Qytetarët e Tiranës në mënyrë të vazhdueshme kanë ngritur shqetësimin e mospërdorimit të ujit të pijshëm, për konsum dhe gatim, pasi ata mendojnë se uji që furnizon shtëpitë e tyre nga rrjeti i ujësjellësit nuk ka garanci nëse përmbush standardet dhe nuk ka cilësinë e duhur për t’u konsumuar. Për të siguruar ujin e pijshëm, qytetarët kanë zgjedhur mënyra të ndryshme, duke e mbushur atë pranë burimeve si në malin e Dajtit ose duke e blerë atë. Në cdo rast kjo iu shkakton atyre rritje të kostos financiare në jetesën e tyre. Me fjalë të tjera qytetarët e Tiranës e blejnë dy herë ujin e pijshëm, një herë për të mos e pirë, dhe një herë për ta pirë. Të tjerë qytetarë, të pa informuar ose në pamundësi financiare, konsumojnë ujin e furnizuar, duke rrezikuar pasoja në shëndetin e tyre.
Ky produkt nuk është i vetmi që nuk tregtohet ashtu sic reklamohet dhe për të cilën konsumatori shqiptar vuan, por është produkti më bazik për jetën e tij. Nga ana tjetër konsumatori në këtë rast është edhe më i pambrojtur, duke konsideruar që ofruesi i shërbimit të shitjes së ujit është ekskluzivisht shtetëror, në rolin e tregtarit monopolist.
Qendra Res Publika në kuadër të një studimi për adresimin e problematikave të konsumatorit shqiptar, me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, hetoi mbi këtë çështje, duke nisur me një kërkesë për informacion drejtuar shoqërisë Ujësjellës Kanalizime Tiranë sh.a., lidhur me analizat ditorë të ujit të pijshëm.
Si fillim shoqëria refuzoi të japë informacionin e kërkuar, duke u justifikuar se ato përmbajnë të dhëna sensitive. Pas ankimimit të këtij refuzimi te Komisioneri për të Drejtën e Informimit, u siguruan përgjigjet e analizave të ujit të pijshëm, të bëra për disa pika të Tiranës, në një periudhë kohe prej dy vitesh (2016-2017). Ajo që u konstatua nga analiza e informacionit të siguruar, është fakti se jo të gjithë parametrat e detyrueshme për t’u matur, maten. Më konkretisht matet niveli i escherichia coli (bakter), streptococcus faecalis (bakter) dhe klori (kimikat). Janë një mori parametrash të tjerë biologjikë e kimikë për të cilat nuk jepen të dhëna analizash, duke dyshuar se këto analiza nuk kryhen. Laboratorët ku bëhen analizat nuk japin të dhëna nëse janë të akredituar (për më tepër analizat vijnë nga laboratorë të zgjedhur nga vet ujësjellësi). Edhe për ato tre parametra që maten, rezulton se në një pjesë të kohës uji është i ndotur pasi nuk plotëson nivelet e parashikuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave që ka miratuar rregulloren e cilësisë së ujit. Ndërkohë, UKT e shet këtë mall si “ujë të pijshëm”, siç lexohet nga të gjithë konsumatorët në faturat mujore të shitjes së ujit.
Për të parë se si mbrohet konsumatori, në këtë situatë, Qendra Res Publika iu drejtua me një kërkesë Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorëve, organ i ngritur posaçërisht nga ligji për mbrojtjen e konsumatorit dhe Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorëve pranë Bashkia Tiranë, me objekt marrjen e masave dhe kompensimin e vlerës për mungesën e cilësisë së ujit të pijshëm.
KMK nuk e mori në shqyrtim ankesën, por e përcolli për kompetencë institucioneve të tjera, si Autoritetit Shëndetësor Rajonal, Institutit të Shëndetit Publik, Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Inspektoratit Qendror, Shoqërisë Ujësjellës Kanalizime sh.a dhe Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorëve pranë Bashkisë Tiranë. Asnjë nga këto organe nuk u dha zgjidhje kërkesave të saj.
Ajo që të bën përshtypje më shumë është fakti se KMK i ka nisur për kompetencë këtë ankesë Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit pranë Bashkisë Tiranë, ndërkohë që kjo e fundit i ka nisur të njëjtën shkresë për kompetencë KMK-së. Një lloj ping pongu mes dy organeve shtetërore, të vetmet që duhet të merreshin me shqyrtimin e ankesës.
Me dëshirën për t’i dhënë një zgjidhje ankesës, Qendra Res Publica, së bashku me shoqatën Impetus, iu drejtuan gjykatës me një padi, e cila pritet të shqyrtohet në vazhdim. Se si do të vendosë Gjykata nuk dihet, por një gjë është e sigurt, që nëse nuk tregojmë interes dhe kërkojmë zgjidhje, ne konsumatorët, të organizuar ose jo, do të vazhdojmë të hamë sapun dhe do ta paguajmë atë për djathë.
Res Publica
Kete shqetesim e kam bere te ditur edhe une si nje qytetare e Tiranes. Pata pergjigje vetem mbasi kontaktova npm FB kryetarin e bashkise tirane. U desh me shume se 1 jave per pergjigjen. Me shume se dy jave qe te vinte nje grup nga bashkia per te marr moster per analiza dhe rezultati????? Asnje nuk e mori mundimin te kthej pergjigje. Mbas shume telefonatash te perseritura, na thene ne telefon qe eshte ne rregull??? Si??? Ku eshte rezultati i analizave?? Uji qe rrjedh nga rubineti eshte dukshem i ndotur aq sa edhe lavatriçja eshte veshur me papasterti.. dushi i mbushur me llum dhe rrobat cuditerisht kane marre ngjyre te kuqerremte. Une personalisht jam shume e shqetesuar per kete situata . Edhe pse kam menduar disa here ose tentuar te bej nje ankese, nuk di se ku….
Shpresoj shume qe te tilla shqetesime publike te ngrihen me me ze dhe te merren masa. Ashtu si qeset e riciklueshme……
Faleminderit prej kush per artikullin. Shpresoj te lexojet nga dikush kompetemt dhe te merret ndonje mase.
Ja, ky është shteti “demokratik” dhe strukturat që e përbëjnë atë.
Tani më thoni, a ndodhte kjo në sistemin e Diktaturës së Proletariatit?!