44 organizata të shoqërisë civile denoncojnë konsultimet farse të qeverisë për ndryshimin e hartës së zonave të mbrojtura

Foto: Konsultimi publik me  organizatat  mjedisore për draft-vendimet e Këshillit të Ministrave për Sistemin e rivlerësuar të Zonave të Mbrojtura
Foto: Gjatë konsultimit publik me organizatat mjedisore për draft-vendimet e Këshillit të Ministrave për Sistemin e rivlerësuar të Zonave të Mbrojtura

“Cënimi i sistemit të zonave të mbrojtura në Republikën e Shqipërisë, po bëhet në interes të përfitimeve ekonomike, private”.

Dyzet e katër organizatat e shoqërisë civile kundërshtojnë procedurat e konsultimit publik që i paraprijnë vendimeve të Qeverisë për të ndryshuar kufijtë e hartave të zonave të mbrojtura duke hequr pjesë të rëndësishme të territorit nga zonat e mbrojtura, sidomos në zonat afër bregdetit. Dëgjesa publike, lidhur me draft-vendimet e Këshillit të Ministrave ishte parashikuar të zhvillohej nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura dhe Ministria e Turizmit mëngjesin e 28 korrikut 2021.

Përfaqësuesit e organizatave mjedisore e konsideruan organizimin e këtij takimi një takim të llojit “qokë” pasi ndryshimi i kufijve të zonave të mbrojtura ishte vendosur nga KKT në dhjetor 2020 dhe vendimet e këshillit të Ministrave i jepnin formën e duhur ligjore vendimit të KKT. Kjo u konfirmua edhe nga qëndrimi i Z. Dedei, i cili u shpreh se procesi i ndryshimit të kufijve edhe pse i kontestuar dhe me problemet që u parashtruan, do të përfundojë nëpërmjet miratimit të VKM

Për më shumë se 4 orë debate të pandërprera, juristë, profesorë, biologë, përfaqësues së institucione kërkimore dhe mësimorë argumentuan të gjitha të gjitha shkeljet ligjore të bëra nga institucionet shtetërorë në miratimin e ndryshimit të hartave të zonave të mbrojtura.

Për avokaten Irena Dule kufijtë e zonave të mbrojtura po ndryshojnë përmes një procesi të paligjshëm.

“Miratimi i VKM së rishikimit të kufijve të Zonave të Mbrojtura është një lloj përpjekje për të “legalizuar” një proces të paligjshëm, i cili mund të korrigjohet vetëm duke e ribërë procesin. Janë injoruar në mënyrë të hapur, kërkesat ligjore, ku ndryshimi i kufijve nuk mund të bëhet pa një plan territori, pa marrë mendimin e specializuar të institucioneve shkencore, fakultetit të shkencave, biologë, pa informuar dhe pa marrë mendimin e Bashkive, etj. Procesi i konsultimi publik si segment më vete është sërish jo në përputhje me kriteret ligjore, por kjo është pjesa difektoze më e lehtë e të gjithë këtij procesi, të gjitha shkeljet e tjera e bëjnë këtë proces të pa legalizueshëm”-deklaroi Dule.

Ekspertët hodhën dyshime se takimi nuk kishte aspak për qëllim për synim konsultim efektiv për të bërë ndryshime të nevojshme në Draft Vendimet e Këshillit të Ministrave.

Sipas tyre synimi i ndryshimit të hartave të zonave të mbrojtura është cenimi i sistemit të zonave të mbrojtura në Republikën e Shqipërisë, në interes të përfitimeve ekonomike, private.

Për Dorian Matlija, drejtor i Qendrës “Res Publika”, në kushtet kur KKT tashmë ka vendosur kufijtë dhe ministri po propozon VKM-te, nuk mbetet shumë për të konsultuar me palët:

“Ky konsultim nuk sjell asnjë ndryshim të zonave të mbrojtura dhe bëhet sa për të kryer një procedurë formale. Ndërkohë procesi është kompromentuar që nga fillimi pasi mungon Plani Specifik për tërësinë e zonave të mbrojtura, siç parashikon ligji dhe ky plan kërkon vlerësimin strategjik mjedisor, i cili nuk na rezulton të jetë kryer. Pa këtë themel, e gjithë ngrehina e procesit është e kompromentuar, si dhe në kushtet kur catia dhe vula i është venë tashmë nga KKT. Pjesëmarrja e shoqërisë civile në këto tryeza kërkohet vetëm për të legalizuar këtë ngrehinë, duke lënë në diskutim vetëm bojatisjen e fasadës. Ky është thelbi i reagimit tonë, që ne nuk e pranojmë këtë proces, nuk e njohim legjitimitetin e tij. Kërkojmë transparencë dhe qartësi të procesit, dhe si rrjedhojë kërkojmë nga institucionet të rishikojnë tërësinë e procesit të deri tanishëm.  Zhvillimi ekonomik ka mundësi të shumta për t’u modifikuar, spostuar dhe përshtatur, mundësi të cilat nuk janë konsideruar. Zonat e Mbrojtura duhet të shpallen sipas kritereve shkencore dhe procedurave ligjore që t’i shërbejnë ruajtjes së natyrës dhe biodiversitetit dhe jo të qepen me porosi sipas interesave ekonomike të një zhvillimi të paqëndrueshëm e të pastudiuar sic duhet, ne kundërshtim me ligjin dhe me kërkesat e vazhdueshme të Bashkimit Evropian e shumë partnerëve të tjerë të Shqipërisë.”- tha Matlija.

Sipas mjedisorëve miratimi i ndryshimit të hartave do të shkaktojë pasoja të forta negative në Sistemin e Zonave të Mbrojtura, sidomos të atyre ligatinore bregdetare, dhe në larminë biologjike të vendit.

Më 28 dhjetor 2020, Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar hartat dhe zonimin e të gjitha zonave të mbrojtura në Republikën e Shqipërisë. Në ndryshimet e bëra janë përfshirë 4 zonat e reja si dhe 6 zonat hiqen nga sistemi apo pësojnë ndryshime në kategori, apo sipërfaqe të zonave të tjera. Ky vendim u mor në fshehtësi të plotë dhe harta e miratuara u publikuara në faqen zyrtare të KKT-së vetëm pas tre muajsh dhe jo pas 10 ditësh sipas parashikimeve të ligjit.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top