Tre vjet pas tërmetit të Nëntorit të 2019, mijëra qytetarë janë ende të pastrehë ndërkohë që planet zhvillimore të Bashkisë së Tiranës janë të kontestuara nga një sërë procesesh të hapura në Gjykatën Administrative apo dhe nga raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Avokatit të Popullit.
Përkundër deklaratave të qeverisë, se procesi i rindërtimit po vijon normalisht, Res Publica ka zbuluar se qytetarët po enden gjykatave, të tjerë janë nën panikun e shpërnguljes, ndërsa përfundimi i punimeve është lënë për një datë të pacaktuar.
Dokumentet tregojnë se rrënimet e objekteve janë bërë në kundërshtim me ligjin, projektet janë përfituar nga pak subjekte, zona të tëra rezidenciale janë të refuzuara nga shumë qytetarë, ndërsa zotime të qeverisë rezultojnë të pa mbajtura.
Intervista, dokumente zyrtare por edhe konstatimi i fakteve në 9 zonat zhvillimore në Tiranë, tregojnë se ky proces është ende larg asaj që deklarohet prej qeverisë para kamerave.
Zall-Herrin që do e kishin zili edhe pasanikët e Lundrës
Ditën e parë të gushit 2020, kryetari i Bashkisë së Tiranës e nisi ditën në Zall-Herr, një fshat 15 kilometra në verilindje të kryeqytetit. I shoqëruar nga deputeti i zonës, Xhemal Qefalia dhe disa vartës së tij, kryebashkiaku inspektoi përfundimin e punimeve të lagjes së re ku ai tha se do të strehoheshin 49 familje që humbën banesat e tyre nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019.
Në këtë bllok apartamentesh, si kuti shkrepësesh, të ndërtuara në të dalë të fshatit, do të strehoheshin familjet nga Priskë e vogël, Priskë e madhe, Ferraj, apo dhe fshatrat më të largëta të zonës. Për kryebashkiakun ndërtimi i kësaj lagje ishte një shans i dhënë banorëve të zonës për të zbritur në xhade. Sipas Veliajt, banorëve të fshatrave përreth u ofroheshin të gjitha kushtet e jetesës madje edhe një park, që nuk ishte gjë tjetër veçse një gardh i bojatisur me ngjyra dhe ca lule.
“Po kjo që e keni bërë me ngjyra, çfarë është? A mos është si biçim parku? – dëgjohet Veliaj në videon përgatitur nga stafi i tij teksa kundronte nga dritarja e një apartamenti sheshin përballë.
Tetë ditë pas inspektimit në lagjen që kryebashkiaku e quajti si rezidenciale të ngjashme më ato “në Angli, Amerikë, Australi, pa gardhim, që do bënte xhelozë edhe pasanikët e Lundrës e Farkës”, Veliaj u rikthye në fshat por këtë herë i shoqëruar nga kryeministri Edi Rama dhe një sërë zyrtarësh të lartë.
Më 9 shtator qeveria kishte vendosur të inauguronte lagjen, ndaj dhe vizita në fshat e kryeministrit u kthye në një festë, ku nuk mungonin dajret dhe vallet me kostume popullore të trevës së Tiranës. Sigurisht që nuk munguan as spektatorët që kishin ardhur nga fshatrat përreth. Sipas fjalimeve, qeveria kishte shumë për të gëzuar. Ajo ia kishte dalë të ndërtonte një lagje me 49 godina ku do të strehoheshin 199 familje.
“Pas gjithë kësaj kohe janë dyert e hapura për 199 familje që nga sot kanë një shtëpi që kurrë nuk do të mund ta bënin dot vetë. Tani ju takon juve që ta mirëmbani këtë lagje dhe mos vini gardhe e mos ziheni për gardhe me njëri-tjetrin” – deklaroi kryeministri Rama.
Por sapo kamerat u fikën, DJ ndaloi ahengun dhe shpura kryeministrore iu drejtua Tiranës, lagjja mbeti e shkretë. Asnjë familje nuk mori çelësat e banesës si kuti. Edhe pas 5 muajsh Res Publica pa se asnjë frymë njerëzore nuk jetonte në këtë lagje të re të Zall-Herrit. Në fshat askush nuk pranon të flasë përse familjet e dëmtuara nga tërmeti kanë refuzuar banesat rezidenciale të qeverisë.
E njëjta skenë ngjan edhe në Vaqar, Pezë, Ndroq, ku qeveria i ka hapur rrugë zgjerimit të projektit për “Lagje të Rilindjes”, në emër të procesit të rindërtimit.
Vaqari, i shkretë edhe pas një viti
Në mbrëmjen e 20 nëntorit 2021 qeveria ngriti siparin e festave për përurimin e lagjeve të ndërtuara në emër të rindërtimit.
Fshati në jug-perëndim të Tiranës, rreth 6 km larg saj, ishte arena e triumfit të qeverisë, e cila ia kishte dalë të ndërtonte 20 shtëpi në Vaqar, fiks dy vjet pas tërmetit.
Duke qenë se ishte inaugurimi i parë, prapavija qeveritare ishte kujdesur që përveç muzikës me potpuri tiranase, valltarëve me kostume popullore, të kishte dhe një skenë dhe prezantues të spektaklit të saj. Dhe sigurisht pas ahengut u mbajtën fjalimet e rastit ku nga sa u pa nëpërmjet kamerave të regjisë qendrore të qeverisë, 20 familje që kishin humbur banesat e tyre iu dha çelësi i shtëpisë në dorë.
E ndërsa qeveria deklaroi se lagjja rezidenciale, model në vend, është e populluar nga familjet që nuk kishin një çati mbi kokë, në realitet duket ndryshe.
Një vit nga festa e qeverisë, në Vaqar sheh pak familje të strehuara aty, të cilët sapo u afrohesh refuzojnë të flasin. Nisur nga sa deklaron qeveria, është thuajse e pamundur të dish cilat familje u strehuan dhe kush ka refuzuar strehimin. Bashkia e Tiranës refuzoi t’iu përgjigjet pyetjeve që Res Publica dërgoi mbi numrin e familjeve të strehuara në Vaqar, por ajo që u konstatua ishte se lagjja është thuajse bosh.
Po kaq e shkretë është dhe lagjja e re në Ndroq, ku sipas kryebashkiakut Veliaj, do të ishte gati në vjeshtën e 2021, me shtëpi banimi, kopsht, shkollë dhe një qendër komunitare.
“Pasi humbën shtëpitë e vjetra në pika të largëta e të veçuara, rreth 350 banorë do të mblidhen në këtë lagje qendrore, me akses të shpejtë në shërbime për të gjitha moshat” – garantonte që në maj të 2021, kryebashkiaku Veliaj.
Por, pas 1 vit e 7 muajsh, Res Publica pa se rrugët aty janë të shkretuara, neonet led të fikur dhe banesat duket të boshatisura. Vetëm ca syresh rrekeshin të sistemonin ambientet e jashtme apo dhe të hiqnin ca shkurre nga zona përreth. Syri nuk të sheh që në lagjet e rilindjes të gëlojë jeta. Në pjesën më e madhe të 75 godinave nuk është strehuar ende asnjë banor. Përfaqësuesit e njësisë administrative në Ndroq të thonë se nuk kanë asnjë informacion se si do të kryhet strehimi i familjeve që kanë humbur banesat nga tërmeti. Në kushtet e anonimatit punonjësit e kësaj njësie administrative thanë se i gjithë procesi menaxhohet nga Bashkia e Tiranës dhe se kjo njësi administrative më shumë ka kryer rolin e strukturës që ka krijuar lehtësira gjatë procesit.
Por, ndërsa nëpër fshatrat e Tiranës duket se rezidencat janë bërë, por janë ende të pabanuara, situata është ndryshe në dy lagjet e tjera periferike, në atë të Kombinatit dhe në lagjen 5 Maji.
Përtej deklaratave dhe vizitave nëpër kantiere, sot askush nuk di të thotë një shifër totale të atyre që tërmeti i la pa një çati mbi kokë dhe që viti 2023 do t’i gjejë me një të tillë në bashkinë më të madhe në vend.
Lagjet me emër arti
Mëngjesin e 14 tetorit 2021 buldozerët dhe fadromat e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit nisën rrënimin e lagjes 5 Maji në kryeqytet. Mundi dhe djersa 30 vjeçare e banorëve të vendosur aty, kryesisht pas vitit 90-të dhe të ardhur kryesisht nga zonat veriore të vendit, u bënë pluhur.
Pas tërmetit të 2019, disa banesa, nëpërmjet akt-ekspertiza të thelluara, u klasifikuan me shkallë dëmtimi në DS5 ndaj dhe Këshilli Bashkiak vendosi prishjen e detyruar të objekteve. Ndërsa ca të tjera u rrënuan në emër të projekteve zhvillimore që Bashkia kishte për zonën.
Bashkia Tiranë refuzoi dhënien e informacionit dhe Res Publica e kishte të pamundur të saktësonte sa banesa në lagjen 5 Maji u dëmtuan nga tërmeti e sa të tjera u rrënuan për shkak të planit zhvillimor të Bashkisë, që përkon me Masterplanin e qytetit “Tirana 2030”, miratuar shumë kohë para tërmetit, në prill të vitit 2017) dhe grupit SON.
Aksioni policor i rrënimit ngjalli protestat e banorëve të cilët ngritën pretendime se nuk ishin njoftuar, jo vetëm për rrënimet e pronës tyre nga IMT, por mbi të gjitha nuk kishin asnjë garanci mbi procedurat që do të ndiqte Bashkia për strehimin e tyre pas prishjes së shtëpive.
Ankesat banorëve u bënë objekt hetimi i Avokatit të Popullit, i cili në një raport të publikuar me 3 qershor 2022 dilte në përfundimin se prishja e ndërtesave në lagjen 5 Maji nga IMT u bë në kundërshtim me ligjin.
“Prishja e godinave në këtë zonë është kryer pa një leje prishjeje të autoriteteve vendore dhe leje ndërtimi ku të përcaktoheshin kushtet e lejes së prishjes së objektit apo të dhëna të tjera që do të ligjëronin ndërhyrjet e Inspektoratit, ka cenuar të drejtat e pronës së banorëve të zonës nga zbatimi i planit të Bashkisë” – citohet në raport, për hartimin e të cilit Avokati i Popullit thekson se nuk ka pasur akses në informacion dhe bashkëpunim nga Bashkia Tiranë dhe Inspektoratit Mbrojtjes së Territorit
“Për të zhvilluar një hetim të plotë ligjor Avokati i Popullit hetoi edhe faqet online të Bashkisë Tiranë për të verifikuar nëse këto leje ishin të publikuara nga kjo Bashki, si dhe për të kuptuar se në cilin akti i është referuar IMT. Nga verifikimet nuk u gjendën të publikuara as leja e zhvillimit dhe as ajo e ndërtimit dhe për pasojë as ajo e prishjes. Në kushtet kur nuk u gjendën dokument të tillë, vlerësohet se Inspektorati nuk ka zbatuar drejtë ligjin dhe ka vepruar në kundërshtim me të”- thuhet në raport.
Sipas avokatit të Popullit, për aksionin e prishjes së objekteve nuk është gjendur asnjë provë e dokumentuar apo fakt tjetër që të provojë se njoftimet e IMT janë dërguar banorëve.
“Shtetasve nuk ju është lënë një afat i arsyeshëm për marrjen e masave për sigurimin e një strehimi të përshtatshëm, marrjen e sendeve nga objektet e tyre dhe se banorët nuk kanë pasur afat për të ushtruar të drejtën e ankimit si një e drejtë e rëndësishme në respektimin e çdo procedure ligjore administrative” – thuhet në raport.
Nisur nga shkeljet e konstatuara, Avokati i Popullit i ka rekomanduar bashkisë marrjen e masa për nxjerrjen e përgjegjësive dhe evidentimin e personave që kanë çuar në shkeljen e të drejtave dhe interesave të ligjshme të shtetasve të prekur nga prisha pa një proces të rregullt ligjor të objekteve në zonën 5 Maji, po ashtu dhe fillimin e procedurave të dëmshpërblimit për dëmin e shkaktuar.
Deri në publikimin e këtij shkrimi ResPublica nuk mundi të verifikojë nëse rekomandimet janë zbatuar nga Bashkia, pasi kjo e fundit refuzoi të përgjigjet pyetjeve të shtruara për masat e ndërmarra, po ashtu edhe për të komentuar gjetjet e Avokatit të Popullit. Edhe Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit nuk komentoi gjetjet e raportit.
Përkundër shkeljeve ligjore të konstatuara, Bashkia Tiranë vijon punën me dorë të hekurt në zonën e bregut të lumit të Tiranës.
Referuar VKM-së së 22 shtatorit 2021, të Këshilli i Ministrave vendosi shpronësimin për interes publik të banorëve të zonës ‘5 Maji”. Ky shpronësim sipas vendimit do të realizohet në përputhje me planin e detyruar vendor, i cili përcakton për zhvillim një zonë prej 187,246 m2 të konsideruar pronë private dhe 119,635 m2 pronë shtet, duke pasur kështu një sipërfaqe totale ndërtimi prej 306,883 m2. Ky projekt i njohur ndryshe si “Tirana Riverside” i konceptuar nga arkitekti italian Stefano Boeri, sipas qeverisë do të strehojë mbi 11 mijë banorë, rreth 3175 familje.
Pa marrë në konsideratë kontestimet, Bashkia Tiranë nisi procedurat tenderuese për të përcaktuar edhe ndërtuesit në zonën e 5 Majit. Në të dhënat e publikuara nga “Open Data”, evidentohet se vlera fituese totale pa TVSH, për këtë prokurim është 6,19 miliardë Lekë.
Ndërsa në zonën e Bregut të Lumit vijojnë punimet në emër të procesit të rindërtimit, në Kombinat, në anën tjetër të kryeqytetit, duket se Bashkia e Tiranës ka vepruar në paligjshmëri të plotë.
Edhe në këtë lagje periferike në jug-perëndim të Tiranës, rreth 6 kilometra larg nga qendra e qytetit, Bashkia ka hapur një tjetër front ndërtimi, ku po zbatohet tjetër projekt i planifikuar që në vitin 2017, por që më emër të procesit të rindërtimit është pagëzuar me emrin “KombinArt”.
Në një hulumtim më të hershëm Res Publica zbuloi se kjo zonë është shndërruar në arenën ku qeverisja socialiste kërkon të linte vulën e saj të rindërtimit.
ResPublica ka zbuluar se pas prezantimeve në salla konferencash, ku gjithnjë një ekran led shfaq projektet në 3D, deklaratave në emër të zhvillimit dhe përballimit të pasojave të tërmetit, fshihen procedura të shkelura ligjore, kontrata miliona euroshe për një numër të kufizuar klientësh të tenderave, rrënime objektesh të kontestuara në gjykata dhe banorë që jetojnë me panikun e shpërnguljes.
Rindërtimi, pa afat
Plane për rindërtimin Bashkia e Tiranës ka edhe në Bërzhitë, Baldushk, Krrabë, Petrelë dhe Lagjen 13, ku sipas deklaratave publike janë 510 banesa individuale që përfitojnë nga Programi i Rindërtimit nga të cilat thuhet se janë përfunduar 381 të tilla.
Të verifikosh numrin e ndërtesave të dëmtuara, të rrënuara apo edhe të rindërtuarat është një mision i pamundur. Bashkia Tiranë ka refuzuar të japë çdo informacion të saktë në lidhje me procedurat e ndjekura të rindërtimit. Ajo që Res Publica ka konstatuar është se në shumë zona të shpallura ndërtimi në rastin me të mirë janë duke u ndërtuar karabinatë e pallateve, e punimet duket se do të marrin më shumë kohë për përfundimin e tyre.
Tre vjet pas tërmetit duket se janë të shumtë personat që ende nuk kanë siguruar një banesë, e vazhdojnë të trajtohen me bonus qiraje nga Bashkia. Sipas planeve të bashkisë, në lagjen 5 Maji dhe në Kombinat priten të strehohen mbi 32 mijë persona.
Asnjë prej institucioneve përgjegjëse të rindërtimit nuk iu përgjigj pyetjeve që Res Publica ngriti mbi afatin e përfundimit të procesit të rindërtimit.
Kryeministri Edi Rama, ka premtuar disa herë afate të ndryshime të përfundimit të punimeve në objekte dhe strehimit të atyre familjeve që humbën banesat e tyre nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Fillimisht Rama premtoi se brenda vitit 2020 të gjithë të prekurit nga kjo fatkeqësi do të hynin në shtëpitë e tyre të reja. Më 10 Dhjetor, kryeministri Rama u detyrua të riformulojë premtimin e tij duke deklaruar se fundi i viti 2020 ishte si afat për ndërtimin e të gjitha shtëpive të reja në zonat rurale. Me shfaqjen e pandemisë, Rama pranoi në një konferencë për shtyp, më 12 maj 2020, se ka vonesa në realizimin e objektivave për planet e rindërtimit.
Por ndërsa kryeministri deklaronte fundin e vitit 2021 si periudhën kur në vend nuk do të kishte më asnjë gjurmë nga tërmeti, ish vartësi i tij deklaronte krejt të kundërtën. Për ish Ministrin e Rindërtimit, Ahmetaj, pranvera e vitit 2022 do të shënonte dhe fundin e procesit të rindërtimit në vend.
Res Pulica, gjatë javëve të para të Dhjetorit 2022, ka vëzhguar të gjitha zonat e shpallura për rindërtim dhe ka konstatuar se në Tiranë mijëra njerëz janë ende pa një shtëpi, ndërkohë që lagjet e reklamuara si rezidenca janë thuajse të braktisura.
Raporti Zyrtar i Komisionit Evropian mbi Konferencën e Donatorëve në 17 Shkurt 2020 fliste për rreth 985 milionë Euro si dëme apo humbje të shkaktuara nga tërmeti. Duke u bazuar në kërkesat financiare për rikuperim, shtete, organizata dhe institucione ndërkombëtare u ofruan në ndihmë të Shqipërisë për të siguruar shumën e nevojshme financiare për rikuperimin e dëmeve të tërmetit. Në total u siguruan premtime për rreth 1.15 miliardë euro shumë kjo që përbëhej nga kredi, grante ose transferta në natyrë.
* Ky artikull u realizua në kuadër të projektit “Për një proces rindërtimi më të përgjegjshëm” të mbështur nga LevizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.