Një tjetër padi e fituar në Gjykatë, përfaqësuar nga Qendra Res Publica, në favor të lirisë së shprehjes.
Në nëntor të vitit të kaluar, shoqëria tregtare Edil Al It shpk, e njohur për aktivitet tregtar në fushën e ndërtimeve, me ortakët e saj pronarë të medias Vizion Plus, paditi gazetarin Artan Rama për cenim imazhi, pas një shkrimi investigativ të këtij të fundit.
Më parë, kjo shoqëri kishte fituar një tender të shpallur nga Ministria e Kulturës me vlerë afro 10 miliard lekësh për rehabilitimin e sallës së Teatrit Kombëtar, sipas gazetarit të paditur, në kushtet e konfliktit të interesit, pasi i shoqi i Ministres Kumbaro është një prej gazetarëve të mirë paguar të televizionit Vizion Plus. Sipas artikullit, kjo kompani nuk kishte pasur eksperiencë të mëparshme në këtë fushë, si dhe disa parregullsi të tjera ishin gjithashtu objekt i shkrimit investigativ të gazetarit Rama.
Sipas paditësit, EDIL AL, me këtë artikull, gazetari i kishte shkaktuar kompanisë tender fituese një dëm prej 150 milion lekësh, nga cenimi i imazhit.
Çështja u përfaqësua në gjykatë nga avokati Dorian Matlija, Dretor Ekzekutiv i Qendrës Res Publika dhe avokate Irena Dule,të cilët paraqitën para gjykatës, motivin e gazetarit, i cili investigoi për një fenomen të njohur dhe me rëndësi për publikun, që është përfitimi i fondeve publike nga kompani të lidhura me mediat që ndikojnë më pas në vetëcensurën e tyre dhe që në kontekstin shqiptar ushqehet nga lidhja e pushtetit politik me pushtetin ekonomik të pronarëve të medias. Gjithashtu avokatët sollën në vëmendje të gjykatës praktikën e Gjykatës së Strasburgut duke theksuar rëndësinë e ndarjes së fakteve nga opinionet e gazetarit, ku këto të fundit gëzojnë një liri të gjerë.
Këto së bashku me prova të tjera, të marra nga Gjykata, e cila hetoi në mënyrë të thelluar mbi procedurën e tenderit, duke bërë palë të procesit edhe Ministrinë e Kulturës dhe Drejtorinë e Tatimeve Tiranë, i krijuan bindjen gjyqtares së cështjes Antonela Prendi, se padia duhej rrëzuar dhe dha një vendim pozitiv për gazetarin në përfundim të gjykimit.
Ky vendim i Gjykatës është jo vetëm certifikim i mospërmbajtjes së shpifjeve në artikull, por edhe një praktikë e mirë gjyqësore dhe inkurajuese për të gjithë gazetarët investigativë, të cilët kanë për qëllim informimin e publikut për çështje sensitive, që lidhen me (keq) përdorimin e fondeve publike.
Padi të tjera që po gjykohen nga gjykata e Tiranës, pjesë e të cilave përfaqësohen nga Qendra Res Publika, (si Gjin Gjoni kundër BIRN) me objekt shkrime të gazetarisë investigative, pritet të përfundojnë me shpresën që e njëjta logjikë do të ndiqet edhe nga gjyqtarët e këtyre çështjeve.
Liria e shprehjes në Shqipëri has në pengesa të shumta për shkak të vetëcensurës, që ushqehet nga shumë faktorë, por edhe nga padi të kësaj natyre, ku “të prekurit”, në përgjithësi njerëz me influencë, kërkojnë mes padive në gjykatë shuma të kripura me pretendimin e cenimit të imazhit, të cilin nuk kujdesen ta ruajnë me të njëjtin fanatizëm, gjatë veprimtarisë së tyre. Ndaj fitoret në Gjykatë ndaj këtyre padive i japin krahë lirisë së shprehjes dhe për këtë arsye janë jo thjesht fitore personale të gazetarëve të paditur, por zemër dhënëse e gazetarëve të tjerë dhe ushqim për të gjithë opinionin publik, që përfiton nga liria e shprehjes.
Si nuk kanë turp, ketej marrin me pislleqe tendera nga parate e taksapagueve Shqipëtarë , nga ana tjeter ju cenuaka imazhi i hajdutit. Po cfare kane bërë me 10 miliarde Leke te futura neper xhepa e hajduteve ?
Vellezerit Dulaku, jane misherim i sumelepirjes se Shefave.