Anetaresimi i Shqiperise ne BE varet edhe nga standardet e drejtesise penale

Anëtarësimi i Shqipërisë në BE varet nga përmbushja e standardeve të BE-së. Një prej fushave të lëna pas dore është drejtësia penale, jo e parë nga këndvështrimi i ndëshkimit të krimit dhe korrupsionit, por e parë nga këndvështrimi  i të pandehurve, të cilët duhet të gëzojnë të drejta të plota në procesin penal që mund të zhvillohet kundër tyre. Pikërisht ky aspekt ishte, ndër të tjerë, në fokusin e Res Publica dhe partnerëve Fair Trials International dhe Civil Rights Defenders në kohët e fundit.

Më 29 Janar 2021, u zhvillua takimi përmbyllës i projektit dy-vjeçar ‘’Avancimi i të drejtave procedurale në Shqipëri’’ të financuar nga Bashkimi Evropian dhe të impelementuar nga “Fair Trials International”, “Res Publica”, dhe “Civil Rights Defenders”, që ka si qëllim të përmirësojë nivelin e mbrojtjes së të drejtave procedurale penale në Shqipëri.

Në dy vjet projekti arriti të analizojë në thellësi kuadrin ligjor shqiptar në krahasim me 6 direktiva të BE-së dhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Informacionet u plotësuan edhe me të dhëna të rëndësishme të marra nga aktorë të sistemit, si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, punonjës policie.

Një konferencë 3 ditore e zhvilluar më 29 – 31 Janar 2020 me temën “Përmirësimi i të drejtave procedurale në Shqipëri: kontribuimi në zbatimin efektiv dhe koherent të të drejtës penale të BE-së në fushën e të drejtave të personave të dyshuar ose të akuzuar për krime”, solli në fokus studimin bazë mbi pajtueshmërinë e normave për të drejtat procedurale penale në vend me ato të acquis të Bashkimit Evropian, sidomos krahasuar me 6 direktivat e Bashkimit Evropian që garantojnë standarde procedurale në gjykimin penal. Konferenca krijoi mundësinë për ndarjen e përvojave mes aktorëve nga vendet e Bashkimit Evropian si dhe përfaqësues shqiptarë të institucioneve shqiptarë të drejtësisë dhe institucioneve akademike të cilët do të diskutojnë mbi mënyrën sesi duhet reformuar drejtësia penale në vend.

Projekti pati mundësinë të angazhojë një grup specialistësh nga organizata jofitimprurëse dhe avokatë praktikantë, të cilët në 6 takime të zhvilluara shkëmbyen ide, informacione dhe koordinuan veprimet për të avancuar të drejtat procedurale penale në praktikë.

Megjithë vështirësitë e shkaktuara nga pandemia e Covid-19, projekti arriti të trajnojë në 6 trajnime formale dhe disa trajnime informale 80 profesionistë të ligjit, kryesisht avokatë praktikantë, në 6 qytete të ndryshme, në Korcë, Pogradec, Sarandë, Vlorë, Shkodër dhe Tiranë. Një gjyq imitues u zhvillua për të materializuar në praktikë njohuritë e fituara në trajnime, ku pati një performancë të mirë të pjesëmarrësve.

Në përfundim, materialet e përfituara nga ky projekt janë të gatshme për t’u shftytëzuar nga autoritetet politikëbërëse për rishikimin e kuadrit ligjor apo përmirësimin e akteve nënligjore dhe të praktikës, si dhe organizatat dhe aktivistët e angazhuar në advokimin e të drejtës për proces të rregullt ligjor.

Raporti i plotë “Udhërrëfyesi për në BE: Anëtarësimi përmes reformës në drejtësinë penale në Shqipëri” mund të shkarkohet këtu.

Një raport i përmbledhur me titull “Udhërrëfyesi për në BE: Forcimi i të drejtës proceduriale në Shqipëri” mund të shkarkohet këtu.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top