Nesër nis gjyqi ndaj studenteve që qëlluan Ramën me vezë. Tani do të ndeshemi me “Gambitin e Ramës.”

dErdhi koha për të dëgjuar edhe një herë për studentet që qëlluan Ramën me vezë. Pas hetimit disa mujor Prokuroria e Rrethit Tiranë ka dërguar për gjykim 8 studentët që protestuan ndaj Ramës në një formë të paeksploruar më parë në Shqipëri. Ngjarja ndodhi më 2 Nëntor 2015 ku në ambientet e Fakultetit të Shkencave Sociale një grup studentësh protestuan ndaj vizitës së Ramës në këtë fakultet për të takuar përfaqësues të biznesit.

Prej kohësh, një grup i organizuar studentësh, po protestojnë kundër ligjit të ri për arsimin e lartë. Motoja e tyre kryesore është që studentët nuk duhen trajtuar si klientë dhe se arsimi i lartë nuk duhet të shihet si biznes. Mirëpo, takimi i Ramës me biznesmenë pikërisht brenda hapësirës universitare, ku më parë studentët e kishin shpallur këtë njeri “non grata”, ka provokuar reagimin e studentëve, të cilët zgjodhën një akt ndryshe, në kuadër të lirisë së shprehjes dhe organizimit.

Akuza kryesore e ngritur është ajo e “Goditjes për shkak të detyrës” e shoqëruar edhe me akuzën e “Kundërshtimit të punonjësit të policisë”. Kohë më parë, burime nga Prokuroria e Përgjithshme i tha BIRN se nuk ka një akuzë për goditjen për shkak të detyrës. Sot, vihet re që kjo akuzë është renditur e para.

Hetimi nisi me iniciativë të policisë, e cila në mënyrë të pakuptimtë ka ushtruar edhe kontroll në banesat e studentëve për të gjetur objekte të tjera të jashtëligjshme që lidhen me veprën penale në ngarkim të tyre. Fatmirësisht vezët e gjendura në shtëpitë e studentëve për momentin nuk janë të jashtëligjshme.

Vetë Kryeministri në një dalje televizive u shpreh se ky akt i studentëve është normal në një vend demokratik dhe se kjo është shenjë që qeveria nuk është si ajo e djeshmja kur askush nuk guxonte ta mendonte që mund të godiste me vezë Kryeministrin. Mirëpo, kjo tolerancë qytetare e Ramës  është kundërshtuar nga zelli me të cilën policia nisi veprimet hetimore, duke dërguar në Prokurorinë e Tiranës një dosje voluminoze me akte kontrolli, dëshmi, pamje filmike, etj. Dërgimi i çështjes në gjykatë krijon idenë që qëllimi i këtij procedimi penal është të nënshtrojë ndërgjegjen e studentëve dhe të verë në vend egon e Kryeministrit, dhe se toleranca e tij mbetet produkt që konsumohet vetëm në televizion. Me sa duket, tashmë do të ndeshemi me Gambitin e Ramës[1].

[1] Gambiti i Damës është një nga hapjet më të vjetra të njohura në lojën e shahut

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top