Qendra “Res Publica” vazhdon betejën ligjore kundër kompanisë Albpetrol

Pas 10 vitesh, punonjësit e Albpetrolit fitojnë të drejtën për njohjen e dëmshpërblimit të vjetërsisë në punë.

Në vitin 2010 ishte 54 vjeçe kur u pushua nga puna. Ju ofrua asistencë një vjeçare, e më pas duhet të priste moshën e pensionit, por si e papunë. Ky ishte shpërblimi i vetëm që shtetasja L.L me profesion gjeologe morri për 36 vitet e punës së saj në ndërmarrjen Albpetrol.

Si gjeologia, u larguan nga puna me një të rënë të lapsit edhe 1294 punonjës të Albpetrolit. Në kundërshtim flagrant me kodin e punës, asnjë prej punonjësve nuk u njihej vjetërsia në punë. Shumica e të pushuarve kishin mbi 30 vite që jepnin kontributin e tyre në ndërmarrjen e përpunimit dhe tregtimit të naftës. Duke i mohuar vjetërsinë e punës personelit të larguar, kompania Albpetrol përfitonte një shumë që përllogaritej në vlerën e mbi 5 milion dollarë. Veç kësaj, punonjësit intimidoheshin për të hapur procese gjyqësore, me argumentin se ato nuk kishin asnjë mundësi fitimi nga drejtësia.

Asokohe, për shkak të gjendjes së krijuar, qendra “Res Publica” tentoi të kontaktojë me përfaqësues të punonjësve të pushuar, në kuadër të një projekti nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, për t’ju ofruar ndihmë juridike punonjësve.

Në takimet e zhvilluar një syresh ishin hezitues, për shkak të informacionit të siguruar në rrugë in-formale se ata nuk kishin asnjë mundësi që të fitonin proceset gjyqësore.

10 prej punonjëseve vendosën të sfidojnë këtë mentalitet dhe i besuan qendrës “Res Publica” për të ndjekur këtë çështje në rrugë gjyqësore, me objekt padie të fokusuar në shpërblimin për vjetërsinë në punë të punonjësve të larguar nga ndërmarrja Albpetrol.

Në vitin 2012, gjykata e Shkallës së Parë në Fier rrëzon të gjitha kërkesat e punonjësve. duke argumentuar se shpërblimi për vjetërsi nuk u takon paditësve.

Pavarësisht se mbështetja e projektit nga Fondacioni Soros përfundoi atë vit, (projekti ishte një vjeçar), Qendra “Res Publica” nuk hoqi dorë nga beteja e nisur juridike.

Avokatët e Qendrës apeluan vendimet në Gjykatën e Vlorës, e cila edhe ajo la në fuqi vendimet e gjykatës së shkallës së parë me të njëjtën logjikë, procese këto që janë zhvilluar gjatë viteve 2012-2013.

Të bindur që kishin të drejtë, avokatët e zhvendosën betejën ligjore në Gjykatën e Lartë e cila do të kishte edhe shansin të krijonte një praktikë re gjyqësore, jo vetëm në interes të personave të përfshirë në proces por edhe të cdo punonjësi të pushuar nga puna që i mohohej e drejta e shpërblimit të viteve të vjetërsisë në punë.

Gjatë viteve, 2015-2016, Gjykata e Lartë nisi të pranonte për herë të parë kërkesa të kësaj natyre dhe punonjësit të merrnin shpërblimin për vjetërsi në punë, një e drejtë kjo legjitime e tyre.

Pavarësisht proceseve gjyqësore të tej zgjatura; humbjeve të betejës ligjore në dy shkallët e para të gjyqësorit, qendra “Res Pubulica” vazhdon edhe sot të luftojë për këto çështje ligjore. Fituesja e radhës ishte gjeologia që nisi punë në ndërmarrjen Alptrol në moshën 18 vjeçare.

Vërtetë drejtësia, kur je i bindur tek ajo, vonon por ama nuk harron, kur lufton deri në fund. Ky është një rast thirrje për reflektim edhe për mbështetësit e shoqërisë civile që të marrin në konsideratë se luftërat juridike mund të marrin shumë kohë për të arritur sukses. Në një vit mund të ndodhin pak gjëra, por në 10 vjet mund të ndodhin ndryshime shumë të mëdha të praktikës gjyqësore, të cila janë edhe objekti kryesor që duhet të ketë shoqëria civile.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top