Ka disa ditë, që faqet e gazetave, por sidomos faqet zyrtare të disa institucioneve kushtetuese janë mbushur me transkriptet e fjalës së zonjës Klinton mbajtur disa ditë më parë me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar, si dhe me perifrazimet e rastit, me përshtatjet e kuptimeve të asaj fjale, e mundësisht me shpërdorimet aspak fisnike të tyre, siç dhe pritej. Zonja Klinton foli për një sërë çështjesh, nga pozitat e diplomates, me gjuhën politikisht korrekte që i takon një zonje të lartë të huaj, në një mision rajonal. Ajo përmendi një sërë momentesh kyçe të historisë së Shqipërisë, të marrëdhënieve të mira mes dy shteteve (e jo mes grupimeve të individëve në pushtet në vendet përkatëse), duke folur edhe për kontributin e shtetit të saj në favor të Shqipërisë. Zonja preku gjithashtu një sërë problemesh shqiptare, të përmbledhura në formulën e “integrimit”, e të zbërthyera në termat e zgjedhjeve të gjithëkontestuara, aq sa të nevojiten ende mbikëqyrës të huaj për t’u ratifikuar vlefshmërinë eventualisht (prej nga dhe ftesa entuziaste qeveritare për prezencën e huaj, meqë asgjë nuk është më e rastësishme); të sjelljes që duhet të mbajnë aktorët gjatë procesit zgjedhor, para dhe pas tij, duke ilustruar situatën, për të gjithë të pavëmendshmit, me eksperiencën e saj personale; për rolin që duhet të kenë institucionet dhe respektimin e jo përjashtimin, margjinalizimin apo denigrimin e tyre; për përballjen e qeverisë me qytetarët, legjitimuesit e vërtetë të kujtdo i drejtohet turmës nga pozitat e poltronës pushtetare, e për përgjegjshmërinë ndaj tyre, në formën e llogaridhënies, kur pushteti dështon në misionin për të cilin është votuar, apo në komunikimin me ta (kujtojmë me këtë rast vdekjen e ditës së nesërme të vizitës, të protestuesit Lirak Bejko, të cilit nuk iu la asnjë mundësi tjetër për të shprehur shqetësimin e tij, përveçse përmes flakëve vdekjeprurëse). Zonja përmendi gjithashtu çështjet e korrupsionit, me të cilat ne shqiptarët jemi familjarizuar me kohë, edhe pse herë pas herë protestojmë duke rrezikuar plumbin falas nga garda qeveritare.
Zonja foli, përshëndeti, e u largua, duke lënë pas qeverinë e të varurit prej saj të përpunojnë variantet e tyre të mesazhit. Zonja foli, e ndërkohë nga instancat qeveritare, si dhe të kujt përpiqet me çdo kusht të mbetet nën hijen e të njëjtës qeveri, vijoi e vijon aktualisht, propaganda e nisur vite më parë, pikërisht aty ku kish ngecur për shkak të 3-4 orëshit të pranisë së zonjës Klinton. Zonja foli, por qeveria e të varurit prej saj nuk duket të kenë kuptuar gjë as këtë herë, edhe pse mesazhi u përcoll qartë e në të dy gjuhët kryesore të diplomacisë e politikë-bërjes shqiptare. Ndoshta diplomacia nuk është pikë e fortë e kësaj qeverie, e as mirë-qeverisja. Ndoshta teatri i absurdit që nuk na kursehet në asnjë rast, i ka zënë vendin çdo ndjeshmërie sociale e politike që duhej të reflektonte çdo qeveri e denjë për t’u quajtur e tillë.
Në fakt nga qeveria vjen deklarata se këtë herë do të kemi zgjedhje të mira e të lira (dikur njëri shiste “kikvip me kvip të miva të liva” në shkollë), por nuk është e qartë nëse ky qëndrim është rezultat i reflektimit për të gjitha shkeljet e deritanishme të kësaj qeverie, apo sepse ia ka kërkuar Europa, apo thjesht për të kënaqur me një fjalë të mirë zonjën Klinton (meqenëse qeveria me shqiptarët prej kohësh nuk mban më qëndrim). Berisha zotohet personalisht, se këto do të jenë zgjedhjet më të mira e më të lira (si në pazar), duke e garantuar zonjën, por jo ne, e duke eklipsuar sakaq një sërë institucionesh të ngritura posaçërisht për këtë qëllim të ri kryeministror, pra për të administruar drejt e në respekt të ligjit procesin zgjedhor. Për të mos folur për serinë e ligjeve që disiplinojnë procesin zgjedhor, ato që ndryshojnë pas çdo procesi me të njëjtin premtim e entuziazëm, e që na janë aprovuar rregullisht nëpër raportet e BE-së, për standardin e lartë, por jo rezultatet, që duket se reflektojnë. Gjë që e bën të paqartë tagrin me të cilin Berisha del personalisht garant i diçkaje që e gjithë bota e civilizuar të cilës ai i apelohet në tym, ia ka besuar sistemit, organeve, rregullave të posaçme, si dhe traditës, kulturës e mentalitetit demokratik. Ndoshta sepse Berisha e të varurit prej tij, kanë eksperiencë të pasur në ndikimin e fatit të zgjedhjeve dhe e dinë se për çfarë flasin, kur garantojnë me fjalë burrash. Ndoshta sepse mistika dhe thashethemnaja institucionale kanë funksionuar përpikmërisht, krahasuar me të tjera instrumente të demokracisë së zbatuar në shtetin e zonjës Klinton e të të ngjashmëve të vet.
Për më tepër, duket se zonja Klinton e paska frymëzuar Berishën që të mendojë më në fund për interesat kombëtare, e për nevojën e bashkëpunimit institucional, kryesisht me opozitën, frymëzime që tingëllojnë si ato të herës së parë, të vitit zero, të të sapo rënëve nga retë. Qeveria po shërben publikisht termat e bashkëpunimit e të respektit institucional, në një kohë kur memoria kolektive shqiptare i ka më se të freskëta shembujt e shpërdorimit të pushtetit nëpërmjet personalizimit për qëllime të kushediçfarëshme. Më vijnë në mendje në këtë kuptim, emërtimet që iu dhanë disa titullarëve të lartë shtetërorë, të nesërmen e 21 janarit, menjëherë pas urdhrit dhe vrasjes së qytetarëve të mbledhur në protestë kundra korrupsionit shtetëror (dimë që ushtarakët qëllojnë me urdhër). E kam fjalën për emërtimet e llojit bulevardesk, sipas një regjistri qeveritar të fjalës, aspak integrues në BE e në NATO. Janë të freskëta të gjitha presionet e ushtruara nga qeveria mbi institucionet e pavarura, por asnjë gjurmë nga bashkëpunimi që kërkoi zonja Klinton e që mallëngjeu të këtejshmit. Janë të shumtë shembujt e keqadministrimit të pushtetit, nga 21 janari e tutje, ndërkohë që asgjë nuk na pengon të konsolidojmë kujtesën me shembuj nga Gërdeci 2008 apo të famshmet vite ’90. Të mallëngjyerit e sotëm nga fjalët e zonjës Klinton, patën gjithë kohën në dispozicion (plot dy mandate parlamentare) për të treguar konceptin që kanë për institucionet dhe vendin që u është dhënë me Kushtetutë. Kohë që ata nuk humbën, duke na ofruar situata të abuzimit me pushtetin gjithfarësoj. Mjafton të kujtojmë abuzimin me protokollin shtetëror të disa muajve më parë kur u vendos se Presidenti i Republikës në ikje, institucioni më i lartë përfaqësues i vendit, nuk duhej t’u fliste shtetasve të vet, siç e kërkonte tradita. Apo protokollin e improvizuar të ndonjë dite më parë, ku asistuam në shembullin e radhës të konceptit bashkëpunues sipas Berishës dhe të varurve prej tij, me rastin e vizitës madhore të zonjës Klinton, që reflektoi sërish vullnetin e përjashtimit të institucioneve të padëshiruara nga partia në pushtet. I referohem kthimit në minutën e fundit të Prokurores së Përgjithshme nga Azia e largët për të qenë e pranishme në pritjen e zonjës Klinton, ashtu si dhe përfshirjen në minutën e fundit të ish – Presidentit (atij që qeveria e pa të arsyeshme t’i hiqte fjalën), në të njëjtën pritje. Dhe jo falë reflektimit mbi gafën nga instancat qeveritare, por sepse kështu e pa të arsyeshme një tjetër autoritet, më i arsyeshëm e i rrahur me punët e qeverisjes, Ambasada Amerikane. Edhe një herë, dinjitetin e të nesërmes së ngjarjeve të mëdha na e shpëtuan (dhe për këtë faleminderit) ata, ndërkombëtarët, autoritetet tona jashtështetërore.
U deshën vetëm 3-4 orë nga jeta e një gruaje amerikane të lartë, për të zhveshur pseudo-solemnitetin e impenjuar qeveritar nga varaku i propagandës së vjetër partiake. Ndërkohë që sot, trajektorja e kësaj propagande qartazi i është rikthyer këngës së vjetër, duke shërbyer avazin e konsensusit të opozitës, 3 ligjet magjike (si tri fijet e flokut të artë), dhe garancinë personale të Berishës se këtë herë e ka seriozisht me zgjedhje të lira e të mira. Veçse këtë herë, ai po garanton zonjën Klinton, një jo shtetase shqiptare pa të drejtë vote, ndër të tjera.
Sepse ai garanton, dhe garanton andej tashmë.