Gjykata Administrative e Apelit vendos të legjitimojë çdo person në ngritjen e padive për çështjet mjedisore

Aktivistët e shoqërisë civilë mbështetin vendimin i cili i hap rrugë proceseve gjyqësore për të kundërshtuar aktet administrative apo dhe vendimet për ndërtime që rrezikojnë apo dëmtojnë mjedisin

Një grupi aktivistësh të shoqërisë civile iu deshën 5 vjet për t’u legjitimuar nga gjykata në ngritjen e një padie gjyqësore për çështje mjedisore.

Bëhet fjalë për betejën ligjore të 5 aktivistëve të cilët i kërkuan gjykatës shpalljen e pavlefshme të aktet administrative të zbatimit të projektit të Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e një parku lojërash tek Liqeni Artificial.

Padia e aktivistëve u rrëzua nga gjykata me argumentin se ata duke mos qenë pronarë të liqenit nuk ishin dëmtuar drejtpërsëdrejti.

Në Dhjetor të 2020 Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, i njohu të drejtën aktivistëve në ngritjen e padisë, duke legjitimuar në këtë mënyrë të drejtën e çdo qytetari për të ngritur padi për çështje mjedisore.

Vendimi është përshëndetur nga aktivistët e shoqërisë civile për të cilët aksesi në gjykatë thuajse ishte një mision i pamundur.

Në një studim të kryer nga avokatët Irene Dule dhe Dorian Matlija për “Paditë Kolektive”, thuhet se se organizata dhe individë që kanë të gjithë dëshirën për të marrë përsipër një betejë ligjore për mbrojtjen e mjedisit, nuk lejohet të nisin një gjyq të kësaj natyre, pasi nuk legjitimohen si palë paditëse.

Në të shumtën e rasteve padia e tyre është e destinuar të rrëzohet. Legjislacioni i paqartë dhe interpretimi i ngushtë të gjyqtarëve, shihet në studim si një nga arsyet kryesore të rrëzimit të padive mjedisore.

Beteja për tu legjitimuar

Andi Tepelena, Ervin Goci dhe Rezarta Caushaj në shkurt të vitit 2016 iu drejtuan gjykatës Administrative të Tiranës duke paditur Bashkinë për ndërtimin e një parku lojërash tek Liqeni Artificial

Gjykata Administrative vendosi rrëzimin e kërkesës së padisë me argumentin se ata duke mos qenë pronarë të prekur të liqenit nuk ishin dëmtuar drejtpërsëdrejti. E thënë në gjuhë juridike , vendosi mos legjitimim e paditësve

Vendimi u apelua nga avokati Matlija dhe në Dhjetor të vitit 2020 Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, vendosi të legjitimojë aktivistëve në betejën e tyre ligjore në mbrojte të Parkut Kombëtar

“Vlerësohet se paditësit duke qenë të përfshirë në kuptimin e “publikut” kanë legjitimet në ngritjen e padisë, objekt të këtij gjykimi, me anë të të cilit ata kundërshtojnë aktet administrative të palëve të paditura për çështje që ata pretendojnë që lidhen apo rrezikojnë të dëmtojnë rëndë mjedisin. është gjykata e cila në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të çështjes disponon nëse këto pretendime dhe kërkime të padisë janë ose jo të bazuara në ligj dhe prova”-thuhet në vendim.

Kjo ishte hera e parë që një gjykatë e këtij niveli njeh legjitimimin e çdo qytetari për të ngritur padi për çështje mjedisore, pavarësisht se preket apo jo në mënyrë direkt dhe është apo jo i organizuar në formën e një shoqate.

“Asnjëherë nuk e kam kuptuar çështjen e legjitimimit sidomos në çështjet mjedisore sepse i gjithë legjislacioni gjyqësor është i ngritur mbi bazën e parimit të Konventës së Aarhusit,”- thotë Ermelinda Mahmutaj, drejtore e qendrës EDEN e cila e konsideron vendimin e gjykatës së Administrative të Apelit si një lajm shumë të mirë.

“Legjitimi i palëve do të thotë më shumë praktikë punë që do t’u jepet avokatëve dhe gjyqtarëve dhe në këtë mënyrë ata do të arrijnë të kuptojnë bazën ligjore për çështjet mjedisore”- shtroi Mahmutaj.

Ndërsa për Olsin Nikën, drejtues i organizatës EcoAlbania, jo vetëm mos-legjitimiteti si palë ndërgjyqësore por edhe korrupsioni në sistemin gjyqësor ka ndikuar që shumë aktivist të mos i drejtohen gjykatës në çështje që kanë të bëjnë me mjedisin.

“Mos-legjitimiteti është handikapi më i madh që interpreton gjykata. Nëse një person nga Tepelena ngre një padi për x çështje në një vend tjetër, gjykata e interpreton këtë si fakt që personi në fjalë nuk i preket interesi apo nuk është i dëmtuar”- thotë Nika.

Për drejtuesin e organizatës EcoAlbania, frika nga sistemi i drejtësisë mban larg aktivistët për tu përballur në gjykatë me institucionet shtetërore.

” Ajo që i step jo vetëm aktivistët por shpesh herë edhe organizatat për mendimin tim është gjyqësori i varur, sepse në thelb ti ngre padi kundër institucioneve shtetërore. Kur ne si organizatë iu drejtuam gjykatës për çështjen e ndërtimit të HEC-ve mbi lumin Vjosë, as nuk e menduam fare nëse do të legjitimoheshim apo jo. Ne kishim frikë në vendimin që do të merrte gjykata sepse e dimë çfarë ndikimin që kanë institucionet mbi gjykatat. Por ama, në momentin që ne fituam çështjen u hap një dritare e madhe për ne për të ndjekur çështje të tjera në gjykatë”- vijoi Nika.

Deri më tani shumë organizata dhe aktivistë të shoqërisë civile janë penalizuar nga gjykata për vijimin e proceseve gjyqësore që kanë të bëjnë me çështjet mjedisore.

Ndërsa për Olsin Nikën, drejtues i organizatës EcoAlbania, jo vetëm mos-legjitimiteti si palë ndërgjyqësore por edhe korrupsioni në sistemin gjyqësor ka ndikuar që shumë aktivist të mos i drejtohen gjykatës në çështje që kanë të bëjnë me mjedisin.

Rasti i i padisë së 27 banorëve të njësisë administrative Margegaj dhe shoqatës “Toka” që humbën betejën ligjore për të penguar ndërtimit e dy HEC-eve nga kompania Gener 2 në Parku Kombëtar të Luginës së Valbonës, është më flagranti.

Në qershor të vitit 2017,Gjykata Administrative e Tiranës rrëzoi padinë e banorëve dhe organizatës ambjentaliste kundër Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit që kishin miratuar ndërtimin e HEC-eve.

Gjykata nuk nuk i legjitimoi paditësit në ngritjen paditës me argumentin që paditësit t’i drejtohen gjykatës me padi duhet të kenë interes. Palët i mbështetën pretendimet e tyre mbi të drejta që sanksionon konventa e Aarhusit, e cila është pjesë e legjislacionit vendas. Gjykata pranoi se paditësit kishin të drejtë t’i drejtoheshin gjykatës për çështje që kanë të bëjnë me informimin dhe për çështje ku ata pretendojnë se duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes, kur këto çështje kanë të bëjnë me ndërhyrje ne mjedis nga ato të listuara në Aneksin 1 të Konventës. Sipas gjykatës ndërtimi i hidrocentraleve nuk bën pjesë në Aneksin 1 dhe paditësit nuk provojnë interes të ligjshëm.

“Elementi më negativ në këtë vendim është anashkalimi i Konventës së Aarhusit, e cila kërkon mbrojtje gjyqësore të së drejtës për t’u informuar dhe për të marrë pjesë në konsultimin publik, përpara nxjerrjes së akteve. E vetmja mënyrë për të realizuar këtë të drejtë është përmes anulimit të akteve të nxjerra në kushtet kur banorët dhe organizatat e interesuar nuk janë bërë pjesë e konsultimit publik. Vetëm në këtë mënyrë, organet shtetërore dhe subjektet private që interesohen për të ndërtuar hidrocentralin do të mund të detyroheshin të vepronin nga fillimi për të nisur ashtu siç e kërkon ligji procedurën e njoftimit dhe konsultimit publik. Duke e kufizuar të drejtën e banorëve vetëm në rastet kur ata provojnë që mjedisit i ka ardhur një dëm konkret, delegjitimon banorët për të drejtën e tyre të njoftimit dhe konsultimit, e cila në thelb është një e drejtë për t’i përfshirë ata në vendimmarrje përpara se ajo të bëhet fakt i kryer”- thuhet në një studim të kryer nga avokatët Irene Dule dhe Dorian Matlia, për Paditë Kolektive.

Megjithëse banorët e luginës së Valbonës përdorën çdo formë të mundshme ligjore, përfundimi i punimeve të dy hidrocentraleve tashmë është çështje ditësh në një zonë ku janë parashikuar të ndërtuar 14 hidrocentrale, lejet e të cilave u dhanë nga qeveria nga viti 2009 e në vazhdim.

Të njëjtën fat kanë pasur dhe çështjet të tjera sensitive të ngritura nga organizatat apo dhe aktivistë të mbrojtjes së mjedisit, të cilët jo vetëm protestuan por edhe iu drejtuan gjykatës për të penguar aktet administrative të institucioneve shtetërorë për ndërtimin e objekteve që cenojnë dhe dëmtojnë rëndë mjedisin.

Këndi i lojërave në Parkun Kombëtar të Tiranës është ndërtuar. Po ashtu edhe e xhamia se Namazgjasë, Tiranë, çështje këto që kanë qenë objekt të padive gjyqësore në gjykatën Administrative të Tiranës në kohën kur u vendos zbatimi i projekteve, por që paditë u rrëzuan për shkak të mos legjitimitet.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top