Familja Durdaj nuk ka reshtur së kërkuari hetimin dhe gjykimin e ish ministrit, i cili është personi i vetëm që u akuzua dhe nuk është gjykuar për rolin e tij në demontimin e armëve në Gërdec.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka njoftuar sot se ka rihapur hetimet duke regjistruar procedim penal ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu, për veprat penale: “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues.
“Prokuroria, pasi ka tërhequr nga Gjykata e Lartë aktet e dosjes penale në ngarkim të z. Fatmir Mediu, ka regjistruar procedim penal për veprat penale: “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues,në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu”-thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK.
Lëvizja e SPAK vjen pasi Gjykata e Posaçme e Apelit, GJKKO, në datën 24 shtator 2021 ka rikthyer për hetim në SPAK dosjen e ‘Gërdecit’.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të revokimin e pushimit të gjykimit ndaj ish Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, për t’i hapur rrugë hetimit mbi rolin e tij në ndërtimin dhe funksionimin e fabrikës së demontimit të armëve ku humben jetën 26 shtetas dhe u plagosën qindra të tjerë.
Në vendimin e Apelit të GJKKO-së thuhet se çështja nuk është gjykuar dhe se heqja e imunitetit të Mediut i hap rrugë procesit për rihetim.
“Nuk është gjë e gjykuar. Afatet e parashkrimit janë respektuar se është marrë i pandehur që në vitin 2009. Pengesa e imunitetit ishte përkohshme. Rënia e kushtit për pasur imunitet konsiderohet fakt i ri që hap rrugën e gjykimit”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Gjykatës.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u vu në lëvizje pas kërkesës së bërë nga Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, prindërit e 7 vjeçarit Erison Durdaj që humbi jetën tragjikisht nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec, në pranverën e 2008.
Familja Durdaj kërkoi në shkurt të vitit 2021 heqjen e pengesës për gjykimin ish ministrit, i cili është personi i vetëm që u akuzua dhe nuk është gjykuar për rolin e tij në demontimin e armëve në Gërdec.
.