Res Publica fitoi gjyqin e radhës kundër refuzimit të informacionit publik nga Kryeministria. Në përgjigje të kërkesës për informacion nga avokatët e qendrës “Res Publica” drejtuar Kryeministrisë lidhur me raportin shpjegues për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave, Kryeministria ka refuzuar dhënien e informacionit me pretendimin se këto raporte janë mendime dhe shpjegime që japin ministritë e linjës lidhur me projektaktin, pra është një proces i vendimmarrjes së Kryeministrisë që kërkon ruajtjen e konfidencialitetit. Pas këtij refuzimi, avokatët e Res Publica i janë drejtuar Komisionerit për të Drejtën e Informimit, dhe në mungesë të vendimmarrjes së këtij të fundit lidhur me ankesën, iu drejtuan gjykatës.
Avokatët e Res Publica arsyetuan se mungesa e dokumentacionit të kërkuar me interes publik shkakton kufizim të paligjshëm të së drejtës së informimit. Arsyetimi nga Kryeministria nuk qëndron pasi nuk parashikohet nga ligji i të drejtës së informimit, i cili i përcakton qartë rastet e kufizimit të dhënies së informacionit. Gjykata vendosi që të pranojë kërkesën e Res Publica për marrjen e raportit shpjegues dhe konstatoi të paligjshëm mungesën e vendimmarrjes nga ana e Komisionerit. Kjo shënon herën e parë që kjo çështje kthehet në praktikë gjyqësore.