Ditën e hënë në datë 22 tetor 2012 Res Publica ju drejtua me një kërkesë 13 Bashkive më të mëdha në vend për të pasur informacion në lidhje me strategjinë në lidhje me çështjen e bërë publike të lirimit të banesave të ish pronarëve nga qiramarrësit e banesave shtetërore (qytetarët e pastrehë), sipas përcaktimeve të bëra në Aktin Normativ nr. 3, dt. 01.08.2012.
Pyetjet e drejtuara kishin si qëllim të kuptonim:
- A kanë përfituar Bashkitë fond të posaçëm nga buxheti i shtetit, në lidhje me efektet e zbatimit të Aktit Normativ nr. 3. dt. 01.08.2012, dhe nëse po sa është ky fond?
- A është planifikuar numri i banesave për këtë kategori?
- Meqenëse akti i mësipërm detyron Këshillat Bashkiakë që për financime me fondet e pushtetit qendror duhet të shpërndahet të paktën ½ e kuotës për këtë kontingjent, sa është planifikuar kuota në fjalë nga ana e Bashkive?
- Sa është numri i banesave sociale që aktualisht janë në dispozicion të Bashkive për të trajtuar të pastrehët në përgjithësi?
- Sa është numri i përgjithshëm i qytetarëve që kanë plotësuar kushtet për përfitimin e një banese dhe që janë në listën e pritjes për të përfituar një të tillë në bazë të ligjit?
Mbas përgjigjjeve zyrtare të Bashkive do të kuptohet nëse është e planifikuar në mënyrën e duhur lirimi i banesave nga Këshilli i ministrave, në bashkëpunim me Bashkitë që kanë në qytetin e tyre një numër të konsiderueshëm të qiramarrësve të banesave shtetërore të ish pronarëve të shpronësuar.
Qëllimi i informacionit që do të vihet në dispozicion nga Bashkitë, do të jetë vënia në dispozicion të Gjykatës Kushtetuese për gjatë dëgjesës së datës 29 tetor 2012 në mbrojtje të interesave të ligjshme të kësaj kategorie qytetarësh.