Shumë kallëzime penale të nisura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, për pak dënime në përfundim të procesit
Deklaratat për shtyp të Kontrollit të Lartë të Shtetit lidhur me kallëzimet penale për zyrtarët publikë, tërheqin në mënyrë të veçantë vëmendjen e publikut. E ndërsa informacionet për kallëzimet penale gjenden me lehtësi edhe të publikuara në faqen online të KLSH, ka një heshtje për ecurinë e tyre, si në media, ashtu edhe në faqen online të KLSH.
Me qëllim vlerësimin e rezultateve të kallëzimeve dhe krijimin e një perceptimi sa më të drejtë të publikut lidhur me to, Qendra Res Publica, mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, studioi ecurinë e kallëzimeve penale të vitit 2013 dhe vlerësimin cilësor të procesit që nga hartimi i raporteve të auditit ku janë bazuar kallëzimet e deri në përfundimin e cështjes në të gjitha shkallët e gjykimit (kliko këtu për të shkarkuar raportin).
Në këtë studim u vu re se kallëzimet penale të KLSH-së që bëhen objekt publikimi nga mediat, nuk kanë rezultatin e parë të pritshëm nga publiku. Për pjesën dërrmuese, ose 78% e të gjithë zyrtarëve të kallëzuar, çështja është mbyllur që në fazën hetimore nga organi i akuzës, me vendim për mosfillimin ose pushimin e hetimeve.
KLSH duket se ka rënë dakord me këto vendime të prokurorisë, pasi sic rezulton nga studimi i Res Publica nuk ka ankimuar asnjë të tillë në Gjykatë. Në vetëm 4 raste ajo ka ankimuar vendimet e prokurorit të zakonshëm te Prokurori i Përgjithshëm, ku gjithsesi pas kthimit të cështjeve për rihetim ato janë pushuar sërish dhe përsëri pa u shoqëruar me ankim në gjykatë nga KLSH. Ky institucion, në një shkresë drejtuar qendrës Res Publica, pohon se të drejtën e ankimit nuk e ushtron gjithmonë, por vetëm në rastet kur e shikon të arsyeshme.
Vetëm 22 % e personave të kallëzuar janë dërguar për gjykim dhe dy të tretat e tyre janë dënuar nga gjykata. Pra, në total janë dënuar vetëm 13% e të gjithë personave të kallëzuar.
Ajo që bën përshtypje është fakti që kur KLSH kallëzon zyrtarin A, B apo C, e bën këtë me shumë zhurmë mediatike, duke e trumpetuar si sukses. Por, kur hetimet për zyrtarin A, B, apo C, nuk nisin ose pushohen dhe KLSH nuk bën asnjë ankim, duke krijuar idenë që kallëzimi nuk vlente, ky institucion hesht.
Mungesa e transparencës së këtij procesi pas bërjes së kallëzimeve penale ka disa pasoja negative:
Së pari, krijon idenë e gabuar se përgjegjësia për mosndëshkimin e zyrtarëve të kallëzuar i takon vetëm sistemit të drejtësisë, ndërkohë që mund të jenë kallëzimet penale ato që janë të pabazuar;
Së dyti, mungesa e transparencës dëmton edhe vetë zyrtarët e kallëzuar ndoshta pa të drejtë. KLSH nuk kursen t’i paraqesë në media këta njerëz si të inkriminuar në momentin kur kallëzohen penalisht, por kur pas hetimit ata rezultojnë të pafajshëm, KLSH nuk flet, megjithëse bie dakord me prokurorinë.
Sipas KLSH-së, arsyeja pse nuk publikon njoftime në lidhje me ecurinë e kallëzimeve sepse kjo është punë e një institucioni tjetër, që është prokuroria. Por, KLSH nuk informon pse nuk u ankua. Në përfundim të një hetimi, publiku duhet të dijë se cfarë u bë me zyrtarët e kallëzuar dhe nëse prokurori ka mbyllur hetimet publiku do të dijë pse KLSH nuk është ankuar. Këto informacione janë pronë e publikut, që meriton të dijë më shumë me qëllim të mos mbetet shija që lë shprehja “shumë zhurmë për asgjë”.