Letër e hapur për respektimin e standardeve ligjore të zhvendosjes së familjeve

Drejtuar:        Bashkisë Tiranë

                        Prefektit të Qarkut Tiranë

                        Policisë Bashkiake Tiranë

                        Policisë së Shtetit

Për djeni:       Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

                        Avokati i Popullit

Lënda:            Për procedurat e zhvendosjes së banorëve të objekteve të shembura si pasojë e procesit të rindërtimit

Të nderuar drejtues të institucioneve të sipërpërmendur,

Ju drejtohemi me këtë letër të hapur duke marrë shkas mbi shqetësimin e ngritur në lidhje me zhvendosjen e banorëve të prekur nga skema e rindërtimit, në zonën e Kombinatit, Lagjes “5 Maj”, Rrugës “Myslym Keta”, etj.

Jo vetëm për banorët e prekur nga prishja e këtyre ndërtesave, në shumë raste të konstatuara si abuzive nga gjykata administrative, por edhe në ato raste kur banesat duheshih prishur pasi ishin dëmtuar rëndë – procesi i zhvendosjes së banorëve nuk është kryer në përputhje me parashikimet e përcaktuara në ligjin 22/2018 “Për strehimin Social” si dhe parashikimeve në VKM nr. 361, datë 29.05.2019.

Sa më sipër, theksohet edhe nga raporti i Avokati i Popullit i datës 3 Qershor 2022, i cili del në përfundimin se prishja e ndërtesave dhe shpërngulja e banorëve është bërë në kundërshtim me ligjin.

Zhvendosja e banorëve në rastet e humbjes së banesës së tyre duhet të kryhet duke respektuar një sërë procedurash qartësisht të përcaktuara në VKM nr. 361, dt 29.05.2019, e cila përveç se përcakton parimet mbi të cilat bazohet procesi, parashikon edhe se cilat janë procedurat dhe hapat konkretë të veprimit.

Me anën e kësaj letre të hapur ju sjellim në vëmendje në mënyrë të veçantë pikat e mëposhtme:

  • Pika 2.1 – Kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore ngre grupin e punës për ndjekjen e një procedure konkrete zhvendosjeje, në përbërje të së cilës ka punonjës nga struktura përgjegjëse për strehimin, planifikimin e territorit, mbrojtjen sociale, buxhetin dhe një nënkryetar të njësisë së vetëqeverisjes vendore që koordinon grupin e punës.

Në dijenë tonë, në asnjë rast nuk është ngritur ndonjë grup pune i tillë nga Kryetari i Bashkisë Tiranë për të ndjekur ndonjë procedure konkrete zhvendosjeje. Ju bëjmë thirrje të ngrini grupet e punës në çdo rast, me përbërjen siç përcaktohet në dispozitën e mësipërme.

  • Pika 3.1 – Njësia e vetëqeverisjes vendore, në aktin e njoftimit individit/familjes për fillimin e procedurave administrative të zhvendosjes, i njofton ata edhe për mundësinë e përfitimit nga ndihma juridike e garantuar nga shteti, duke i informuar edhe për organin publik të krijuar për administrimin e kësaj ndihme, si dhe kontaktin e këtij organi.

Në dijenë tonë, në asnjë rast Bashkia Tiranë nuk ka siguruar ndihmë juridike për asnjë individ. Ju bëjmë thirrje të orientoni qytetarët te shërbimet e ndihmës juridike, në mënyrë proaktive.

  • Pika 4 – Njësia e vetëqeverisjes vendore zbaton zhvendosjen, pasi siguron sistemimin me strehim të përshtatshëm të individëve/familjeve që zhvendosen dhe nuk përfitojnë shpërblim në përputhje me procedurat e shpronësimit.

Bashkia Tiranë është mjaftuar me ofrimin e bonusit të qirasë, por kjo masë nuk mjafton. Madje, në shumë raste, individët/familjet nuk kanë siguruar ende strehim për shkak të pamjaftueshmërisë së bonusit ose arsye të tjera. Ju bëjmë thirrje që zhvendosjet t’i kryeni vetëm pasi të siguroheni që të gjithë personat kanë siguruar mundësinë e strehimit, përpara prishjes së banesës së tyre.

  • Pika 4.1 – Njësia e vetëqeverisjes vendore informon me shkrim individin/familjen për mundësitë alternative të strehimit dhe kërkon mendimin me shkrim të individit/familjes për aplikimin e njërës prej këtyre mundësive. Mendimi i individit/familjes vlen si njëra prej rrethanave këshilluese për njësinë e vetëqeverisjes vendore në nxjerrjen e vendimit përfundimtar të organit publik për aplikimin e mundësisë së strehimit. Individit/familjes i jepet një vërtetim i marrjes së mendimit sugjerues.

Në dijeninë tonë, Bashkia Tiranë nuk ka bërë përpjekje për të njoftuar me shkrim individualisht secilin person të prekur, e aq më shumë të marrë mendimin e tyre. Në ndonjë rast ka informuar për të aplikuar për bonus qeraje. Ju bëjmë thirrje të bëni njoftime të rregullta individuale, me shkrim, me nënshkrim e vulë, dhe të dokumentoni marrjen e mendimit të banorëve para se t’i zhvendosni ata.  

  • Pika 4.3 – Njësia e vetëqeverisjes vendore ofron strehimin përmes subvencionimit të qirasë, vetëm pasi ka siguruar kontrata me pronarin social.

Në dijeninë tonë, Bashkia ka ofruar bonuset e qirasë, para se të sigurojë kontratat e nevojshme me pronarin social. Kjo mënyrë të vepruari e bën joefektive subvencionimin, e cila më pas sjell pasojën që individët/familjet, nuk kanë opsione të mundshme për të siguruar qiranë, duke iu drejtuar tregut të lirë që ka caktuar cmime të tjera të paarritshme nga niveli aktual i bonusit. Ju bëjmë thirrje të lidhni kontratat me pronarët socialë (sipas përcaktimeve të ligjit nr. 22/2018) dhe më pas të ofroni bonuset.

  • Pika 7 – Procedura e zhvendosjes realizohet duke respektuar procesin e rregullt ligjor.

Respektimi i procesit të rregullt ligjor nënkupton respektimin e cdo procedure administrative apo gjyqësore të nisur nga personat e prekur. Rastet e konstatuara dhe të bëra publike tashmë, si ai i Pallatit nr. 4 në Rrugën Mylsym Keta, janë raste flagrante të shkeljes së procesit të rregullt ligjor, kur personave nuk iu dha as mundësia për t’u dëgjuar nga gjykata para zhvendosjes. Ju bëjmë thirrje që, në rastet kur informoheni se një çështje konkrete ështrë në gjykatë, të ndërprisni çdo veprim zhvendosjeje dhe të prisni vendimin e gjykatës.

  • Pika 7.1 – Njësia e vetëqeverisjes vendore njofton me shkrim individin/familjen për arsyet e zhvendosjes 30 (tridhjetë) ditë para nxjerrjes së aktit administrativ për zhvendosjen nga banesa.

Në dijeninë tonë, Bashkia Tiranë nuk ka njoftuar me shkrim në afatin e mësipërm askënd nga personat e zhvendosur. Ky moment është i një rëndësie të veçantë. Ju bëjmë thirrje që në çdo rast të informoni ­çdo person në afatin e duhur dhe në mënyrën e duhur për asryet e zhvendosjes bashkë me të dhënat e tjera.

  • Pika 7.3 – Individi/familja që njoftohet për arsyet e zhvendosjes sipas nënpikës 7.1, të këtij vendimi, ka të drejtë të kërkojë nga njësia e vetëqeverisjes vendore kryerjen e një inventari për të llogaritur vlerën e pasurive të tij/tyre, të investimeve dhe të të mirave të tjera materiale që mund të dëmtohen nga zhvendosja, si dhe për të vlerësuar e dokumentuar humbjet jomonetare, të cilat do të kompensohen nga njësia e vetëqeverisjes vendore në rastet kur humbjet ndodhin gjatë zhvendosjes për fajin e kësaj të fundit.

Në dijeninë tonë, nuk është mbajtur asnjë inventar për sendet e personave që zhvendosen. Në shumë raste janë shkaktuar humbje të mëdha të sendeve me vlerë monetare dhe me vlerë morale të pa­çmueshme. Në Pallatin nr. 4 në Rrugën Myslym Keta kemi konstatuar humbje të mëdha të këtyre sendeve dhe kujtimeve të familjeve, për shkak të veprimeve arbitrare deri në nivele kriminale. Ju bëjmë thirrje të inventarizoni çdo send para zhvendosjes. Në të kundërt individëve/familjeve u lind e drejta të prezumojnë se kanë pasur sendet dhe të gjitha janë dëmtuar, me pasojë detyrimin e Bashkisë për shpërblimin e dëmit të shkaktuar.

  • Pika 7.4 – Individi/familja, ndaj të cilës nis procesi administrativ i zhvendosjes, ka të drejtën e zhvendosjes së pasurive që mund të shkëputen nga prona para prishjes së saj për të minimizuar dëmet e shkaktuara. Shpenzimet, në raste të tilla, përballohen nga fondet e njësisë së vetëqeverisjes vendore.

Në dijeninë tonë, në asnjë rast nuk është respektuar pika e mësipërme. Në disa raste nuk është lënë as edhe dy ditë kohë për të marrë sendet, siç është rasti flagrant i Pallatit nr. 4 në Rrugën Myslym Keta. Në asnjë rast nuk na rezulton që Bashkia të ketë përballuar shpenzimet e transportit. Ju bëjmë thirrje të lini banorët të marrin sendet dhe ti paguani transportin në ato banesa që janë siguruar përmes kontratës me pronarin social.

  • Pika 9 – Akti administrativ për zhvendosjen ekzekutohet pas kalimit të 45 (dyzet e pesë) ditëve nga njoftimi i tij individit/familjes që do të zhvendoset.

Në dijeninë tonë, Bashkia Tiranë e ka injoruar tërësisht këtë pikë të rëndësishme. Ju bëjmë thirrje të respektoni afatin e caktuar nga legjislacioni. Asnjë zhvendosje të mos kryhet para 45 ditëve nga njoftimi individual i secilit person të prekur, qoftë edhe sikur të jenë përmbushur të gjithë kushtet e tjerë.

  • Pika 9.3 – Gjatë zhvendosjes, njësia e vetëqeverisjes vendore merr masa që të mënjanojë çdo veprim apo sjellje që shkel dinjitetin e të drejtat e njeriut për jetë dhe siguri të personave të prekur.

Kjo pikë është shkelur rregullisht. Ndërprerja e furnizimit me ujë dhe energji elektrike pa asnjë paralajmërim, së bashku me marrjet me forcë dhe veprime të tjera që shkelin të drejtat e njeriut dhe dinjitetin njerëzor, janë totalisht të papranueshme në një shoqëri demokratike. Ju bëjmë thirrje që uji, energjia të ndërpriten vetëm pasi të jetë zhvendosur edhe personi i fundit dhe të jetë siguruar strehimi alternativ i tij. Ju bëjmë gjithashtu thirrje që në asnjë rast të mos cenohet dinjiteti njerëzor dhe të ndëshkoni administrativisht këdo që vepron në kundërshtim me dispozitën e mësipërme.

  • Pika 9.6 – Nuk lejohet asnjë zhvendosje të ekzekutohet në mot të keq, gjatë orarit nga ora 19:00 pasdite deri 7:00 të mëngjesit, gjatë festave ose pushimeve fetare, gjatë fushatave zgjedhore ose gjatë, ose deri dy muaj përpara provimeve përfundimtare të shkollimit të detyrueshëm.

Në praktikë janë vënë re raste të zhvendosjes në shkelje të kësaj pike. Në rastin e Pallatit nr. 4 në Rrugën Myslym Keta, banorët u nxorrën me forcë që në orën 04:00. Ju bëjmë thirrje që të mos kryeni asnjë veprim gjatë muajve të dimrit kur moti është zakonisht i keq. Në asnjë rast të mos kryhet zhvendosje në oraret e palejuar. Identifikoni nxënësit që kanë provime dhe respektoni të drejtën e tyre për t’u edukuar, duke mos i zhvendosur. Ju bëjmë thirrje gjithashtu që të mos kryeni asnjë zhvendosje, jo vetëm gjatë fushatës zgjedhore, por as në periudhën 4 muaj para zgjedhjeve.

  • Pika 9.7 – Gjatë ekzekutimit të zhvendosjes, grupi i punës, si dhe të gjithë punonjësit e tjerë të përfshirë në procesin e zhvendosjes, sipas këtij vendimi, marrin masa për të garantuar që askush të mos jetë objekt i sulmeve të drejtpërdrejta ose jo të drejtpërdrejta, i akteve të tjera të dhunës, veçanërisht ndaj grave, fëmijëve, personave me aftësi të kufizuar, moshës së tretë, romëve e egjiptianëve, si dhe garantojnë që askush të mos privohet në mënyrë arbitrare nga pronat ose zotërimet për shkak të shembjeve, zjarrit dhe formave të tjera të shkatërrimit të qëllimshëm, neglizhencës ose çdo forme dënimi kolektiv.

Në dijeninë tonë, Bashkia Tiranë nuk ka asnjë informacion mbi personat me nevoja të veçanta që janë prekur nga zhvendosjet. Ju bëjmë thirrje që në çdo rast të identifikoni cilët janë personat e moshuar, fëmijët, personat me aftësi të kufizuara, pakicat etnike, etj., që mund të preken dhe të garantoni që ata vecanërisht të mos jenë pre e sulmeve ose akteve të tjera të dhunës.

  • Pika 9.8 – Punonjësit e njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe punonjësit e tjerë të përfshirë në procesin e zhvendosjes, sipas këtij vendimi, marrin masa që prona dhe zotërimet e lëna pas në mënyrë të pavullnetshme nga individi/familja që zhvendoset, të mbrohen nga shkatërrimi dhe përvetësimi arbitrar dhe i paligjshëm, zënia ose përdorimi i tyre.

Në dijeninë tonë, në shumë raste pronat e personave të zhvendosur janë cenuar, duke marrë prej tyre çdo send të mundshëm. Në asnjë rast objektet nuk janë ruajtur. Ju bëjmë thirrje të merrni masa urgjente edhe në rastet aktuale, sidomos në zonën e Kombinatit.

  • Pika 10.1 – Minimalisht, pavarësisht kushteve dhe pa diskriminuar, autoritetet kompetente duhet të garantojnë që personat ose grupet e zhvendosura, veçanërisht ata që kanë të ardhura të ulëta dhe shumë të ulëta, personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, fëmijët e gratë shtatzëna të kenë akses të sigurt e të mbrojtur në: a) ushqim, ujë të pijshëm dhe higjienë bazë; b) strehim dhe akomodim bazë; c) veshje të përshtatshme; ç) shërbime mjekësore bazë; d) burime jetese; dh) ushqim për bagëtinë dhe akses në burime të pronës së përbashkët nga të cilat vareshin dikur; e) arsim për fëmijët dhe ambiente për kujdesin ndaj fëmijëve. Njësia e vetëqeverisjes vendore duhet të garantojë gjithashtu mosndarjen e anëtarëve të së njëjtës familje për shkak të zhvendosjes.

Në asnjë rast nuk na rezulton që Bashkia Tiranë të ketë marra masat për respektimin e pikës së mësipërme. Ju bëjmë thirrje të identifikoni urgjentisht personat e mësipërm dhe të merrni masa për t’i asistuar ata në përmbushjen e nevojave të tyre jetike.

  • Pika 12.1 – Të gjithë të zhvendosurit kanë të drejtë kompensimi për humbjen, rikuperimin dhe transportin e sendeve e të pronave të prekura, përfshirë banesën fillestare dhe çdo pasuri të luajtshme të dëmtuar gjatë zhvendosjes.

Në dijeninë tonë, Bashkia Tiranë nuk ka nisur ndonjë procedurë për kompensimin e humbjeve të sendeve apo të kostove të transportit. Ju bëjmë thirrje së pari të tregoni kujdesin e duhur për të shmangur dëmtimet, dhe së dyti, të rimbursoni në çdo rast kostot e transportit të të gjitha sendeve të personave të prekur.

  • Pika 12.2 – Për çdo zhvendosje mbahet një procesverbal i identifikimit të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme.

Njëlloj si në rastin e pikës 7.3, ju bëjmë thirrje që të mbani procesverbal me inventaret e të gjitha sendeve të personave që zhvendosen.

  • Pika 16 – Njësia e vetëqeverisjes vendore, menjëherë, me fillimin e identifikimit të nevojës për zhvendosje, njofton ministrinë përgjegjëse për çështjet e qeverisjes vendore, ministrinë përgjegjëse për çështjet sociale, si dhe të strehimit, për çdo procedurë zhvendosjeje. Ky njoftim është i detyrueshëm edhe kur zhvendosja vjen si pasojë e një situate të kërkuar apo për shkak të një procesi të nisur nga një institucion qendror.

Ne nuk dimë nëse Bashkia Tiranë ka bërë njoftimet sipas kësaj pike, por ju bëjmë thirrje që kjo procedurë të respektohet sepse të gjithë institucionet e mësipërm kanë rol kyç në përmbushjen e nevojave të qytetarëve.

  • Pika 19 – Njësia e vetëqeverisjes vendore njofton Avokatin e Popullit për çdo procedurë zhvendosjeje të nisur. Në rastet kur Avokati i Popullit, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, miraton rekomandime, ato publikohen edhe në faqen zyrtare të internetit të njësisë së vetëqeverisjes vendore.

Avokati i Popullit ka qenë kritik ndaj mënyrës së të vepruarit të Bashkisë Tiranë, duke dalë me raporte konkrete dhe ku theksohet mungesa e komunikimit. Ju bëjmë thirrje të njoftoni në çdo rast Avokatin e Popullit dhe të zbatoni në çdo rast rekomandimet e tij.

*    *    *

Siç rezulton nga më lart, procesi i zhvendosjes përmban shumë elementë që Bashkia Tiranë nuk i ka konsideruar, ose i ka shpërfillur tërësisht. Zhvendosjet janë kryer në shkelje të plotë të ligjit, akteve nënligjore dhe standardeve ndërkombëtare, me pasojë shkelje serioze të të drejtave të njeriut dhe dëmtimin e vlerave materiale dhe jomateriale të qytetarëve të prekur. Zhvendosje të tilla si ajo e rastit të Pallatit nr. 4 në Rrugën Myslym Keta kanë shënuar shkelje deri në nivelin e veprimeve arbitrare, të dënueshme nga Kodi Penal.

Res Publica

* Kjo letër e hapur u realizua në kuadër të projektit “Për një proces rindërtimi më të përgjegjshëm” të mbështur nga LevizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top