Sot u zhvillua seanca e parë e procesit gjyqësor të ngritur nga qendra “Res Publica” dhe shoqata “Impetus” ndaj Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe asaj të Turizmit dhe Mjedisit lidhur me udhëzimin e tyre për menaxhimin e ujërave të ndotura që derdhen në det, lumenj e liqene. Ky udhëzim ka dhënë një zgjidhje të kundraligjshme dhe jo efikase ndaj problemit të ujërave të ndotura, duke detyruar sipërmarrësit e vegjël dhe të mëdhenj të blejnë impiante të trajtimit të ujërave. Në të kundërt, ata do të përballen me gjoba të rënda deri në mbyllje të aktivitetit.
Gjatë seancës së sotme, palët e paditura pranuan dështimin e qeverisë lokale dhe ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve në menaxhimin e ujërave të ndotura, duke e dhënë si argument të vlefshëm për nxjerrjen e udhëzimit që sipas tyre ka siguruar një zgjidhje të shpejtë të problemit.
Nga ana tjetër, paditësit mbajnë përgjegjëse për këtë dështim bashkitë dhe ujësjellës kanalizimet përkatëse, të cilat, në vend të marrin masa të kryejnë funksionin e tyre në këtë drejtim duke rritur investimet dhe ulur keqmenaxhimin e parave publike, ua faturojnë dështimin e tyre sipërmarrësve. Përfaqësuesja e qendrës “Res Publica”, Av. Irena Dule, thotë se:
Ndërkohë, nga raporti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, shkaktarë kryesorë të ndotjes së ujërave të deteve, lumenjve dhe liqeneve janë shkarkimet e industrisë dhe fabrikave, pra udhëzimi në fjalë në fakt nuk e ka adresuar problemin.
Për të mësuar më shumë mbi çështjen e menaxhimit të ujërave të ndotura lexoni këtë artikull të publikuar nga Res Publica në muajin korrik.