë gjykata. Gjithsesi, përveç provave si më sipër, të gjitha këto janë fakte të cilat janë lehtësisht të evidentueshme nga ekspertë të tjerë të fushës.

Gjithë sa është konstatuar më sipër ka qenë detyrë ligjore e Institutit të Ndërtimit t’i evidentojë në bërjen e oponencës teknike, e cila në çdo rast duket si “noterizim” i Aktit të Ekspertizës së Thelluar. Në fakt oponencat teknike nuk kanë realizuar funksionin e tyre dhe kanë “certifikuar” fakte të pavërteta, ndaj në ato herë që ato i janë nënshtruar shqyrtimit gjyqësor janë shfuqizuar në të gjithë rastet.

Nëse oponenca do të ishte kryer në standardin e duhur, procedura e nisur për prishjen e detyruar të pallateve nuk do të vazhdonte dhe dëmi i financave publike dhe të drejtave të shtetasve nuk do të thellohej.

  • Pasaktësia e akt-ekspertizave të thelluara, përveç dëmtimit të interesave të qytetarëve të prekur, sjell pasojë shpërdorimin e fondeve të buxhetit të shtetit

Përveç dëmtimit të interesave të banorëve të prekur të pallateve që janë caktuar për prishje në mënyrë abuzive, sipas shpjegimeve të dhëna në pikën 2 më sipër, në rast se vijon zbatimi i VKB-ve, rrezikohet shpërdorimi i fondeve publike.

Nëse akt-ekspertiza e thelluar e porositur nga Bashkia Tiranë ka nxjerrë një objekt për prishje dhe kostoja e ndërtimit nga e para e një objekti të tillë është 70-80 milon lekë (në praktikë mund të shkojë dy herë më e lartë), por në realitet objekti ka nevojë për përforcime në vlera 10-20 milion lekë, atëherë kuptohet që këto vendimmarrje sjellin shpërdorim të fondeve të buxhetit të shtetit. Ky i fundit mund të përballojë ato raste kur realisht ka nevojë për ndërhyrje dhe jo të gjitha rastet që në mënyrë abuzive janë shoqëruar me fryrje kostosh.

Në të gjithë rastet e trajtuar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë, rezulton se kostot e riparimit ishin gjithmonë më të ulëta, madje në disa raste shumë më të ulëta. Pas vendimeve gjyqësorw për shfuqzimin e VKB-së dhe oponencave teknike të Institutit të Ndërtimit, gjykata ka shmangur shpërdorimin e fondeve publike.

Kujtojmë këtu që në gjykatë kanë shkuar vetëm pak raste dhe shumica e VKB-ve nuk i janë nënshtruar kontrollit gjyqësor dhe prandaj është e nevojshme t’i nënshtrohet auditimit nga KLSH.

  • Cenimi i të drejtave të njeriut dhe ekspozimi i buxhetit të shtetit ndaj riskut për të paguar dëmshpërblime

VKB-të e miratuara në bazë të akteve të paligjshme të përshkruara më sipër janë për pasojë të paligjshme, e megjithatë ato 28 raste janë ekzekutuar.

Në çdo rast edhe sikur këto vendime të ishin të ligjshme, ekzekutimi i vendimeve është bërë pa njoftime paraprake ndaj banorëve, pa inventarizuar sendet e luajtshëm me procesverbal, pa u siguruar atyre më parë një strehë sipas normave të strehimit dhe në përgjithësi pa respektuar kërkesat ligjore të ligjit nr. 22/2018 “Për strehimin Social” si dhe parashikimeve në VKM nr. 361, datë 29.05.2019, duke shkatërruar pronën private, sendet private me vlerë monetare e emocionale, banesën dhe jetesën, në mënyrë të paligjshme. Këto lloj shkeljesh në vetvete përbëjnë dëm në interesa të ligjshme të shtetasve me kosto të pritshme në buxhetin e shteti pasi ekspozojnë buxhetin e shtetit ndaj risqeve shtesë për shkak të dëmshpërblimeve që gjykatat do t’i akordojnë secilit që do të kërkojë në rrugë gjyqësore shpërblimin e dëmit. Rasti i parë është ai i “Fondacioni Instituti për Inkurajimin Total”, i cili zhvillonte aktivitetin e një kishe në zonën e Kombinatit dhe fitoi dëmshpërblim nga gjykata për prishjen e pronës së tij në pallatin nr. 153 në Rrugën Sokrat Mosko, vendosur për prishje me VKB nr. 121, dt. 28.09.2020, prishjen e të cilit gjykata e konstatoi si një shpronësim de facto, në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën.

Nëse nuk do të ketë rishikim të VKB-ve të paekzekutuara, dëmshpërblimet në potencial të të gjithë individëve të prekur do t’i rëndojnë buxhetit të shtetit në të ardhmen.

  • Individët/familjet e prekura në pallatet e dëmtuar në nivelet DS2-DS3 nuk po përfitojnë grantet për riparimin, si dhe pallatet e dëmtuar në nivelin DS4, nuk po përforcohet ende, duke ekspozuar qytetarët ndaj rrezikut

Të gjitha pallatet e shpallura për prishje të detyruar mbi fakte të pavërteta siç shpjeguam më sipër, janë gjithsesi të dëmtuara në nivelet DS2 – DS3, e në ndonjë rast DS4, dhe Bashkia Tiranë ka detyrimin për t’i përfshirë banorët e tyre në një program rindërtimi, duke i trajtuar me grante, siç përshkruhet në pikën 1 më sipër. Në vitin e katërt pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, mos trajtimi i këtyre objekteve dhe banorëve/pronarëve të tyre sipas ligjeve, përsëri mund t’i kushtojë kosto gjyqësore shtesë buxhetit të shtetit.

Në ato raste kur objektet janë dëmtuar vërtet në shkallën DS4 dhe kostoja e përforcimit realisht është nën 70% të kostos së rindërimit, mosriparimi i këtyre objekteve sjell situatë rreziku, duke mos ndërhyre ende për përforcimin dhe duke vijuar me kokëfortësi proceset gjyqësore, ndërkohë që banorët jetojnë aty gjatë gjithë kohës.

*    *    *

Në përfundim, mund të themi në mënyrë të përmbledhur se rezulton e qartë që Bashkia Tiranë, së bashku me Institutin e Ndërtimit dhe Këshillin Bashkiak Tiranë në efekt zinxhir dhe në dukje me një dakordësi të dyshuar paraprake mes tyre, ka vendosur për prishjen e objekteve që ligji nuk parashikon prishjen, duke u mbështetur në fakte të pasakta lidhur me shkallën e lartë të dëmtimit.

Edhe sikur shkalla e dëmtimit të ishte ajo e pretendura nga këto institucione, përsëri këto të fundit nuk kanë ruajtur një ekuilibër të drejtë gjatë llogaritjeve për të konkluduar për raportin mes kostos së riparimit me atë të rindërtimit. Vihet re se qëllimisht nga njëra anë fryhet preventivi i riparimeve në mënyrë artificiale, duke llogaritur edhe zëra të paaplikueshëm dhe/ose të panevojshëm dhe nga ana tjetër zvogëlohet preventivi i rindërtimit duke hequr edhe kosto të dukshme të domosdoshme.

Gjithashtu mund të shmangen pasojat negative për buxhetin e shtetit në rastin e pezullimit të ekzekutimit të vendimeve ende në fuqi deri në rishikimin e tyre, nga ana e Këshillit Bashkiak si  dhe kategorizimi i duhur i dhënies së granteve sipas shkallës së dëmtimit real që kanë pësuar këto pallate.

Neni 10 i ligjit nr. 154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e kontrollit të lartë të shtetit”, parashikon si një nga kompetencat e KLSH edhe kryerjen e auditimit objekt i këtij sinjalizimi.

Për të gjitha sa më sipër i drejtohemi institucionit që Ju drejtoni, me kërkesën që të ushtrojë të gjitha kompetencat që i njeh ligji për të ushtruar kontroll mbi këtë pjesë të veprimtarisë së Bashkisë Tiranë dhe Institutit të Ndërtimit.

Me respekt,

Qendra Res Publica

Grupimi për Kombinatin

* Kjo letër e hapur u realizua në kuadër të projektit “Për një proces rindërtimi më të përgjegjshëm” të mbështur nga LevizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top