Historia e dëbimit të komunitetit rom në zonën e Liqenit të Thatë në muajin tetor 2015 nga Bashkia Tiranë nuk mbaroi me aq. Të pakten 6 familje u rikthyen në atë zonë dhe u vendosën përkohësisht në një godinë të pabanuar, ndërtim i papërfunduar. Më parë ata kishiin marrë leje nga dikush që pretendonte se ishte pronari.
Më 7 Nëntor 2015, aty u paraqitën forcat e Policisë Bashkiake, të mbështetura nga Policia e Shtetit. Ata kanë biseduar me familjet rome me tone imponuese, duke i urdhëruar që të lironin menjëherë godinën sepse kishte ankesa nga banorët e lagjes. Biseda është zhvilluar me tone të ashpra, duke i kujtuar familjeve se veprimi i tyre ishte i kundraligjshëm dhe se ndaj tyre mund të merreshin masa duke i arrestuar dhe burgosur. Rreth orës 18.00 ka nisur zhvendosja e familjeve nën presionin se ndaj tyre do të veprohej me forcë. Të ndjerë të frikësuar, familjet rome janë spostuar pa dëshirën e tyre, shoqëruar me protestën e të gjithë anëtarët e familjeve dhe të qarat e fëmijëve.
Sipas policëve bashkiakë, ata po bënin “lirimin dhe dorëzimin e sendit” te pronari. Ligjërisht kjo veprimtari kryhet vetëm nga një përmbarues në ekzekutim të një vendimi gjyqësor të formës së prerë dhe jo nga policia.
Policia Bashkiake më pas është shprehur se në datë 07.11.2015 është marrë informacion nga banorët e njësisë administrative Farkë se në një objekt privat janë instaluar një grup personash të komunitetit rom. Shërbimet e policisë bashkiake kanë shkuar me iniciativë në kushtet e flagrancës, pa patur një plan operacional apo Urdhër me shkrim të drejtuesit të Policisë Bashkiake apo institucionit të Bashkisë Tiranë. Në vend janë konstatuar edhe shërbimet e Policisë së Shtetit me të cilët u komunikua. Mirëpo, Policia e Shtetit shprehet se në këtë datë u kërkua mbështetje nëpërmjet telefonit nga Policisë Bashkiake Tiranë, për të lëvizur disa familje rome me automjetet e bashkisë në drejtim të Elbasanit.
Këto përgjigje kontradiktore demonstrojnë se e vërteta mbetet ende për t’u zbuluar nga hetimi. Policisë Bashkiake nuk i lejohet nga ligji që të kryejë lirim apo dorëzim të një sendi privat. Ndërkohë që Policia e Shtetit nuk ka ndërhyrë duke menduar se aksioni i Policisë Bashkiake bëhej thjesht për të zhvendosur disa familje në Elbasan.
Në kushtet kur ka pasur një tejkalim të kompetencave dhe kryerje të veprimeve arbitrare nga Policia Bashkiake Tiranë, të shoqëruara me dhunë verbale, u dorëzua një kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Tiranë me akuzën “kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “shpërdorimi i detyrës”. Materiali u shoqëruar me provat përkatëse.
Pingback: Kallëzohen penalisht policët bashkiakë që dëbuan 6 familje nga zona e Liqenit të Thatë | Historia Ime