“Kanë mbetur vetëm 2 ditë kohë reflektim për të bashkëpunuar në çështjen e Teatrit Kombëtar”
Përveç çështjes në Gjykatën Kushtetuese për godinat e Teatrit Kombëtar, paralelisht po zhvillohet edhe një çështje tjetër për Teatrin Kombëtar në Gjykatën Administrative me paditës shoqatën “Impetus”. Çështja është hapur në verën e vitit 2020 dhe ishte në pritje të vendimit që do të merrte Gjykata Kushtetuese. Shoqata “Impetus” thirri si palë të treta edhe Presidentin e Republikës dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit për të marrë mbështetje prej tyre. Menjëherë pas vendimit të Gjyaktës Kushtetuese, kjo shoqatë dërgoi një letër Presidentit të Republikës dhe KLSH-së duke ngritur shqetësimin se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e zgjidhi çështjen dhe se ka një shans kundër VKB-së që prishi Teatrin. Presidenti i Republikës dhe KLSH nuk i janë përgjigjur ende ftesës për bashkëpunim, ndërkohë që kanë mbetur vetëm 2 ditë kohë për reflektim.
Letër e hapur për Presidentin e Republikës dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit
I nderuar Z. President i Republikës,
I nderuar Z. Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit,
Shoqata “Impetus” shpreh publikisht shqetësimin e saj për zgjidhjen e plotë juridike të çështjes së Teatrit Kombëtar. Siç jemi në dijeni, Gjykata Kushtetuese, më 2 Korrik 2021, vendosi të shfuqizojë ligjin special, për dhënien e Teatrit Kombëtar me koncension, por dihet publikisht që Teatri Kombëtar nuk u shemb në zbatim të këtij ligji, sepse ky ligj u la pa zbatuar nga qeveria, ndërkohë që kjo e fundit ia transferoi pronën Bashkisë Tiranë, e cila me vendim të Këshillit Bashkiak prishi godinat e Teatrit Kombëtar. Gjykata Kushtetuese gjithashtu shfuqizoi edhe VKM-në e transferimit të pronës së emërtuar “Teatri Kombëtar” te Bashkia Tiranë, por nuk mori në shqyrtim Vendimin e Këshillit Bashkiak nr. 50, datë 14.05.2020, i cili vendosi prishjen e godinave të Teatrit Kombëtar nga IKMT. Duke ndjekur arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese, VKB-ja mund të goditet për pavlefshmëri ose paligjshmëri vetëm në Gjykatën Administrative. Afati i ngritjes së padisë është 1 vit (sipas nenit 18/2 të ligjit nr. 49/2012) dhe duke nisur që nga data 14 Maj 2021, askush nuk mund të ngrejë padi kundër VKB-së në fjalë, duke e lënë automatikisht në fuqi.
Pikërisht, për t’i paraprirë kësaj situate dhe për të mos e lënë këtë çështje si një “fitore në tavolinë” për Bashkinë Tiranë, nisur nga jurisprudenca e mëparshme e vetë Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk ka marrë në shqyrtim asnjëherë akte administrative të kësaj natyre siç është VKB e prishjes së Teatrit Kombëtar, Shoqata “Impetus”, e përfaqësuar nga avokatë të qendrës Res Publica, ngriti një padi në Gjykatën Administrative brenda afatit ligjor. Në këtë mënyrë, e vetmja padi e ngritur në momentin e duhur, para gjykatës së duhur, kundra VKB-së, është padia e Shoqatës “Impetus”.
Në media jemi njohur me një keqinterpretim të dëmshëm të efekteve të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e paraqitur sikur VKM e transferimit të pronës është bërë “nul” dhe për pasojë ka rënë edhe VKB e prishjes së Teatrit Kombëtar. Kjo nuk është aspak e saktë. VKM e transferimit të pronës është “shfuqizuar” dhe jo bërë “nul”, pra jo “anuluar”. Efektet e shfuqizimit të një akti vlejnë vetëm pas botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare. (neni 76 i ligjit “Për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” nr. 8577/2000) Botimi ka ndodhur më 21 Korrik 2021 dhe çdo gjë e kryer në bazën e VKM-së së transferimit të pronës para datës 21 Korrik 2021, konsiderohet e vlefshme, përveç rastit kur ngrihet padi brenda afateve në Gjykatën Administrative, siç ka vepruar Shoqata “Impetus”. Gjithashtu edhe Kodi i Procedurave Administrative e shpreh qartë që në rastin e “shfuqizimit” të gjitha pasojat e ardhura deri në atë moment janë të vlefshme, ndërsa në rastin e “anulimit”, pasojat janë të paligjshme që nga fillimi. Pikërisht, me këtë dijeni juridike, Këshilli i Ministrave dhe Bashkia Tiranë, duke pritur që Gjykata Kushtetuese thjesht do “shfuqizonte” VKM-në, nxituan shumë shpejt për të alokuar një fond në ligjin e buxhetit të shtetit dhe të nxirrnin me urgjencë lejen e ndërtimit për godinën e re të Teatrit Kombëtar, para se Gjykata Kushtetuese të shprehej për shfuqizimin e VKM-së së transferimit të pronës. Qëllimi i tyre ishte të përfitonin, siç e shpjeguam më lart, nga fakti që çdo gjë që ndodh para shfuqizimit konsiderohet ligjërisht e vlefshme.
Këto shqetësime, shoqata “Impetus” i ka ngritur edhe më herët, që në fillim të procesit kur ne ftuam si palë të treta Presidentin e Republikës dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit. Shqetësimet tona janë përmbledhur në mënyrë koncize gjithashtu në kërkesën zyrtare të dërguar Presidentit të Republikës dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit më 26 Korrik 2021. Në këtë kërkesë zyrtare, iu kërkuam këtyre dy institucioneve që të mbështesnin padinë tonë të ngritur në Gjykatën Administrative, kur tashmë vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e zgjidhi problemin dhe padia në Gjykatën Administrative mbetej i vetmi mjet gjyqësor që mund të rrëzojë VKB-në e prishjes së Teatrit Kombëtar dhe mund të sjellë pasoja për rivendosjen e ligjshmërisë duke e rindërtuar Teatrin Kombëtar aty ku ishte dhe ashtu siç ishte. Në këtë letër kemi sqaruar edhe shqetësimin tonë që Qeveria i kishte të gjitha mundësitë ligjore që të nxirrte një VKM të re, siç edhe ndodhi disa ditë më pas, në kushtet kur VKM-ja e re e transferimit të pronës nuk do ishte më në kushtet e papajtueshmërisë me Kushtetutën, sipas vlerësimit të bërë nga Gjykata Kushtetuese. Kjo e fundit nuk e shfuqizoi VKM-në e transferimit të pronës për arsyet e ngritura nga Presidenti i Republikës (që prona ishte pasuri publike dhe duhej transferuar vetëm me ligj dhe jo VKM), por, në bazë të parimit “iura novit curiae” (që do të thotë gjykata e di vetë ligjin dhe e gjen vetë zgjidhjen) Gjykata Kushtetuese u shpreh se Teatri Kombëtar nuk ishte më pasuri publike dhe nuk mbrohej më si monument kulture që nga data 18 Maj 2004. I vetmi shkak papajtueshmërie me Kushtetutën mbeti fakti që kjo VKM binte ndesh me ligjin special për ndërtimin e Teatrit Kombëtar dhe të dy këto akte përfaqësonin dy zgjidhje të ndryshme për të njëjtin problem (ligji special e jepte me koncension të ndërtohej nga subjekt privat me fondet private, ndërsa VKM-ja ia kalonte Bashkisë Tiranë ta ndërtonte me tender, me fonde të buxhetit të shtetit). Kështu Gjykata Kushtetuese u shpreh se kjo krijonte probleme të koherencës juridike dhe ishte e vetmja arsye anti kushtetutshmërie (shif paragrafet 136-139 të vendimit të Gjykatës Kushtetuese). Që nga momenti që ligji special u shfuqizua (nga vetë Vendimi i Gjykatës Kushtetuese), tashmë nuk shfaqej asnjë problem koherence juridike.
Fakti që Presidenti i Republikës nuk ka paraqitur një kërkesë të re në Gjykatën Kushtetuese për të shfuqizuar edhe këtë VKM të re të transferimit të pronës, sugjeron që ky institucion është në dijeni të plotë që kjo sipërmarrje e re para Gjykatës Kushtetuese nuk do të kishte sukses, për arsyet e sipërpërmendura.
Në këto kushte, çështja e Teatrit Kombëtar nuk mori asnjë zgjidhje reale nga Gjykata Kushtetuese (duke mbetur një fitore fasadë) dhe mundësia e vetme për zgjidhjen teknike të çështjes mbetet procesi gjyqësor në Gjykatën Administrative.
Ne jemi në pozicion të vështirë juridik në këtë proces, për shkak se të gjitha palët deri tani janë kundër, ku përveç qeverisë qendrore dhe Bashkisë Tiranë, së bashku me interesat e bizneseve që lidhen me ndërtimin e godinës së re, janë rreshtuar kundër kësaj padie edhe ata që mbështesin publikisht çështjen e Teatrit Kombëtar, si dhe Presidenti i Republikës është shprehur kundërshtues dhe kritik ndaj nesh deri tani, ndërsa Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk ka qenë bashkëpunues, qëndrime të konfirmuara në proceset gjyqësore ku këto institucione janë thirrur nga shoqata “Impetus” si palë e tretë. Pikërisht sepse të gjithë palët janë kundër, ngrihen pikëpyetje të legjitimimit tonë para gjykatës.
Për arsyet e mësipërme, të cilat Jua kemi bërë me dije në mënyrë të zgjeruar edhe në shkresën e datës 26 Korrik 2021, në Ju kërkojmë që të reflektoni edhe një herë të fundit, kur tashmë na ndajnë vetëm 48 orë nga seanca gjyqësore e planifikuar. Ishte pikërisht besimi që kishim te këto Institucione si të vetmet në zinxhirin e organeve shtetërore që ishin shprehur kundër prishjes së teatrit, që na bëri t’Ju ftonim të merrnit pjesë në këtë gjykim, si dhe mundësia që t’Ju kalonim Juve të drejtën e kësaj padie, nëse Ju do të dështonit eventualisht në Gjykatën Kushtetuese kundër VKB-së së prishjes së Teatrit Kombëtar, ndërkohë që këtë të drejtë nuk e ushtroi brenda afateve ligjore asnjë institucion apo grupim.
Sot, Ju ftojmë të merrni në dorë këtë proces gjyqësor, duke këmbyer rolet e paditësit me personin e tretë, sipas propozimit tonë zyrtar, nëse vërtet keni vullnetin për ta zgjidhur çështjen.
Nëse nuk e keni vullnetin për ta ndjekur më këtë çështje, ose, nëse jeni të bindur që çështja është zgjidhur plotësisht nga Gjykata Kushtetuese, atëherë ne do të tërhiqemi nga kjo përpjekje. Nuk mund dhe nuk duhet të jetë interesi i Teatrit Kombëtar i përfaqësuar nga vetëm një shoqatë kundër të gjithëve, sidomos kur vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka vështirësuar gjithçka, si dhe kur jetojmë në kohëra të vështira për vetë gjyqësorin. Në çdo rast, se cila do ishte zgjidhja Juaj më e mirë, do e tregojë koha.
Me respekt
Shoqata “Impetus”
Pingback: Përpjekja e fundit kundër prishjes së Teatrit rrezikon të shuhet - Exit | Shpjegon Shqipërinë