Qeveria nuk bën transparencë as për diskutimet për transparencën
“Ministri i Drejtësisë, si dhe çdo anëtar tjetër i Këshillit të Ministrave, është i detyruar të respektojë vendimet e marra në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Çdo vlerësim, debat apo raportim, duhet të mbetet konfidenciale”.
Ministria e Drejtësisë i konsideron mendimet mbi VKM-të konfidenciale. Ky institucion refuzon të bëjë publik qëndrimin e saj në lidhje me vendimin e qeverisë për krijimin e Agjencisë për Median dhe Informacion, e konsideruar nga një sërë organizatash dhe kritikësh në vend si “Ministria e Propagandës”.
Por dhe pse refuzon dhënin e dokumenteve, Ministria ka pranuar se ka shprehur qëndrimet e saj në lidhje më VKM-në para Këshillit të Ministrave, duke zbatuar kështu edhe detyrimin ligjor saj për t’u shprehur ndaj ligjshmërinë e formës dhe të përmbajtjes së çdo projekt-akti me karakter normativ përpara shqyrtimit nga Këshilli i Ministrave.
Ministria pranon se ka respektuar detyrimin ligjor por deklaron se qëndrimin e saj nuk mund ta bëjë publik se është konfidencal nga qeveria.
“Mendimi që jep Ministri i Drejtësisë për çdo projekt-akt me karakter normativ është pjesë e procesit vendimmarrës të Këshillit të Ministrave, i cili nuk mund të bëhet publik për shkak të kufizimeve të vendosura. Ministri i Drejtësisë, si dhe çdo anëtar tjetër i Këshillit të Ministrave, është i detyruar të respektojë vendimet e marra në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Çdo vlerësim, debat apo raportim, duhet të mbetet konfidenciale” – thuhet në përgjigjen zyrtare të koordinatorit për të drejtën e informimit të Ministrisë së Drejtësisë.
Më 18 Shtator 2021, në mbledhjen parë të Qeverisë Rama 3, zyra e Kryeministrit njoftoi se kishte vendosur krijimin e Agjencisë për Media dhe Informimin, një strukturë kjo që synon centralizimin e zyrave të shtypit dhe të marrëdhënieve me publikun të të gjitha institucioneve të qeverisë qendrore, por duke përfshirë edhe informacionin që këto institucione prodhojnë.
Vendimi i publikuar në faqen e Këshillit të Ministrave nuk shoqërohet me një relacion shpjegues për të kuptuar se cilat institucione kanë dhënë mendim, ndaj dhe qendra ResPulica, në bazë të ligjit për të drejtën e informimit i kërkoj Ministrisë së Drejtësisë një kopje të qëndrimit të mbajtur nga ky institucion për VKM-në e krijimit të të ashtuquajturës “Ministria e propagandës”.
Por, dhe pse refuzon bërjen publikë të një dokumenti zyrtar, duke e konsideruar atë konfidencial, Ministria e Drejtësisë në shkresën e saj insiston se qëllimi i krijimit të Agjencisë për Median dhe Informacionin është rritja e transparencës së qeverisë.
“Vendimi parashikon ngritjen e një strukture të veçantë, e organizuar si drejtori e përgjithshme, mbi komunikimin dhe informimin, që ka si mision të sigurojë transparencën në lidhje me politikat, aktivitetet, projektet e Këshillit të Ministrave”- vijon shkresa sqaruese e Ministrisë së Drejtësisë.
Pa vënë asnjë dokument në dispozicion, Ministria informon edhe cilat do të jenë përgjegjësitë dhe misioni i Agjencisë, që dukshëm nga sa deklarohet e shndërrojnë atë në vërtet në një “Ministri Propagande”
“Përgjegjësitë funksionale të agjencisë lidhen me organizimin e punës për të informuar dhe komunikuar me publikun dhe median, si dhe për të përgatitur qëndrimet dhe sondazhet qeveritare mbi çështjet me interes publik” – sqaron Ministria e Drejtësisë.
Më herët, qeveria ka argumentuar se qëllimi i krijimit të Agjencisë është rritja e transparencës dhe kapacitetit informues ndaj publikut dhe medias, si edhe informimi i Këshillit të Ministrave mbi problematikën e shprehur në lajmet e ditës, ndërkohë që në fakt kjo nismë është në vazhdën e një marrëdhënieje aspak të lehtë dhe dashamirëse të kreut të qeverisë shqiptare ndaj njerëzve të medias dhe fjalës së lirë, të cilët prej vitesh i konsideron dhe i quan “kazan mediatik”
Rama ka deklaruar se “Agjencia për Media dhe Informim (AMI) është ndërtuar duke ndjekur modelet dhe eksperiencat e disa vendeve të ndryshme, ndër të cilat atë të Zyrës për Shtypin dhe Informimin të Qeverisë Federale Gjermane.
Zyra Federale e Shtypit (Bundespresseamt) pranë qeverisë federale gjermane ka një strukturë të tillë që nga viti 1949, kur Gjermania qeverisej nga Kancelari Konrad Adenauer. Sot ajo drejtohet nga një zëdhënës qeverie dhe dy zëvendës të tij.
Për t’u kthyer te absurdi, ligji për të drejtën e informimit vërtet parashikon se disa diskutime në qeveri mund të jetë e domosdoshme që të kufizohen dhe mos të publikohen, por mbetet e pasqaruar një pyetje: Pse është e domosdoshme që të mos publikohen diskutimet që lidhen pikërisht me transparencën? Këtë mund ta kuptojmë vetëm kur ta sigurojmë informacionin në rrugë ligjore.
Pingback: Albanian Justice Ministry Refuses to Divulge Opinion on Media Agency - Exit - Explaining Albania