Më datë 10 tetor 2021, Vladimir Muçaj, gazetar dhe drejtues i portalit “newsalbania.al” ka botuar në rubrikën “Aktualitet”, artikullin me titull: “Pazaret e Ylli Rakipit me Vasil Kallupin / 7mln euro të popullit në xhepat e gazetarit që bën moral nëpër televizione”. Në këtë shkrim, autori spekulon se Rakipi ka negociuar me biznesmenin Vasil Kallupi që ÇEZ (sot OSHEE) të merrte me qera godinat e Rakipit. Sipas autorit, Rakipi i ka dhënë një rryshfet të majmë Z. Kallupi për negocimin e një çmim të lartë për dhënien me qera të këtyre ambienteve në kurriz të taksapaguesve shqiptarë, dhe i bën thirrje SPAK-ut të nisë hetimet ndaj gazetarit. Sipas tij, «këto pazare të fshehta hetohen lehtësisht dhe nëpërmjet tabulateve telefonike».
Pas publikimit të artikullit, gazetari Rakipi iu drejtua qendrës “Res Publica” për të ngritur një akuzë ndaj portalit në fjalë për shpifje. Siç rezultoi nga rrethanat dhe provat, i akuzuari ka publikuar në median e tij online shkrimin me përmbajtje denigruese, shpifëse, me informacion të rremë që cenon reputacionin, imazhin dhe dinjitetin e të dëmtuarit.
Më konkretisht, nuk u provua që gazetari të ketë bërë pazare me biznesmenin Kallupi, apo që u bë biznesmen me miliona euro të dala nga arka e shtetit shqiptar. Nuk u provua se ekzistojnë tabulate telefonike që vërtetojnë lidhjen e prezumuar për pazare në kurriz të taksapaguesve, apo që për marrjen e ambienteve të pretenduara u dha një rryshfet i konsiderueshëm nga Ylli Rakipi. Për më tepër, në fund të artikullit ishte vendosur shënimi “(Shkrimi marrë nga Pamfleti)”, i cili, sipas provës së dorëzuar nga Rakipi, është shtuar tre ditë më vonë. Pra, nuk rezulton që shkrimi në fjalë të jetë bazuar në ndonjë artikull tjetër.
Avokati Dorian Matlija nga qendra “Res Publica”, argumentoi se gjykata duhej të krijonte bindjen që me këtë shkrim autori nuk ka pasur qëllim të informojë lexuesit lidhur me çështje të interesit publik, por më shumë ka qenë një sulm ndaj gazetarit Rakipi. I akuzuari, ndonëse ka pasur mundësinë për të raportuar pranë organeve kompetente ato të cilat ai i referonte si fakte (që nuk u provuan dot në gjykatë) mbi të cilat ka ngritur akuza, përsëri ai ka zgjedhur të përdorë qëllimisht një gjuhë ironike, akuzuese, ofenduese dhe denigruese që cënon drejpërdrejt dinjitetin dhe reputacionin e viktimës, i cili është një personazh i njohur në media.
Pas shqyrtimit të fakteve dhe arsyetimit juridik nga kallëzuesi, në 8 prill 2024 gjykata vendosi të deklarojë fajtor shtetasin Vladimir Muçaj për shpifje ndaj gazetarit Ylli Rakipi, dhe gjobitjen e tij sipas ligjit.
Res Publica, prej kohësh përpiqet jo vetëm të japë ndihmë juridike kur gazetarët paditen në gjykatë, por edhe kur ata janë objekt i fushatave shpifëse nga gazetarë të tjerë. Shpresojmë që zgjidhja me anë të rrugës gjyqësore të bëhet një shembull i mirë për të frenuar shpifjet ndaj gazetarëve.
Dhënia e ndihmës juridike në këtë çështje u mundësua falë mbështetjes bujare të National Endowment for Democracy.
Res Publica