Deklaratë për shtyp për vendimin e Gjykatës së Lartë për 21 janarin

4123VSErq9LQendra “Res Publica”, në cilësinë e zyrës që ka ofruar ndihmë ligjore për familjet e viktimave të 21 janarit shpreh indinjatë të thellë për kapakun që Gjykata e Lartë i vuri çështjes së 21 janarit.

Mbyllja e kësaj dosjeje, “për procedurë”, nuk i bën nder as Gjykatës së Lartë dhe as gjykatave të mëparshme që kanë vënë secila nga një vulë turpi mbi këtë dosje me peshë të rëndë faji.

Për të gjithë ata që nuk kanë njohuri juridike, mospranimi i rekursit do të thotë që Gjykata e Lartë nuk e ka pranuar fare për shqyrtim këtë dosje. Gjykata e Lartë nuk merret me faktet, por ajo gjykon mbi mënyrën se si ligji penal dhe procedurat janë zbatuar. Mospranimi i rekursit ndodh kur pala që bën rekurs nuk ngre asnjë ­çështje të tillë për diskutim.

Por, a është e lehtë të besohet që prokurorët, të cilët supozohet se e njohin ligjin, nuk ditën të ngrenë as edhe një problem të vetëm që ja vlente të paktën për ta diskutuar në seancë gjyqësore? A duhet besuar kaq lehtë që prokurorët bënë një rekurs sa për sy e faqe? Kaq saktë qenkan zbatuar ligjet në këtë proces gjyqësor nga gjykatat më të ulëta, sa nuk ja vlente as të diskutoheshin të paktën në një seancë gjyqësore? Po të jetë kështu vërtet, që rekursi paska qenë kaq i pabazuar sa nuk vleu as për diskutim, atëherë pse iu deshën 3 vjet Gjykatës së Lartë për të ndarë mendjen?

Ne e kemi ndjekur nga afër procesin në dy shkallët e para të gjykimit dhe kemi shprehur publikisht rezervat tona në shumë momente, për kualifikimin e veprës penale, për aktet e ekspertimit, për provat e pamarra, etj. Madje për disa aspekte kemi paraqitur edhe ankesë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (shih çështjen Veizi dhe Deda kundër Shqipërisë), e cila nuk veproi si Gjykata jonë e Lartë, por pak ditë më parë kërkoi kopjen e plotë të dosjes dhe nisi komunikimet me qeverinë. Pra, ndërsa Strasburgu sheh mundësi për shqyrtimin e një elementi anësor të çështjes, si është e mundur që Gjykata jonë e Lartë nuk gjeti asnjë mundësi shqyrtimi për të gjithë elementët kryesorë të këtij gjyqi?

Ky refuzim për të marrë në shqyrtim çështje të tilla nuk është i pari rast nga organi më i lartë i sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Në të njëjtën mënyrë Gjykata e Lartë veproi edhe me procesin e Gërdecit. Tashmë Gjykata Evropiane po e shqyrton atë dosje dhe kështu do veprohet edhe me dosjen e 21 janarit. Të paktën Strasburgu po dëgjon palët dhe e ka pranuar çështjen për shqyrtim. Por është turp që ne ende kemi nevojë që ta importojmë drejtësinë elementare nga jashtë. Zakonisht importohet ai lloj malli që nuk ekziston në tregun vendas dhe të importosh drejtësi për çështje vrasjesh nga shteti është të prekësh fundin.

Qendra “Res Publica”

1 thought on “Deklaratë për shtyp për vendimin e Gjykatës së Lartë për 21 janarin”

  1. rob i zotit

    te merresh vetem me proceduren eshte si te merresh me pamjen e njeriut dhe jo me karakterin e tij. Me pak fjale, po pe nje njeri te shemtuar, mos ja degjo fjalen ( psh sali berishes, edi rames apo aq me teper ilir metes)

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top