Pas 13 vitesh, SPAK i kërkon Gjykatës së Lartë gjykimin e Fatmir Mediut

“Është i vetmi person i akuzuar që nuk u gjykua kurrë për tragjedinë e Gërdecit”

Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë i kërkon rihapjen e procesit gjyqësor ndaj ish Ministrit Fatmir Mediu, i cili është personi i vetëm që u akuzua dhe nuk është gjykuar për rolin e tij në ndërtimin e fabrikës së armëve në Gërdec, nga shpërthimi i së cilës humbën jetën e 26 shtetas, u plagosë qindra të tjerë.

SPAK u vu në lëvizje nga kërkesa e familjes Durdaj të cilët humbën djali i tyre 7 vjeçar, dhe prej vitesh kërkojnë që drejtësia të gjykojë të gjithë të akuzuarit e kësaj ngjarjeje.

Kërkesa e familjarëve, bazohej në ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale në vitin 2017, të cilat i jep të drejtën viktimes se një krimi të kërkojë procedimin e fajtorit.

“Një nga personat e pandehur që nuk është gjykuar deri në fund, madje nuk është gjykuar asnjëherë, është edhe shtetasi Fatmir Mediu. Dispozita në fjalë i jep të drejtën viktimës dhe trashëgimtarëve të tij, që të kërkojnë nga organet përkatëse, që të kryejnë të gjitha veprimet e duhura për të dërguar përpara drejtësisë personat ndaj të cilëve ka prova të mjaftueshme për të kërkuar dënimin e tyre. Deri më sot nuk ka gjetur zgjidhje çështja më sipër, por me ndryshimin e legjislacionit përkatës, besojmë se jemi në kushtet e duhura që kjo kërkesë të marrë përgjigje pozitive dhe çështja në fjalë të dërgohet në gjykatë. “- argumentohet kallëzimin penal drejtuar SPAK-ut.

Në vitin 2009, në cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu u mor nën hetim për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, por më 14 shtator 2009, Gjykata e Lartë vendosi pushimin e çështjes penale ndaj tij, me arsyetimin se ky i fundit ka ri fituar imunitet sepse u rizgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Pas këtij momenti, organi i akuzës nuk ka kryer asnjë veprim të mëtejshëm për të ridërguar në gjykatë çështjen ndaj këtij personi, dhe pse familja Durda ka bërë bërë disa kallëzime në ish Prokurorinë e Përgjithshme dhe ka hapur dhjetëra procese gjyqësore.

Pas afro 2 muajsh nga kërkesa e familjarëve, SPAK thotë se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu, e pushuar me vendimin nr.6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Prokuroria e Posaçme vlerëson se ndjekja penale për çështjen penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë, pengesa e autorizimit për procedim ka qenë e përkohshme në momentin kur është vendosur pushimi i çështjes, ndërsa tani kjo pengesë nuk ekziston.

“Për shkaqet e mësipërme, në datën 05.05.2021 Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në Gjykatën e Lartë kërkesë për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu, e pushuar me vendimin nr.6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe vijimin e proçesit gjyqësor ndaj shtetasit Fatmir Mediu, i akuzuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal dhe nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak”-thuhet në njoftimin zyrtar.

Kërkesa e SPAK për rigjykimin e Mediut është konsideruar si një hap drejtë drejtësisë për viktimat e Gërdecit, nga Avokati i familjes Durda, Dorian Matlija.

Matlija thotë se është çështje shumë e rëndësishme pasi familjarët prej vitesh janë në kërkim të së vërtetës. Sipas tij, nëse nuk shkon çështja deri në fund, do t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut.

“Gërdeci është çështje shumë e rëndësishme për t’u zbardhur. Janë mbi 26 mijë faqe për çështjen e Gërdecit. Familjarët janë në kërkim të së vërtetës dhe kërkesat për rihapjen e hetimeve kanë nisur që prej vitit 2009″- shpjegoi avokati.

Por nëse kërkesa për rigjykimin e ish ministrit Mediu është një tregues për zbardhjen e tragjedisë së Gerdecit, Matlija deklaron se është shumë herët për të gjykuar.

“Është ende herët kjo varet se si do të shkojë hetimi me Fatmir Mediun dhe çfarë mund të deklarojë ai nëse do të merret i pandehur”.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top