AGJENCIA E PROPAGANDËS RAMA – ASGJË E RE NGA FRONTI

Për avokaten Dule krijimi i kësaj agjencie nuk do të ndihmojë informimin më të mirë e më të shpejtë të publikut por do të sigurojë kontroll më të strukturuar mbi informacionin që hyn dhe del në zyrat e ekzekutivit, nga zyra pranë Kryeministrit.

Nga Valmora Gogo

Më 18 shtator 2021 qeveria vendosi krijimin e Agjencisë për Media dhe Informim. Pas drejtimit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare dhe aktualisht Autoritetit të Mediave Audiovizive nga ish-zëdhënësja e Partisë Socialiste Armela Krasniqit dhe pas kapjes së Televizionit Publik Shqiptar që herët kur socialistët qeverisnin me LSI-në, ky është një akt tjetër publik për kontrollin e informacionit.

Kushdo që nuk ka jetuar në Shqipëri ose së paku që nuk e njeh Shqipërinë në këndin e marrëdhënieve qeveri-media, media-qeveri do skandalizohej. Por, do ta shtjellojmë më tej me ftohtësi se në fakt, është as më shumë e as më pak se e njëjta gjë me atë që kryeministri Rama ka bërë de facto në kontrollin e informacionit, me ndryshimin e vetëm se tani ka dashur ta ligjërojë me një lloj të ri organizimi. Këtij argumenti do t’i rikthehemi sërish por le ta zhbirilojmë hap pas hapi se çfarë dihet deri më tani mbi këtë agjenci.

LEXIMI KRITIK

Lindita Çela, gazetare e “OCCRP”-së e thotë se vitet e fundit çdo informacion ka qenë i kontrolluar nga qeveria por sipas saj, shqetësuese këtë herë është arroganca e qeverisë për të legalizuar propagandën.

“E vërteta është se vitet e fundit e fundit çdo informacion ka qenë i kontrolluar nga qeveria, duke nisur nga kasetat e prodhuara në zyrat e ashtuquajtura të marrëdhënieve me publikun e deri tek refuzimi i institucioneve për të dhënë informacion zyrtar, por ajo që unë tashmë e shoh më problematike është se për herë të parë qeveria ka arrogancën ta legalizojë propagandën në rang ministrie…”, shprehet Çela.

Gazetari Isa Myzyraj thotë se edhe pse qeveria është kritikuar shumë dy mandatet e para për përdorimin masiv të burimeve njerëzve në propagandë, tanimë situata do të jetë e rregulluar edhe me “ligj special”. “Dy mandatet e para qeveria është kritikuar shumë, në lidhje me përdorimin masiv të burimeve njerëzore, si për te hapur profile false në rrjetet sociale për të sulmuar kundërshtarët, si për të shpërndarë materialet propagandiatike, si për të monitoruar e sulmuar median. Tanime në këtë mandat të gjithë këto burime njerëzore, sa ilegale sa legale, do të jenë të rregulluara me “ligj special” siç është VKM-ja e fundit.”, shprehet Myzyraj.

Gazetarja Çela thotë se drejtori i kësaj agjencie do ketë statusin e ministrit të Shtetit por nga ana tjetër kjo strukturë nuk është ngritur për shërbime jetike për qytetarët.

“Në rastin e krijimit të agjencisë, dukshëm nuk kemi të bëjmë me ofrimin e një shërbimi për popullatën, pasi nuk besoj se shqiptarëve ajo që u mungon në pritshmërinë tyre janë informacionet e qeverisë, por shërbimet jetike, ku ende qoftë edhe për legalizimin e një dokumenti duhet të presin në radhë”, thotë Çela.

Irena Dule, avokate pranë qendrës “Res Publica” ngre pyetjen pse u krijua tani kjo agjenci dhe për ç’qëllim.

“Pse kjo krijesë e re, çfarë qëllimi dhe misioni të parregulluar deri më tani kërkon të plotësojë. Kjo pyetje e gjen përgjigjen si rregull në relacionin që shoqëron aktin e krijimit (VKM përkatëse), që në rastin konkret nuk është publikuar ende. Në mungesë të këtij akti, përgjigjen e jep leximi i VKM-së në tërësi. Sipas kësaj VKM-je që përbën dhe aktin e themelimit të agjencisë, nuk ka asnjë funksion që nuk kryhet aktualisht nga strukura ekzistuese. Kështu në çdo institucion të nivelit të lartë qendror dhe vendor, funksionet e parashikuara në VKM-në në fjalë kryhen tipikisht nga zëdhënësi i shtypit, zyrat e marrëdhënieve me jashtë, kabineti i titullarit, koordinatorët për të drejtën e informimit. I vetmi funksion i parregulluar më parë është centralizimi i aktivitetit të këtyre strukturave, që tashmë do të jenë në varësi të agjencisë, ku kjo e fundit është në varësi direkt të Kryeministrit. Centralizimi i një aktiviteti në parim nuk i shërben demokratizimit dhe rasti në fjalë nuk bën përjashtim. “, thotë avokatja Dule.

Sipas gazetares Çela, janë pikërisht institucionet e pushtetit qendror ato që shkelin ligjin për informimin me të dyja këmbët.

“Pika N e VKM-së thotë se Agjencia “Siguron përgjigje për shkresat dhe kërkesat për informacion në lidhje me çështjet e informimit dhe komunikimit mediatik”, pra çdo gazetar për të kryer punën e tij është në vartësi të informacionit që përcjellin punonjësit e kësaj strukture. Veç kësaj qeveria i jep të drejtën vetës edhe të vendosë kush është gazetar profesionist në këtë vend pasi në pikën L të VKM-së thuhet se agjencia do të krijojë faqe interneti dhe/apo kanale komunikimi të dedikuara për profesionistët e medias dhe publikun, duke ofruar lajme, materiale shtesë dhe dokumente mbi politikat e qeverisë apo institucioneve publike. Pra dukshëm, jo vetëm gazetarët por edhe opinioni publik nuk do të ketë asnjë qasje të pavarur mbi dokumentet zyrtare apo edhe informacion të pavarur.”, shprehet Çela duke shtuar se çdo pikë e funksionimit të kësaj agjencie është një kambanë alarmi mbi të drejtën e informimit dhe punës së gazetarëve.

Për avokaten Dule krijimi i kësaj agjencie nuk do të ndihmojë informimin më të mirë e më të shpejtë të publikut por do të sigurojë kontroll më të strukturuar mbi informacionin që hyn dhe del në zyrat e ekzekutivit, nga zyra pranë Kryeministrit.

“Si njohëse e mirë e sjelljes së administratës ndaj gazetarëve dhe publikut, në çështje të aksesit në informacion, (për shkak të përfaqësimit gjyqësor të këtyre të fundit, në cilësinë e avokates në shumë çështje), e shoh problematik krijimin e kësaj agjencie në raport me lirinë e shprehjes, pasi lajmet e parafabrikuara nga kjo agjenci do të jenë edhe ushqimi kryesor i mediave. Nëse deri tani ky fenomen ishte i theksuar për disa zyra qendrore (Kryeministri/Bashki), me krijimin e kësaj agjencie, ky fenomen stabilizohet në çdo institucion.”, thekson Dule.

“Është një asgjenci sa e panevojshme, aq komplekse në qëllimin dhe punën e saj. Rama ka provuar çdo mjet për kapjen e medias, nga presionet, censura, deri tek anatemimi e ligje, ndërsa tani e ka prefeksionuar me një vendim të Këshillit të Ministrave si për të treguar se asgjë nuk mund të flitet pa lejen e tij nga Partia Socialiste dhe i gjithë kabineti. Mendoj se pasojat do të jenë katastrofike, si për lirinë e medias, si për komunikimin publik e llogaridhënien e qeverisë.”, përfundon gazetari Myzyraj.

PSE S’KA ASGJË TË RE NGA “FRONTI”

Endri Fuga, drejtori i Komunikimit në Kryeministri

A ka patur nevojë Rama për një agjenci që të kontrollojë mediet dhe informacionin? Përgjigja është JO. Rasti i pandemisë, kontrolli dhe centralizimi i informacionit ku gazetarët u ndeshën me bllokim total të informacionit duke marrë vetëm komunikimet propagandistike nëpërmjet rrjeteve sociale të Ramës, është fakti kokëfortë se Rama e kontrollon informacionin dhe mediet, këto të fundit edhe me dëshirë të tyre (lexo mbi censurën e pretenduar nga analisti Ylli Rakipi për emisionin e tij në “News24”.)

Agjencia u përmbahet shtyllave të “llogaridhënies de facto alla Rama” duke mos sjellë asgjë të re:

1. Propaganda

2. Centralizimi i informacionit

3. Pronësia direkte e medies (ERTV)

4. Centralizimi i këshilltarëve mediatikë

5. Kontrolli i medieve në konferenca shtypi e më gjerë

6. Marrja e hapësirës televizive në negociata direkte me pronarët e televizioneve të mëdha

7. Kategorizimi “gazetar opozitar” dhe zhvlerësimi “media kazani”

Rama ka patur kontroll të plotë mbi çdo konferencë shtypi dhe aq më shumë ndaj qindra e mijëra kërkesave të gazetarëve në institucionet që varen prej Ramës si kryeministër a institucione ku drejtojnë socialistët, të cilat kanë marrë përgjigje pa informacion.

Por po, nëpërmjet kësaj agjencie ai mund të neutralizojë zëra të vegjël të brendshëm, të tanishëm apo në të ardhmen kundër qeverisë duke i mbajtur nën kontroll, mjafton të kujtojmë “kujet” publike të ish-zëvendëskryeministrit Erion Braçe muajt e fundit.

Marrë nga: gogo.al

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top