Prishja e pallatit në rrugën ”Myslym Keta”, si u vendos gjykata përballë faktit të kryer

Ndryshe nga rasti i pallatit 83/1 në rrugën Myslym Keta, ku Gjykata Administrative e Tiranës urdhëroi pezullimin e shembjes vetëm pak orë para nisjes së punimeve të shembjes, kjo Gjykatë u vendos përballë faktit të kryer të rrënimit të pallati nr. 4 në rrugën “Myslym Keta” në Tiranë, çka e ka bërë të pamundur gjykimin e saj për të vendosur mbi kërkesën e sigurimit të padisë për këtë objekt, të kërkuar banorët.

Në rastin e pallatit 83/1 në të njëjtën rrugë, gjykata e mori vendimin në dhomë këshillimi, për shkak të rrethanave urgjente, ndërsa në rastin e pallatit nr. 4, gjykata caktoi seancë dëgjimore.

Në orën 09:00 , më 19 Dhjetor 2022, u planifikua për tu zhvilluar seanca ku do të shqyrtohej kërkesa për të pezulluar shembjen e objektit nga fadromat e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, deri sa të kishte një vendimmarrje mbi ligjshmërinë e akteve të prodhuara nga Bashkia e Tiranës dhe Institutit i Ndërtimit. Këto palë ishin në dijeni të datës dhe orës së seancës sepse u njoftuan nga gjykata për të qenë të pranishëm në seancë dhe duke përfituar nga kjo dijeni, ata nisëm shembjen e objektit shumë më herët.

Media raportoi që gjatë natës banorët e këtij pallati janë detyruar nga forcat e policisë të braktisnin banesat e tyre ndërsa fadromat e IMT-së nisën rrënimin pa zbardhur dita.

Ajo që duhet të ishte në një seancë gjyqësore ku të vendosej mbi pezullimin e çdo veprimi që i hapte rrugë prishjen e detyruar të ndërtesës, në fakt u shndërrua në një seancë ku gjykata u përball me veprimet e kryera tashmë nga strukturat vartëse të Bashkisë së Tiranës.

Juristët e Bashkisë, Institutit të Ndërtimit dhe të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit i paraqitën gjykatës foto nga aksioni i rrënimit të pallatit që po ndodhte në ato momente, e për këtë arsye i kërkuan asaj rrëzimin e kërkesës së bërë nga shtetasi F.S.

“Shembja e objektit ka nisur dhe gjatë kohës që po zhvillohet seanca janë shembur 5 hyrje” – deklaruan juristët të cilët i kërkuan gjykatës mos pranimin e kërkesës. Sipas tyre, gjykata nuk kishte më arsye për të vendosur për pezullimin  e ekzekutimit të vendimit të Këshillit Bashkia pasi pallati kishte filluar të shembej nga fadromat.

Sipas tyre, vendimi i gjykatës për pezullimin e ekzekutimit të vendimit të Këshillit Bashkiak duhej të merrej përpara se të niste prishja e objektit dhe jo në kohën kur pallati pothuajse ishte i shembur në kohën që zhvillohej seanca gjyqësore.

Por për avokatin Dorian Matlija, i cili përfaqësonte kërkuesin F.S. në këtë proces, gjykata e vendosi datën e seancës gjyqësore në kohën limit të përcaktuar nga ligji, ndërkohë që kërkesa ishte depozituar që në datën 14 Dhjetor, kur kërkuesi F.S. kishte marrë njoftimin për aksionin e planifikuar nga IMT.

“Kërkesa e F.S. në gjykatë është depozituar që më 14 dhjetor 2020. Kjo kërkesë niste me shkronja të mëdha ku thuhej se ishte urgjente dhe se duhet të trajtohej para datës 19 Dhjetor 2022. Gjykatës iu vu në dispozicion edhe informacioni që në këtë datë ishte njoftuar prishja e objektit nga IMT-ja. Në të tilla raste, kur një çështje ka shumë urgjencë, si rasti ne fjalë, gjykata ka të drejtë ta marrë vendim edhe në dhomë këshillimi, pa zhvilluar një seancë me praninë e palëve, por kjo nuk ndodhi. Ndaj, me t’u njoftuar IMT nga gjykataq për seancën, duke ditur datën dhe orën e zhvillimit të kësaj seance gjyqësore, fadromat e IMT-së nxituan ta prishin objektin para seancës, duke e vendosur gjykatën para faktit të kryer” – thotë avokat Matlija.

Ndërhyrja e fadromave të IMT ka shërbyer për gjykatën si argumet ligjor për të mos pranuar kërkesën për sigurimin e padisë të kërkuar nga banorët.

Gjatë shpalljes së vendimit, Gjykata argumentoi se ekzekutimi i vendimit të kontestuar kishte nisur tashmë dhe po kryhej, e për këtë arsye nuk mund të pranohej kërkesa për pezullimin e shembjes së pallatit.

Një kërkesë tjetër për sigurimin e provës,ku i kërkohej gjykatës të caktonte një ekspert për të vlerësuar gjendjen e godinës para prishjes së saj, ishte caktuar po në datën 19 Dhjetor 2022, në orën 11:35 me një gjyqtar tjetër. Kjo kërkesë nuk u trajtua fare nga gjykata sepse tashmë u bë publik lajmi që pallati nr. 4 ishte drejt përfundimit të shembjes dhe eksperti që do të caktonte gjykata nuk kishte çfarë të analizonte.

“Tani fillon beteja ligjore për dëmin e shkaktuar për prishjen në mënyrë të paligjshme të objektit. Vendim i dhënë nga Gjykata, e cila rrëzoi kërkesën për sigurimin padisë, nuk do të thotë se kërkuesit nuk kanë të drejtë, por se gjykimi i pretendimeve të tyre duhet bërë tashmë, jo për të ndaluar prishjen e objektit por për të marrë dëmshpërblimin e shkaktuar nga veprimet e paligjshme të institucioneve”– thotë Matlija.

Avokati shpjegon se në të tilla raste ligji, por dhe praktika e gjykatës, parashikojnë shpërblim dëmi me vlerë deri sa çmimi i tregut, njësoj sikur të ishte shpronësim de facto me dhunë.

“Banorët e pallatit nr. 4 sigurisht që kanë të drejtë sepse tashmë është bërë në mënyrë të përsëritur dhe uniforme që gjithë pallatet e piketuara deri më tani për prishje janë bazuar mbi fakte të pavërteta dhe ne llogaritje të fryra në preventiva, siç është konfirmuar tashmë në 7 raste të fituara në gjykatë dhe siç kanë konfirmuar ekspertët e gjykatës edhe për 15 raste të tjera që janë në proces. Madje, në rastin e Pallatit nr. 4 në rrugën Myslym Shyri, kemi arritur të sigurojmë një vlerësim nga ekspertë të licensuar nga vetë F.S., akt i cili hedh dritë mbi të vërtetat e kësaj godine, që kishte vetëm disa dëmtime të lehta dhe asnjë dëmtim në strukturë” – përfundon avokati.

Për pallatin nr. 4 në rrugën “Myslym Keta” Instituti i Ndërtimit ka nxjerrë dy akt konstatime. Një, më 6 Dhjetor 2019, dhe një të dytë, 16 ditë më vonë. Në të dy akt konstatimet është përcaktuar se për këtë pallat dëmtimet e shkaktuara nga tërmeti i Nëntorit 2019 janë  të mesme dhe me përshkrimin “plasaritje në suva”.

Edhe pse akt konstatimet nuk flasin për dëmtim në nivel të lartë të dëmtimit në DS4 apo DS5, siç edhe e kërkon ligji, për këtë pallat është kryer një ekspertizë e thelluar në Gusht të vitit 2020.

Këtë radhë, oponenca teknike e Institutit të Ndërtimit konfirmoi mendimin për prishjen e objektit pasi shkalla e dëmtimit pretendohej të ishte DS4 dhe se vlera e riparimit kalonte 70% të vlerës së rindërtimit nga e para.

Mbi këtë konstatim, Këshilli Bashkiak Tiranë, më 1 Mars 2021 vendosi prishjen e detyruar të pallatit nr. 4 në rrugën “Myslym Keta. Por në akt-ekspertizat e kryera nga vetë banorët nga ekspertë të licencuar rezultoi se pallati ka dëmtime të lehta, jo më shumë se masa DS2. Tashmë, këtu mund të jetë pikënisja e një procesi të ri gjyqësor, i cili me shumë gjasa do të ketë fatin e gjyqit që një fondacion që ushtronte aktivitet fetar në pallatin nr. 153 në Kombinat fitoi shpërblim dëmi në të njëjtat rrethana.

* Ky artikull u realizua në kuadër të projektit “Për një proces rindërtimi më të përgjegjshëm” të mbështur nga LevizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top