Kompania “Acromax” hap padi ndaj portalit “Lapsi.al” lidhur me një artikull të cilin Acromax e quan të pasaktë. Artikulli në fjalë me titull “Acromax Media – inkuizicioni kundër “heretikëve” që kritikojnë dyshen Rama-Veliaj në rrjetet sociale” me autor Johannes Estrada, i botuar në 19 gusht 2019, ngre shqetësimin se Acromax, një kompani të regjistuar në Gjermani me pronarë shqiptarë, nën pretendimin se “menaxhon të drejtat digjitale” të mediave shqiptare, në fakt censuron postimet kritike ndaj Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Konkluzioni i autorit është se pas fushatës qëndron vetë qeveria, e cila po përdor Acromax si një instrument censure. Artikulli është botuar fillimisht nga portali “Exit.al”, ndjekur nga një sërë portalesh të tjera që e kanë ripublikuar.
Acromax iu drejtua gjykatës duke kërkuar fshirjen e menjëhershme të artikullit në fjalë, përgënjeshtrimin e përmbajtjes së artikullit, si dhe ndërprerjen dhe fshirjen e postimeve që cënojnë reputacionin e kompanisë. Përveç Lapsi.al, nuk dihet nëse ajo ka ngritur padi të veçanta për të gjithë portalet që kane publikuar apo ripublikuar shkrimin.
Përveçse padia nga Acromax vjen në vitin 2022, më shumë se tre vjet pas botimit të artikullit në 2019, kjo kompani padit një portal që si shumë të tjerë ka ripublikuar shkrimin origjinal nga Exit.al. Këtu lind pyetja: Deri në ç’pikë një media duhet të verifikojë shkrimet nga portalet e tjerë, sidomos kur ato vijnë nga media të besueshme? Sigurisht, nëse një media do të duhej të kryente verifikimeve të tilla, kjo do të kërkonte shumë kohë deri sa shkrimi të humbte aktualitetin. Është praktikë e njohur dhe e pakundërshtueshme që gazetarët e mediat huazojnë shkrime e materiale nga njëri-tjetri, kur ekziston një reputacion dhe besueshmëri mes tyre. E njëjta gjë vlen për rastet e publikimit të artikujve investigativë të kryer nga rrjete investigative apo gazetarë të pavarur. Artikulli në fjalë, është konsideruar i besueshëm nga shumë portale, duke marrë parasysh nivelin e kërkimit dhe analizës që mbart, sigurisht edhe reputacionin e portalit ku është publikuar dhe autorit të tij.
Ajo që duhet të kishte ndodhur, pa mohuar përgjegjësinë e të gjithë portaleve që kanë publikuar artikullin, përfshirë këtu Lapsi.al, është që Acromax të hapte padi ndaj autorit dhe portalit ku fillimisht u botua shkrimi, dhe në të njëjtën padi mund të përfshinte edhe portalet e tjera. Duke hapur padi të veçanta për secilin portal, Acromax duket sikur synon një politikë censuruese për të cilën është akuzuar edhe në artikull.
Çështja është ende në fillimet e veta dhe portali “Lapsi.al” mbrohet nga avokatët e qendrës “Res Publica”. Do t’ju njoftojmë në vijim për zhvillimet e çështjes.
Res Publica