21 janari: Organizata e Kombeve të Bashkuara shpreh keqardhje për heshtjen e Qeverisë Shqiptare lidhur me kompensimin e familjeve të viktimave

UN-HRTrajtimi i ngjarjeve të 21 janarit 2011 janë një gur i rëndë prove për Shqipërinë. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka shfaqur interes të lartë për çështjen. Në sesionin e 108-të, Komiteti për të Drejtat e Njeriut në OKB ka kërkuar nga Qeveria Shqiptare që të përmbushë rekomandimin nr. 9 (kliko këtu për dokumentin), duke marrë masa për të bërë një hetim të plotë e të gjithanshëm dhe të dëmshpërblente familjet e viktimave të 21 janarit.

Për këtë rekomandim OKB priti një përgjigje deri në Korrik 2014, por Qeveria Shqiptare nuk raportoi asgjë. Më 1 Dhjetor 2014 OKB dërgoi një letër kujtese, por në punimet e sesionit të 113-të në Gjenevë, në Mars 2015, u konstatua se Qeveria Shqiptare ende nuk kishte sjellë asnjë informacion. Kështu, më 9 Qershor 2015 OKB dërgon një tjetër letër kujtese (kliko këtu për dokumentin).

Pas letrës së dytë të kujtesës, më 13 Korrik 2015 më në fund Qeveria Shqiptare njoftoi Komitetin e të Drejtave të Njeriut pranë OKB-së që çështja penale ndodhet në Gjykatën e Lartë, por asnjë përgjigje nuk u dha për kompensimin e familjeve të viktimave.

Në kushtet kur OKB kërkonte me këmbëngulje këtë informacion dhe nuk po jepej nga Qeveria Shqiptare, Res Publica informoi Komitetin e të Drejtave të Njeriut për situatën (kliko këtu për informacionin), ku familjeve të viktimave u ishte akorduar një pension, por nuk u ishte dhënë asnjë dëmshpërblim.

Pas një kohe mjaft të gjatë, prej më shumë se dy vjetësh pritjeje, më 10 Dhjetor 2015 OKB nisi një letër tjetër (kliko këtu për dokumentin) ku shprehte keqardhjen për mospërgjigjen e qeverisë për këtë çështje. Tashmë është lënë edhe një afat i fundit në Prill 2016, para se Komiteti për të Drejtat e Njeriut i OKB-së të dalë me një raport në muajin Korrik 2016. Le të shpresojmë që qeveria kësaj rradhe do ta marrë më seriozisht OKB-në dhe interesin e saj për 21 janarin.

Res Publica

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top