Tre vite pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019, rindërtimi rezulton jo vetëm një nga premtimet e pambajtura të qeverisë, por rrezikon të kthehet edhe nw një gropë tw madhe për buxhetin e shtetit. Për vitin 2023 janë parashikuar 5 miliardë lekë në zërin e Fondit për Rindërtimin, teksa nga janari 2020 deri në shtator 2022, zëri i shpenzimeve për këtë fond arriti në 61 miliard lekë.
Fundi i vitit 2022 ishte përcaktuar nga kryeministri si data kur jo vetëm nuk do të kishte asnjë gjurmë nga rrënimet e shkaktuara nga tërmeti, por që projektet e zhvillimit të qeverisë do të sillnin ndryshime rrënjësore në mbarë vendin.
“Deri në fund të viti të ardhshëm besoj se nuk do të ketë më asnjë gjurmë nga tërmeti. Besoj se dëmet jo vetëm që do të jenë zhdukur, por do të jenë dëshmia e një ndryshimi rrënjësor”, u shpreh Kryeministri në shkurt të vitit 2021 nw një bashkëbisedim me qytetarët ku ai foli për procesin e rindërtimit.
Hulumtimet e qendrws Res Publica, dokumentet zyrtare, intervistat me qytetarët por edhe projektbuxheti i vitit 2013, tregojnë se qeveria shqiptare është ende larg përfundimit të procesit të rindërtimit, qoftë dhe në afatet e përcaktuara prej vetë saj.
Lagjet e ndërtuara rezultojnë të boshatisura. Në zonat e reja të zhvillimit, kryesisht në periferi të Tiranës, ku do të ndërtohen 31 pallate, janë ndërtuar vetëm karabinatë e tyre. Përkundër deklaratave të qeverisë, se procesi i rindërtimit po vijon normalisht, Res Publica ka zbuluar se qytetarët po enden gjykatave dhe të tjerë janë nën panikun e shpërnguljes.
Shifrat zyrtare të qeverisë tregonin se dëmet e shkaktuara nga tërmeti prekën 202 mijë persona, u shpërngulën 17 mijë të tjerë dhe 51 shtetas humbën jetën.
Raporti Zyrtar i Komisionit Evropian mbi Konferencën e Donatorëve në 17 Shkurt 2020, fliste për rreth 985 milionë Euro si dëme apo humbje të shkaktuara nga tërmeti. Duke u bazuar në kërkesat financiare për rikuperim, shtete, organizata dhe institucione ndërkombëtare u ofruan në ndihmë të Shqipërisë për të siguruar shumën e nevojshme financiare për rikuperimin e dëmeve të tërmetit.
Qeveria shqiptare refuzon kredinë me interes të ulët
Në shkurt 2020 qeveria shqiptare paraqitet në Konferencën e Donatorëve duke i kërkuar anëtarë të kësaj konference një shumë prej 1.15 mld euro.
Për të menaxhuar fondet e tërmetit dhe dëmet e krijuara kryeministri krijoi Ministrinë e Rindërtimit.
Thuajse gjatë gjithë periudhës së funksionimit të saj, kjo ministri nuk bëri në asnjë moment, një bilanc shterues mbi ecurinë nga fillimi deri në momentin e fundit, kur këto detyra i kaluan zëvendëskryeministres.
Të dhënat nga konferenca e donatorëve tregojnë se fondet e rindërtimit me vlerë 1.15 mld euro ishin të shpërndara si 700 mln euro kredi të buta dhe 300 mln euro grante.
Grantet prej 300 mln euro janë menaxhuar dhe përdorur nga Bashkimi Evropian në formatin EU for School dhe EU for Culture. Këto fonde menaxhohen totalisht nga Bashkimi Evropian që nga procesi i tenderimit deri tek procesi i ndërtimit.
Mirëpo për pjesën tjetër të 700 mln eurove, qeveria shqiptare nuk ka dhënë asnjë informacion në lidhje me marrjen ose jo të këtyre fondeve që janë vendosur në dispozicion nga Konferenca e Donatorëve. Në regjistrin e kredive të buta rezulton që qeveria shqiptare nuk ka marrë asnjë kredi nga konferenca e Donatorëve, pra asnjë qindarkë nga vlera e 700 milion eurove me një normë interesi nën 2% nuk është marrë nga qeveria shqiptare.
Ministria e Financave refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve që Res Publica ngriti mbi arsyet e mos aplikimit për kredi nga fond i vendosur nw dispozicion nga konferenca e donatorwve për rindërtimin.
Të dhënat nga raporti i KLSH për rindërtimin tregojnë se qeveria ka marrë përsipër që të buxhetojë me fonde të paalokuara në buxhet pwr ndërtime. Duke përdorur teknikën e 20% qeveria ka shfrytëzuar gjithë fondin e alokuar për rindërtimin dhe në këtë mënyrë ka krijuar detyrime të prapambetura.
Ligji i buxhetit i jep mundësinë qeverisë që të tenderojë një projekt nëse ajo zotëron 20% të fondeve për atë projekt. Kështu në buxhetin e vitit 2021 qeveria ka përdorur këtë teknikë duke ezauruar plotësisht fondet e buxhetuara dhe për rrjedhojë duke krijuar detyrime të prapambetura për vitin e ardhshëm.
Në seancën dëgjimore për buxhetin 2023, deputetja Tabaku u ankua në lidhje me procesin e rindërtimit të zbatuar nga qevria. Ajo citoi raportin e KLSH ku analizohej përdorimi i fondeve të tërmetit dhe gjithashtu edhe buxhetimi i tyre. Sipas Tabakut, qeveria shqiptare po shkel Ligjin e Buxhetit duke prokuruar ndërtimin për fonde të paqenë nw buxhet. Sipas ligjit të buxhetit qeverisë vendore apo qendrore nuk i lejohet që të tenderojë apo prokurojë tendera publikw për një vlerë që nuk është buxhetuar.
Përllogaritet që detyrimet e prapambetura të qeverisë nga rindërtimi janë në vlerën e 400 mln eurove. Në projektbuxhetin 2023, deputetët e opozitës, u shprehën të shqetësuar pasi në një nen të tij parashikohej vlera prej 5 mld lekësh që lidhej posaçërisht me detyrimet e prapambetura dhe të mbajtura të fshehura nga qeveria.
Sakaq, fakti që ish Ministria e Rindërtimit nuk ka mundur që të tërheqë asnjë kredi të butë nga Konferenca e Donatorëve ngre pikëpyetjen e radhës nëse janë përdorur Eurobondet e tepërta të marra nga qeveria për të financuar rindërtimin.
Duke qenë se qeveria nuk na rezulton tw ketw marrë kredi të butë nga vlera prej 700 milion euro, ekspertët mendojnë se është përdorur Eurobondi edhe për të financuar procesin e rindërtimit që siç e kemi parë nga lëvizjet në buxhet ka akorduar projekte më shumë se sa ka pasur fonde të buxhetuara.
Për rrjedhojë qeveria ka marrë borxhe me norma më të larta interesi se sa kreditë e buta duke krijuar një problem ekstra për buxhetin e shtetit.
Ministria e Financave refuzoi të shpjegojë nëse ka miratuar përdorimin e Eurobondit për të financuar procesin e rindërtimit.
Në buxhetin 2023 qeveria e ka njohur këtë shtrenjtim duke e çuar pagesën e normave të interesit për Eurobondet në 3.3% të PBB-së, një rritje me 1.4% nga viti 2022. Kjo do të thotë që buxheti i shtetit do të vendoset në presion dhe që taksat e qytetarëve do të shkojnë për pagesën e borxheve që janë marrë me Eurobond për të financuar rindërtimin.
Rritja e normave të interesit, problemet me transparencën janë dy nga çështjet që e bëjnë me dhimbje koke këdo që lexon buxhetin dhe merret me rindërtimin. Një tjetër problem i hasur nga raportet e OJF-ve dhe mediave online lidhet me rrethin e ngushtë të atyre që përfitojnë nga fondet e rindërtimit dhe kontratat e tyre.
Të dhënat e publikuara nga Open Data tregojnë se përfitues të këtyre lëvizjeve janë një numër shumë i kufizuar i sipërmarrjeve dhe kompanive të ndërtimit. Ndërkohë që qeveria ka lëshuar një urdhër në të cilën përjashton nga TVSH-ja kompanitë e rindërtimit dhe nënkontraktorët e tyre.
Përdorimi i parave me akte normative
Ndonëse qeveria premtoi që në vitin 2022 rindërtimi si proces do të ishte i përfunduar, faktet dhe provat tregojnë të kundërtën. Qeveria nëpërmjet akteve normative apo dhe parashikimeve buxhetore vijon të akordojw para për të cilat nuk ka asnjë transparencë.
Për vitin 2023, buxheti ka planifikuar 5 miliardë lekë në zërin e Fondeve të Rindërtimit, teksa nga janari 2020 deri në shtator 2022, nga buxheti janë shpenzuar 59.9 miliardë lekë, apo 497 milionë euro në funksion të këtij procesi.
Dyshimet e opozitës kanë qenë se rindërtimi është përdorur dhe do të përdoret si një vegwl nga ana e mazhorancës. Në vitin 2021, fill pas zgjedhjeve të përgjithshme, deputetët e opozitës denoncuan përfshirjen e kësaj politike.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë deklaroi në Kuvend, teksa prezantoi Projektbuxhetin e vitit 2023 se “ishin më shumë se 13 mijë qytetarë që mbetën pa shtëpi dhe ne iu përgjigjëm menjëherë, duke iu subvencionuar qeranë e shtëpive. Iu përgjigjëm menjëherë duke bërë një program rindërtimi, në bazë të të cilit do të ndërtoheshin banesa për çdo qytetar që mbeti pa shtëpi dhe këto banesa tashmë janë fakt dhe qytetarët kanë filluar të hyjnë në to. Nga ana tjetër, po rindërtojmë të gjitha ato godina publike që janë shkatërruar dhe janë rindërtuar me fondet e rindërtimit, me mbështetjen e buxhetit shqiptar dhe qeverisë shqiptare” deklaroi ministria.
Fondi i Rindërtimit u krijua si Fond Buxhetor specifik në Buxhetin e shtetit 2020, për të përballuar efektet financiare të Tërmetit të 26 Nëntorit 2019. Në procedurat për menaxhimin e procesit të rindërtimit përcaktohet se në fund të vitit buxhetor, fondet e pashpenzuara nga ky Fond Rindërtimi trashëgohen në vitin pasardhës dhe përdoren për të njëjtin qëllim.
Fondi i rindërtimit është parashikuar në ligjin nr. 88/2019, ku në nenin 7 është përcaktuar fillimisht shuma prej 20 miliardë lekë dhe ishte në kompetencën e Këshillit të Ministrave për të vendosur për mënyrën e përdorimit, programet buxhetore ku do alokohet fondi dhe institucionet zbatuese.
Por në Korrik 2020, nëpërmjet aktin normativ nr. 28, qeveria vendosi të ndryshojë vlerwn e fondit të rindërtimit duke e përcaktuar atë në shumën 34 miliardë lekë, ndarë në shumën 3 miliardë lekë grante dhe shpenzime të buxhetit të shtetit 31 miliardë lekë, me një rritje 14 miliardë lekë në total.
Për vitin 2020 janë miratuar rreth 22 VKM për akordimin e Fondit tw Rindwrtimit në Bashkinë e Tiranës, mirëpo 11 prej këtyre vendimeve janë ndryshime të VKM-ve të mëparshme, rrjedhimisht vetëm gjysma e këtykanë efekte buxhetore. Tetw nga vendimet qeveritare janë të dedikuara për Bashkinë e Tiranës, ndërsa tre tw tjerw janë të përbashkët, pra akordojnë buxhet për dy ose me shumë bashki përfituese. Nga 11 miliardë lekë që akordohen nëpërmjet këtyre 11 VKM-ve më shumë se gjysma ose rreth 6 miliardë lekë janë disbursuar për Bashkinë më të madhe që është ajo e Tiranës.
Edhe gjatw vitit 2021, janë miratuar rreth 20 VKM me efekte buxhetore për akordim të Fondit tw Rindwrtimit, ku 8 prej tyre sjellin ndryshime dhe shtesa në VKM-të e mëparshme ndwrsa 12 tw tjerat alokojnë buxhet për Bashkinë e Tiranës, nga të cilat 7 janë të dedikuara për Tiranën dhe 5 të përbashkëta me bashki të tjera. Sipas këtyre VKM-ve, të prodhuara pas përfundimit të vitit fondet për vitin 2020 janë rritur nga 78.47 mld lekë në 80.51 mld lekë, duke e rritur fondin me gati 2 mld lekë.
Por, nisur nga buxhetet e viteve 2020-2023 rezulton se qeveria ka akorduar projekte më shumë se sa ka pasur fonde të buxhetuara, sa i përket procesit të rindërtimit.
Për periudhën 3 vjeçare qeveria ka buxhetuar shumat e alokuara për programin e rindërtimit në vlerën e 66 miliard lekë.
Mirëpo ndonëse raportet në vitet e para tregonin këtë parashikim, me kalimin e viteve buxheti i shtetit duket se u zvogëlua në lidhje me rindërtimin. Sipas të dhënave rezulton se buxheti i planifikuar për rindërtimin është ulur në totalin me 4 mld lekë. Pra nëse qeveria kishte planifikuar 66 mld lekë buxhet për tre vitet në të vërtetë ajo ka ofruar 62 mld lekë dhe kjo sipas raportimeve të MFE.
Nga ana tjetër të dhënat nga tenderat publikë tregojnë se nga numri i tenderave të miratuar si shumë totale për vitin 2020 është 46.5 mld lekë më e lartë se sa fondi i miratuar në buxhet. Pra, për vitin 2020, qeveria kishte miratuar një buxhet prej 32 mld lekësh ndërkohë që realisht buxheti është tejkaluar me punime pa fonde në buxhet me vlerë 46.5 mld lekë, pra 381 mln euro më shumë se sa buxhetimi.
Nga mbledhja e shifrave rezulton që në total qeveria ka miratuar investime me vlerën e 99.6 mld lekëve ndryshe nga borxhi i 66 mld lekësh, pra janë 276 mln euro më shumë se sa parashikimi.
Sakaq, realizimi i fondeve të buxhetit të parashikuara në vitin 2020 u arrit në 1/2, 16.5 mld lekë nga 32 mld lekë, mirëpo vlera reale e bazuar nw VKM për rindërtim është ajo e 78.47 mld lekësh. Megjithëse realisht është shfrytëzuar 50% e shumës së buxhetuar në 2020, megjithëse vlera e kontraktuar në të njëjtin vit është 78.47 mld lekë, kjo shumë nuk qe buxhetuar në vitet pasardhëse. Ironikisht në të dhënat e buxhetit që janë pasqyruar asokohe nga MFE rezulton se buxhetimi për rindërtimin për 2021 është 28 mld lekë dhe për 2022 do ishte 6 mld lekë.
Ndërkohë që rialokimet për vitin 2020 janë për herë të parë për njësitë përfituese në vlerën e 19.15 mld lekësh. Pra, duke u bazuar në të dhënat e VKM-ve rezulton që për vitin 2020 fondi i rindërtimi i shpërndarë me VKM vlerësohet në shumën 99,6 mld lekë.
Vlera e buxhetuar në 2020, sikurse u përmend më sipër është 28,078 milion lekë, ajo e alokuar në 2021 është 23,781 milion lekë (për VKM të 2020 dhe 2021), duke sjellë që vlera e mbetur për t’u financuar për vitin 2022 e në vijim të paraqitet si diferencë në shumën 47,808 milion lekë.
Mbulimi me fonde buxhetore për vitin 2022, sipas ligjit të buxhetit të vitit 2021, është 28 miliard lekë për vitin 2021, 6 miliardë lekë për vitin 2022 dhe 5 miliard lekë për vitin 2023.
Sipas qeverisë, fondet buxhetore që shkojnë për rindërtim të objekteve arsimore, rikonstruksion të banesave individuale, pallate, si dhe në infrastrukture publike, si shpallje të zonave të reja dhe përgatitje të shesheve të ndërtimit.
Por sipas KLSH ka paqartësi në mënyrën se si qeveria ka përdorur fondet e rindërtimit. Raporti thekson se mungesa e hartimit të një dokumenti planifikimi të fondeve që përdoren për procesin e rindërtimit, nuk premton efikasitetin e përdorimit të tyre.
“Mungesa e planifikimit të fondeve që do të përdoren gjatë procesit të rindërtimit, si në rastin e planifikimit afatshkurtër, afatmesëm apo afatgjatë krijon mundësi për përdorim jo efecient të tyre”- thuhet në raportin e KLSH i cili gjatë auditimit të institucioneve të përfshira në procesin e rindërtimit nuk ka gjetur të dhëna dhe dokumente që të tregonin për fondet totale të alokuara ndarë sipas programeve të rindërtimit.
Viti 2020 – Në ligjin e buxhetit janë parashikuar 32 mld lekë, ku 29 mld janë shpenzime nga buxheti i shtetit, ndërsa 3 mld janë grante. |
Viti 2021 – Në ligjin e buxhetit është parashikuar që fondi i rindërtimit prej 28 mld lekësh do të përdoret për të përballuar kostot për projektet e miratuara dhe të pafinancuara në vitin 2020, si dhe për projekte të reja. |
Viti 2022 – Në ligjin e buxhetit është parashikuar një fond rindërtimi prej 6 mld lekë. |
Viti 2023 – Në ligjin e buxhetit është parashikuar një fond rindërtimi prej 5 mld lekë. |
* Ky artikull u realizua në kuadër të projektit “Për një proces rindërtimi më të përgjegjshëm” të mbështur nga LevizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.