Në datën 4 shkurt do të zhvillohet seanca dëgjimore pranë Komisionerit për Diskriminimin, në lidhje me ankimin e Taulant Mukës ndaj veprimeve të autoriteteve publike për mosnjehsimin e titujve të tij shkencorë të lëshuar nga Universiteti i Bernës në Zvicër. Taulant Muka, ish-zv.ministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) në vitin 2018, është shkencëtar dhe mjek epidemiolog me një karrierë të pasur akademike dhe kërkimore. Ai ka mbaruar një master në Shëndet Publik në Universitetin e Erasmus në Roterdam, dhe po në këtë universitet ka kryer studimet doktorature dhe post-doktorature, dhe ka pasur eksperienca kërkimore në Universitetin e Kembrixhit, Harvardit dhe Stanford. Muka gjithashtu ka qenë lektor në Universitetin Erasmus dhe Bernës dhe ka punuar në zyrat qendrore të Novo Nordisk në Kopenhagen, Danimarkë, në testimin e barnave të reja për diabetin. Muka është renditur për 3 vitet e fundit ndër 2% të shkencëtave me më shumë impakt në botë, sipas renditjes së përvitshme të publikuar nga Universiteti i Stanford dhe Elsevier.
Gjatë pandemisë së COVID-19, Muka ishte një nga kritikët e hapur të masave të ndërmarra nga qeveria, një qëndrim që e bëri atë të ndeshej me autoritetet shëndetësore të asaj kohe. Përveç kësaj, ai ka denoncuar publikisht probleme të shumta në arsimin e lartë, përfshirë skandale të lidhura me plagjiaturën në nivele të lartë politike dhe universitare. Ai nuk e dinte se do të përballej me të njëjtët njerëz që kishte denoncuar më parë, të cilët do të kishin kompetencën për të njehsuar titujt e tij shkencorë.
Kur Taulant Muka kërkoi njehsimin e titujve të tij shkencorë si “Docent”, ekuivalent i të paktën titullit “Profesor i asociuar” sipas legjislacionit vendas dhe “Profesor i asociuar” të marrë nga Universiteti i Bernës, ai u përball me një refuzim të paqartë dhe të parregullt nga strukturat e Ministrisë së Arsimit (MSA). Çuditërisht titujt e tij akademik të marra në universitete perëndimore të renditura ndër 100 universitet më të mira në botë nuk u njohën nga shteti ynë.
Qëndrimet publike të Z. Taulant Muka dhe kontributet e tij në fushën e arsimit dhe shkencës ndërkombëtare nga njëra anë dhe sjellja e MSA gjatë procedurës administrative, nga ana tjetër, tregojnë për një qëndrim të autoriteteve denigrues dhe të qëllimshëm. Pasi ai u kërkoi autoriteteve të verifikonin vlefshmërinë dhe ekuivalencën e titujve të tij, pyetjet që këto autoritete i kishin drejtuar Universitetit të Bernës për të verifikuar vlefshmërinë e titujve ishin jashtë kuadrit ligjor, tregonin mungesë profesionalizmi dhe respekti ndaj institucioneve akademike ndërkombëtare. Për më tepër, autoritetet refuzuan informacionin lidhur me identitetin e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit, duke shkelur parimet e transparencës.
Përtej kësaj, procesi i kthimit të përgjigjes kaloi afatet ligjore deri në 6 muaj, duke dëshmuar neglizhencë dhe mosrespektim të procedurave të përcaktuara. Përgjigja ndaj ankimit u mor në një mënyrë të thatë, duke u mbështetur në arsyetimin se titulli “Docent” nuk mund të njehsohet për shkak të mungesës së ekuivalentit të tij në sistemin shqiptar, dhe se titulli “Profesor i Asociuar” nuk ishte i vlefshëm në kohë për Universitetin e Bernës. Këto arsye janë të pambështetura nga legjislacioni shqiptar dhe ndërkombëtar.
Refuzimi i njehsimit të titujve akademikë është në kundërshtim me Konventën e Lisbonës, e cila ka për qëllim eliminimin e diskriminimit dhe kërkon që titujt e njohur në një shtet të konsiderohen të vlefshëm në të gjitha shtetet nënshkruese, përveç në rastet kur organi publik provon dallime të rëndësishme.
Ky vendim i autoriteteve është jo vetëm diskriminues, por gjithashtu përbën një pengesë për politikat e Shqipërisë që synojnë të tërheqin “trurin” e shpërndarë në botë, pasi praktika e tillë i largon profesionistët e suksesshëm nga mundësia për të kontribuar në vendin e tyre. Sipas raporteve ndërkombëtare Shqipëria është ndër vendet e para në botë për largimin e trurit, dhe ndër vendet e fundit për kapacitet shkencore.
Për këtë arsye, Taulant Muka ka vendosur të kërkojë mbrojtje ligjore dhe çështja po ndiqet përmes avokates Irena Dule pranë qendrës “Res Publica”. Seanca dëgjimore pranë Komisionerit për Diskriminimin do të zhvillohet më 4 shkurt, ora 10:00 dhe do të jetë e hapur për mediat.
Res Publica