Dosja Gërdeci / Gjykata vendos të hiqet pengesa për gjykimin e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu.

“Këtë kam pritur për gjithë këtë kohë, 14 vjet. Kam qenë në të gjitha institucionet dhe shpresa e fundit ishte tek SPAK. Kjo është ajo që prisja, rihapje dhe të ketë një vendim gjykate, a i fajshëm, a i pafajshëm se na bënin karshillëk gjatë gjithë kohës”- Zamira Durdaj.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të premten revokimin e pushimit të gjykimit ndaj ish Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, për t’i hapur rrugë gjykimit mbi rolin e tij në ndërtimin dhe funksionimin e fabrikës së demontimit të armëve ku humben jetën 26 shtetas dhe u plagosën qindra të tjerë.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u vu në lëvizje pas kërkesës së bërë nga Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, prindërit e 7 vjecarit Erison Durdaj që humbi jetën tragjikisht nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec, në pranverën e 2008.

“Është një vendim i pritshëm dhe i kënaqshëm, kisha kaq vite që prisja”- deklaroi Zamira Durdaj fill pas vendimit të Gjykatës.

“Është një hap i mirë, për të gjithë. Një lajm i mirë për të gjithë që të paktën të ketë një ndëshkueshmëri. I kam parashtruar të gjitha kërkesat e mia nëpërmjet avokatit edhe pse nuk isha e pranishme. Këtë kam pritur për gjithë këtë kohë 14 vjet, kam qenë në të gjitha institucionet dhe shpresa e fundit ishte tek SPAK që unë vura në lëvizje SPAK. Kjo është ajo që prisja, rihapje dhe të ketë një vendim gjykate, a i fajshëm, a i pafajshëm se na bënin karshillëk gjatë gjithë kohës”, tha Durdaj.

Familja Durdaj kërkoi në shkurt të vitit 2021 heqjen e pengesës për gjykimin ish ministrit, i cili është personi i vetëm që u akuzua dhe nuk është gjykuar për rolin e tij në demontimin e armëve në Gërdec.

Pas afro 2 muajsh nga kërkesa e familjarëve, SPAK i kërkoi Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar revokimin e pushimit të gjykimit të vendosur në vitin 2009 nga Gjykata e Lartë (në atë kohë për këtë çështje vepronte si gjykatë e shkallës së parë) me argumentin se nuk ekzistojnë më shkaqe ligjore për të penguar gjykimin.

Në korrik të vitit 2021 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi rrëzimin e kërkesës së SPAK dhe ngarkoi me përgjegjësi Prokurorinë për mosushtrim të ndjekjes penale për 8 vite ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, ndërsa argumentoi se vepra penale për të cilën ai akuzohet është parashkruar.

Por gjyqtarja Saida Dollani, në një gjykim që sipas ligjit zhvillohet pa praninë e palëve të interesuara, vendosi sot të revokojë vendimin e vitit 2009 të Gjykatës së Lartë për pushimin e çështjes në ngarkim të ish-ministrit, duke i hapur rrugën gjykimit të çështjes në themel.

“Gjykata vendosi, të ndryshojë vendimin nr. 60, datë 27.07.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke pranuar kërkesën e Prokurorit të Posaçëm dhe revokoi vendimin e pushimit nr. 6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke i kthyer aktet Prokurorit të Posaçëm për të proceduar”, thuhet në njëftimin e Gjykata e Posaçme e Apelit”

Avokati i familjarëve, Dorian Matlija e konsideroi vendimin e gjykatës së Apelit si një hap në gjykimin e dosjes Gërdeci. Lajmi i mirë sipas avokatit është heqja e pengës juridike për të gjykuar ish -Ministrin Mbrojtjes mbi rolin e tij në procesin e demontimit të armëve në Gërdec.

“Nuk është hapur rigjykimi i çështjes së Fatmir Mediut, është hequr pengesa që çështja Mediu të merret në gjykim. Fatmir Mediu nuk është gjykuar asnjëherë sepse kishte një pengesë që nga viti 2009. Pas 12 vjetësh më në fund kjo pengesë hiqet dhe tashmë jemi në kushtet kur çështja mund të nisë. Domethënë çështja sigurisht është shumë e gjatë, shumë e komplikuar, ma merr mëndja që edhe vetë Fatmir Mediu do të bëjë veprimet e veta juridike në bazë të legjislacionit. Jemi thjesht në fillim. Ky është lajm i mirë në kuptimin që është hequr një pengesë absurde juridike”- deklaroi Matlija

Dhe pse sheh një proces të gjatë deri në dhënien e drejtësisë, avokati e konsideron vendimin e Gjykatës së Apelit si korrigjim të vendimit të shkallës së parë.

“Të gjitha argumentet e dhëna nga shkalla e parë kanë qenë argumente të gabuara, ne i kemi parashtruar edhe në ankimin tonë që kemi paraqitur Gjykatës së Apelit që mesa duket i ka marrë parasysh ato. Gjykata e Shkallës së Parë psh kishte mendimin që ajo çështja është e gjykuar por sipas Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, një njeri quhet i gjykuar vetëm kur ndaj tij është dhënë një vendim dënimi ose një vendim pafajësie, që në këtë rast nuk ishte asnjë nga këto të dyja. Gjithashtu ky ishte dhe një nga problemet kryesore, pastaj problemi i afatit, ai lidhet me vepra penale të caktuara. Aty në atë dosje janë 26 000 faqe dokumentacion, nuk mund të flitet që ka vetëm një shpërdorim detyre dhe kaq, është çështje hetimi për të parë nëse ka vepra të tjera penale që mund të mos jenë parashkruar ende” deklaroi avokati, duke nënkuptuar se ndaj ish ministrit Fatmir Mediu teorikisht mund të ngrihen edhe akuza për vepra të tjera penale në lidhje me Gërdecin, përpos shpërdorimit të detyrës.

Në vitin 2009, në cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu u mor nën hetim për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, por më 14 shtator 2009, Gjykata e Lartë vendosi pushimin e çështjes penale ndaj tij, me arsyetimin se ky i fundit ka ri fituar imunitet sepse u rizgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Me vendimin e sotëm i hapet rruga SPAK që të kërkojë gjykimin për përgjegjësinë e ish-ministrit në ngjarjen tragjike të marsit 2008, ngjarje për të cilën Fatmir Mediu është akuzuar për shpërdorim detyre sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak, por nuk u gjykua asnjëherë pasi u mbrojt fillimisht nga imuniteti parlamentar dhe më tej nga mosveprimi i Prokurorisë për një kohë të gjatë.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top