Aktivistë të qytetit të Tiranës vazhdojnë betejën ligjore kundër ndërtimeve në parkun e Liqenit Artificial në Tiranë

Të pëfaqësi i aktivistëve, av Dorian Matlija: Gjykatës së Lartë i është kërkuar rigjykimi i abuzimeve të Bashkisë së Tiranës nga gjykata e apelit, me një tjetër trupë gjyqësore

Aktivistët e shoqërisë civile vijojnë betejën ligjore për të shpallur të pavlefshme aktet administrative dhe të paligjshëm zbatimin e projektit të Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e një parku lojërash tek Liqeni Artificial.

Në shkurt të vitit 2016, Bashkia e Tiranës befasoi publikun kur rrethoi pa paralajmërim disa mijëra metra të Parkut të Liqenit dhe lajmëroi planet për të ndërtuar një park lodrash për fëmijë. Qindra pjesëtarë të shoqërisë civile dhe organizata mjedisore protestuan ndaj projektit duke akuzuar Bashkinë se ka ndërhyrë në mënyrë shkatërrimtare dhe jo ligjore në betonimin e parkun.

Për më shumë se 80-të ditë, aktivistët kundërshtuan projektin në protesta që u përshkallëzuan disa herë në dhunë.

Andi Tepelena, Ervin Goci dhe Rezarta Caushaj, etj., iu drejtuan gjykatës administrative të Tiranës duke paditur bashkinë se për ndërtimin e projektit ka shkelur ligjin nr. 10 431, datë 9.6.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit”; Ligjin nr. 8672, datë 26.10.2000 “Për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar gjykatës për çështjet e mjedisit” dhe Ligjin nr.10 440, datë 7.7. 2011 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, etj.

Paditësit ngritën pretendimin se dispozitat e shkelura kanë sjellë zhvillimin e një leje ndërtimi pa marrë më parë leje të posaçme mjedisore dhe pa kryer konsultime publike sipas dispozitave ligjore. Konkretisht legjislacioni i referuar si shkak ligjor kërkon që pjesë e dokumentacionit lejues të ndërtimit të një parku tematik në një zonë të mbrojtur, Park Kombëtar, nuk mjafton një leje ndërtimi por duhet edhe miratimi i lejeve mjedisore si Vlerësim Strategjik Mjedisor, Vlerësim i Ndikimit në Mjedis dhe leje të tjera mjedisore si dhe konsultimi publik që shoqëron këto vlerësime. Të gjitha këto detyrime ligjore nuk janë përmbushur nga Bashkia e Tiranës, e cila vijoi punimet për ndërtimin e këndit të lojërave.

Në korrik të atij viti, Gjykata Administrative vendosi rrëzimin e kërkesës së padisë së aktivistëve, duke mos legjitimuar paditësit, me argumentin se ata duke mos qenë pronarë të prekur të liqenit nuk ishin dëmtuar drejtpërsëdrejti. Mbi këtë arsyetim gjykata nuk u thellua të merrte në shqyrtim argumentet për paligjshmërinë e zbatimit të projektit.

Ky vendim që u la në fuqi në Dhjetor të vitit 2020 nga Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, por kjo e fundit, ndryshe nga gjykata e shkallës së parë, i njohu të drejtën aktivistëve në ngritjen e padisë por nuk vlerësoi drejt kërkimet e tyre në lidhje me paligjshmërinë e zbatimit të projektit. Kjo ishte hera e parë që një gjykatë e këtij niveli njeh legjitimimin e çdo qytetari për të ngritur padi për çështje mjedisore, pavarësisht se preket apo jo në mënyrë direkt dhe është apo jo i organizuar në formën e një shoqate.

Pikërisht ndaj këtij vendimi, aktivistët duke qenë të bindur në të drejtën e tyre kanë bërë rekurs në Gjykatën e Lartë duke kërkuar, “Prishjen e vendimit nr. 1066, datë 17.12.2020 të Gjykatës Administrative të Apelit dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në këtë gjykatë me tjetër trup gjykues”.

Në rekursin e dorëzuar në gjykatë më 12 prill 2021, avokati i paditësve Dorian Matlija argumenton se: “Gjykatat kanë shkelur rëndë ligjin pasi kanë vlerësuar si të vlefshëm një akt administrativ (lejen e ndërtimit) dhe si të ligjshme veprimet (zhvillimin e lejes së ndërtimit) pa konsultuar vetë ligjin, por duke u bazuar në një shkresë të Ministrisë së Mjedisit, e cili për më tepër është një akt absolutisht i pavlefshëm, i kontestueshëm kryesisht nga vetë gjykata”.

Shmangia nga procesi i hartimit dhe konsultimit të VNM-së nga Bashkia Tiranë është marrë në shqyrtim nga gjykatat, të cilat kanë pranuar në mënyrë të njëanshme se veprimet janë në kushte ligjshmërie pasi Ministria e Mjedisit në një shkresë të saj pohon se nuk ka nevojë ky ndërtim për VNM.

“Gjykata nuk mund të marrë të mirëqenë përmbajtjen e një shkrese por ka për detyrë të vlerësojë vetë ligjin. Nëse ligji kërkon kryerjen e një VNM-je, kjo duhej vlerësuar nga gjykata, pavarësisht se një zyrtar jokompetent i një ministrie thotë të kundërtën në një shkresë absolutisht të pavlefshme.

Duke vepruar kështu, gjykata nuk ka zhvilluar një hetim të plotë dhe nuk ka arsyetuar drejt mbi faktet, duke përfshirë këtu edhe leximin e tekstit të ligjit nga vetë gjykata, por duke mbetur vetëm në një referencë të thjeshtë te një interpretimi i një zyrtari jokompetent. Në këtë mënyrë cenohet rëndë procesi i rregullt ligjor…”- argumenton avokati Matlija.

Punimet e ndërtimit të nisura në paligjshmëri të plotë dhe duke anashkaluar tërësisht institucionet e mbrojtjes së mjedisit, u kryen brenda zonës së identifikuar si Kurora e Gjelbër e Tiranës,

“Bashkia e Tiranës, jo vetëm që nuk ka hartuar raportin paraprak të VNM-së siç kërkohet nga Ligji i VNM-së për parqet tematike dhe nuk ka aplikuar për ndjekjen e procesit të VNM-së paraprake, por mbi të gjitha ka nisur punimet e ndërtimit të parkut të lojërave që në datën 10 Shkurt 2016 pa asnjë akt të vlefshëm administrative që miratonte kryerjen e punimeve të ndërtimit në fjalë. Me anë të kësaj veprimtarie, Bashkia e Tiranës jo vetëm ka shkelur legjislacionin në fuqi në lidhje me zhvillimin e territorit dhe vlerësimit të ndikimit në mjedis, duke kryer një veprimtari të paligjshme administrative, por ka penguar edhe ushtrimin e të drejtave të publikut të interesuar për të marrë pjesë në vendimmarrjen mjedisore”- argumentohet në rekursin e bërë në gjykatën e lartë së cilës i kërkohet shfuqizimin i lejes së ndërtimit për parkun e lojërave dhe rigjykimin e çështjes nga një trup tjetër gjykuese.

Parku i Madh i Liqenit Artificial të Tiranës u krijua në vitin 1958, me një sipërfaqe prej 250 ha. Më pas, rreth Parkut u ndërtuan objekte, si Kopshti Zoologjik, Rruga e 1000 selvive, Varrezat e Dëshmorëve e Fidanishtja, të cilat e rritën sipërfaqen e tij në 440 ha.

Sot, e gjithë kjo hapësirë është zvogëluar me ndërtime që janë miratuar nga të katërta anët e Parkut, as sa më së shumti i shkon për shtat fjala kopsht mes ndërtimeve që janë shtrirë në këtë anë të kryeqytetit.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top