Komente përmbyllëse për tryezën e rrumbullakët “Siguria e gazetarëve, diskutimi i standardeve dhe adresimi i sfidave të përbashkëta”

Në mënyrë të veçantë, Znj. Kusari kërkoi nga Prokuroria që të përgatisë dhe publikojë statistika të plota për rastet e cenimit të gazetarëve, duke përfshirë rastet e raportuara, hetuara, gjykuara dhe statistika për rezultatet e vendimeve të gjykatave dhe ekzekutimit të tyre. Të tilla statistika, kur janë pozitive, krijojnë më shumë siguri dhe më shumë besim të drejtësia.

Nga: Dorian Matlija

Drejtor Ekzekutiv, Res Publica

Ishte kënaqësi të ndiqja diskutimet tuaja, të dëgjoja mendimet dhe opinionet që ju ndatë në këtë tryezë për sigurinë dhe mbrojtjen e gazetarëve. Ishte gjithashtu frymëzues fjalimi i të ftuarit special Z. Matthew Caruana Galizia për të gjithë ekspozenë e historisë dhe luftës së tij për çështjen së nënës së tij, Daphne Caruana Galizia e cila u vra për shkak të punës së saj si gazetare investiguese dhe aktivisteje.

Në emër të Qendrës ResPublica dhe të partnerëve mbështetës dhe implementues të projektit “Liria e shprehjes dhe liria e mediave në Shqipëri (Jufrex2)”, Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian, do të dëshiroja t’u shpreh falënderime të gjithë pjesëmarrësve, përfaqësues të autoriteteve shtetërore, gazetarë dhe organizata të shoqërisë civile, të pranishëm. Pjesëmarrja juaj në këtë tryezë ishte vërtet shumë e vlefshme.

Tema e trajtuar ka rëndësi parësore, gjë e cila u pranua nga të gjithë dhe, siç e theksoi në fjalën e tij përshëndetje edhe Ambasadori i Bashkimit Evropian, Sh.T.Z . Luigi Soreca, është një nga treguesit kryesorë të standardeve që e bëjnë një media të lirë në një shoqëri demokratike. Plotësimi i standardeve të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, është një nga kushtet themelore për tu bërë pjesë e familjes Evropiane dhe ka rëndësi jetike për ecurinë e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Për sigurinë dhe mbrojtjen e gazetarëve një rëndësi të veçantë kanë organet e drejtësisë. Kjo gjë u theksua edhe nga Z Artur Metani, Inspektor i Lartë i Drejtësisë. Pavarësia dhe fuqia e pushtetit gjyqësor është shumë e varur nga besimi i publikut. Pavarësisht se vendimet gjyqësore janë të detyrueshme për t’u zbatuar, ato duhet të jenë objekt i kriticizmit. I tillë është debati për të cilin ka nevojë një shoqëri demokratike.

Nga diskutimet e bëra prej Z. Erjon Muharremaj, anëtar i KLGJ, i ngarkuar për marrëdhëniet me mediat, Avokates së Popullit, Znj. Erinda Ballanca dhe përfaqsueses së European Center for Press and Media Freedom, Znj. Flutura Kusari, u theksua edhe një herë nevoja për të trajtuar publikimin e vendimeve gjyqësore si një nevojë parësore dhe anonimizimi i tyre të vlejë vetëm për raste përjashtimore.

Çështja e transparencës u prek nga një pjesë e mirë e gazetarëve të pranishëm si një problem që jo vetëm kufizon atyre mundësinë për ti transmetuar informacionin e nevojshëm publikut, por edhe si një parakusht për të zbutur situatën jo miqësore mes qeverisë dhe gazetarëve.

Siç e theksoi Znj. Kristina Voko, Drejtuese e Qendrës BIRN, është e nevojshme që nga ana e autoriteteve shtetërore të këtë më pak investim në marrëdhëniet publike dhe më shumë investim në transparencë. Nëse do të ekzistonte një frymë e tillë, do të mund të krijohej një mjedis me të drejta dhe përgjegjësi më të balancuara dhe për pasojë do të kishte një komunikim më të mirë midis qeverisë dhe gazetarëve, siç theksoi gazetari investigues Artan Rama.

Për të krijuar këtë mjedis, përfaqësuesi i KLGJ Z. Erjon Muharremaj dhe Avokatja e Popullit, Znj. Erinda Ballanca, kërkuan që edhe gazetarët nga ana e tyre të jenë më mirëkuptues për organet shtetërore të cilët shpesh nuk kanë kapacitete të mjaftueshme, në mënyrë të veçantë edhe organet e drejtësisë, për të trajtuar me shpejtësi kërkesat e gazetarëve, por kjo kërkesë, pavarësisht se është e vlefshme në parim, do të ishte më e pranueshme për gazetarët nëse tregohen shenja pozitive që organet shtetërore po i bëjnë të gjitha përpjekje për të ndërtuar kapacitetet nevojshme sa më shpejt dhe mbi të gjitha nëse ky do të ishte problemi i vetëm. Gazetarët Anila Hoxha, Lindita Çela, Klodiana Lala ngritën si problem parësor mungesën e vullnetit në të shumtën e rasteve dhe sidomos mungesën e frymës e cila ende nuk është aty ku duket, pasi shumë zyrtarë nuk kanë kuptuar drejt rolin e gazetarit. Përvec problemeve me të cilat gazetarët duhet të përballen çdo ditë, siç janë kushtet e papërshtatshme të punës, siguria e tyre në terren, pagesat e ulëta dhe marrëdhëniet jo të rregullta me punëdhënësit, të ngritura në tryezë nga drejtuesja e Qendrës “Faktoje”, Znj. Klodiana Kapo, gazetarët e mësipërm thanë se atyre u duhet të përballen edhe me dhunën verbale të punonjësve të administratës shtetërore, të cilët kanë një nevojë urgjente të trajnohen për mënyrën si komunikojnë me gazetarët. Pengesa të ndryshme, të cilat çojnë në censurë vijnë jo vetëm nga një staf i patrajtuar në komunikim, por edhe nga pengesa të tjera të një natyre më sistemike, si për shembull përdorimi i legjislacionit për menaxhimin e pandemisë Covid 19, kundër gazetarëve, siç Znj. Flutura Kusari e prezantoi si një problem tashmë edhe rajonal. Në mënyrë të veçantë ajo vuri në dukje edhe një problem sistematik vendas, siç është rreziku i hermetizmit të administratës shtetërore si pasojë e ngritjes së Agjencisë për Median dhe Informacionin.

Në diskutimin që u bë për adresimin e rasteve konkrete të dhunës ndaj gazetarëve, Znj. Kusari dhe organizatorët e këtij takimi bënë thirrje për të inkurajuar përdorimin e Platformës për promovimin e sigurisë së gazetarëve, e cila përfaqëson një mekanizëm të mirë ndërkombëtar që mundëson detyrimin e qeverive të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës të përgjigjen pa vonesë për të sqaruar rrethanat e çdo incidenti.

Drejtuesja e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Znj. Elisabeta Imeraj, ngriti me të drejtë shqetësimin që edhe pse hetimet për incidentet për gazetarët duhet të kryhen sa më shpejt, mungesa e kapaciteteve sot e bën të vështirë këtë, ndaj është i nevojshëm plotësimi i prokurorisë me numrin e duhur të prokurorëve.

Znj Imeraj, u dakordësua me idenë e gazetarit Artan Rama, gazetares Lindita Çela dhe qendrës Res Publica, që në mënyrë që të shmangen situatat problematike është e nevojshme që gazetarët të jenë më profesionalë dhe etikë, pa hequr dorë nga kriticizmi. Në mënyrë të veçantë, Znj. Kusari kërkoi nga Prokuroria që të përgatisë dhe publikojë statistika të plota për rastet e cenimit të gazetarëve, duke përfshirë rastet e raportuara, hetuara, gjykuara dhe statistika për rezultatet e vendimeve të gjykatave dhe ekzekutimit të tyre. Të tilla statistika, kur janë pozitive, krijojnë më shumë siguri dhe më shumë besim të drejtësia.

Gazetarja Lindita Çela u bëri thirrje të gjithë gazetarëve të pranishëm që duhet të nisim së pari nga vetja sepse garantuesit e parë të jetës sonë jemi ne vetë dhe se redaksitë duhet të kujdesen të mos i dërgojnë gazetarët drejt situatave të rrezikshme pa pasur trajnimin e duhur dhe pa marrë masat e nevojshme paraprake.

Një raportim i mirë dhe profesional është gjithashtu mbrojtja më e mirë edhe ndaj efektit frikësues të padive SLAPP.

Ndërkohë që disa gazetarë janë bërë tashmë edhe shënjestër e fushatave shpifëse ndaj tyre, paraqet rëndësi thelbësore kushtimi i një vëmendjeje të veçantë ndaj këtij fenomeni të ri për realitetin shqiptar. Gjithashtu më shumë vëmendje kërkohet edhe për gazetarët e mediave lokale, të cilët punojnë në kushte edhe më pak favorizuese se gazetarët e kryeqytetit.

Reagimet e para që u shprehën ndaj Udhëzuesit Praktik për sigurinë e gazetarëve, i cili u lançua në këtë tryezë, ishte ndjesia e një nevojë urgjente për t’i trajnuar gazetarët që të jenë më të aftë për të reaguar siç duhet në një shumëllojshmëri rrethanash që rrezikojnë sigurinë e tyre, siç njëra prej tyre u ngrit edhe prej Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Z. Albert Dervishaj, që ka të bëjë me sjelljen e një gazetari kur ai duhet të respektojë perimetrin e sigurisë së një skene krimi. Parandalimi i incidenteve është gjithmonë mjeti më i mirë për sigurinë e gazetarëve.

Një propozim që erdhi nga përfaqësuesit e autoriteteve shtetërore të pranishëm ishte nevoja e zhvillimit të takimeve periodike të kësaj natyre, për të adresuar rastet në një mënyrë më dinamike dhe për të mos krijuar akumulim të gjatë të problematikave.

Një aspekt i veçantë, por jo më pak i rëndësishëm, që u diskutua në tryezë ishte nisma e fundit që është në tryezën e punës të Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, për statusin e gazetarit, i cili u soll në vëmendje nga Znj. Ina Zhupa, deputete dhe anëtare e këtij Komisioni. Në mënyrë të veçantë Znj. Flutura Kusari, por edhe i ftuari special Matheë Caruana Galicia bënë thirrje për të ndalur këtë nismë, të vlerësuar nga ata si të rrezikshme për lirinë e gazetarit duke dhënë edhe mjaft argumente konkretë. Kjo demonstroi së pari domosdoshmërinë që ka Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik për të zhvilluar mbledhje të hapura dhe të zgjeruara konsultuese me gazetarë dhe ekspertë të lirisë së shprehjes.

Duke shpresuar që do të krijohen mundësitë për ta kthyer natyrën e kësaj tryezë në një forum periodik, mendoj që reflektimet e saj janë një pikënisje e mirë për të orientuar politika më efektive për të promovuar dhe përmirësuar standardet e sigurisë dhe mbrojtjes së gazetarëve, të cilët mbeten guri më i çmuar i themeleve të një shoqërie demokratike.

Faleminderit!

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top